1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kroatien Präsidentschaftswahlen

28 Dhjetor 2009

Socialdemokrati Ivo Josipovic arriti të fitojë rreth 32,5 për qind të votave. Kundër tij në balotazh do të jetë kryebashkiaku i Zagrebit, Milan Bandic, që fitoi si kandidat i pavarur rreth 19 për qind të votave.

https://p.dw.com/p/LFSe
Pllakata elektorale në Kroaci
Pllakata elektorale në KroaciFotografi: DW

Presidenti i ardhshëm i Kroacisë pritet të zgjidhet më 10 janar 2010 në një raund tjetër votimi. Sipas KQZ asnjë prej kandidatëve s'mundi të fitojë në raundin e parë shumicën absolute të votave. 12 kandidatë pretendonin të zinin vendin e pasardhësit të kreut të shtetit Stipe Mesiç, i cili në bazë të kushtetutës nuk ka të më drejtë të kandidojë pas dy mandatesh.

Kërkohet: Presidenti i i ri i Kroacisë. Profili i dëshiruar: Përkrahës i BE-së dhe kundërshtar i korrupsionit. E veçanta e personit: Me duar të pastra.

Në raundin e parë zgjedhësve nuk mundi t'ua mbushte mendjen asnjëri nga 12 kandidatët. Dhe në këtë mënyrë dyve prej tyre u duhet të bëjnë deri më 10 janar edhe një herë përpjekje maksimale: profesori i brishtë i drejtësisë kundër maços së zhurmshëm. Ky është skenari që parashikohet për balotazhin.

Autobusi elektoral i Ivo Josipovicit
Autobusi elektoral i Ivo JosipovicitFotografi: Josipovic

Raundi i fundit do të ketë përballë dy burra nga i njëjti kamp

Në raundin e 10 janarit 2010 do të konkurrojnë Ivo Josipovic, kandidat zyrtar i Partisë Socialdemokrate (SDP) në opozitë dhe Milan Bandic, shok i tij, ish-anëtar i kësaj partie që hyri në garë si kandidat i pavarur. Bandic, pre disa vitesh kryebashkiak i Zagrebit, u përjashtua para pak kohësh nga Partia Socialdemokrate, sepse donte të bëhej patjetër edhe president.

“Kroacia ka nevojë para së gjithash për një president të vendosur, të aftë dhe të pavarur, jo marionetë të një partie,” - deklaroi Bandici, që e siguroi konkurimin në balotazh si kandidat i pavarur.

Rinia kroate e velur nga politika i pëlqen populistët socialë

Populisti 54-vjeçar e sheh veten si avokat të të denigruarve nga pikëpamja sociale, por u drejtohet edhe zgjedhësve të kampit të djathtë. Kundërshtarët i tij e kritikojnë atë për shkollim të mangët, për mungesë sjelljeje dhe përfshirje në korrupsion.

Milan Bandic
Milan BandicFotografi: Bandic

Tipat si Milan Bandici shkencëtarët i quajnë populistë socialë. Shumë e gatshme për të rendur pas një tipi si Milan Bandici është sidomos rinia kroate, e cila është e velur nga politika, mendon dhe është i bindur politologu nga Zagrebi Nenad Zakosek: “Për mua ky është një zhvillim i rrezikshëm, sepse populistët përfaqësojnë në të vërtetë rrjetet e errëta të financiarëve dhe të grupeve të caktuara të interesit. Dhe do të ishte sigurisht keq në qoftë se në Kroaci do të bëhej dominante kjo formë politike.”

Korrupsioni në të gjitha fushat dhe nepotizmi pengesat të mëdha për anëtarësimin e Kroacisë në BE

Gjatë fushatës zgjedhore eksperti për të drejtën ndërkombëtare, Ivo Josipovic, nuk u shpreh qartë vetëm për një shtet ligjor në Kroaci. Ai deklaroi se në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar do të mobilizojë madje edhe Shërbimet e Sigurimit.

“Në fund të fundit presidenti e ka këtë të drejtë, sepse atij i vijnë të gjitha raportet në tryezën e punës”. - tha Josipovic duke premtuar se gjatë mandatit të tij si president këto raporte nuk do të zhduken më nëpër sirtare.

Juristi 52-vjeçar ka edhe dhunti artistike. Ai kompozon pjesë muzikore avantgardiste dhe kjo u shkon për shtat votuesve intelektualë dhe shtresës së zgjedhësve të moshuar dhe të shkolluar. Kritikët shohin tek Josipovici profesorin e mërzitshëm, që askush nuk ka dëshirë ta dëgjojë.

Kandidati i HDZ-së konsiderohet si politikan i së djeshmes

Kandidati i HDZ-së Andrija Hebrang me gruan dhe qenin
Kandidati i HDZ-së Andrija HebrangFotografi: Herbrang

Për kryeministren Jadranka Kosor dhe partinë e saj nacional-konservatore, HDZ, rezultati i zgjedhjeve është një mësim. Kandidati i saj zyrtar Andrija Hebrang dështoi tek votuesit. Hebrangu konsiderohet si politikan i së djeshmes. Para së gjithash atë e ka dëmtuar afërsia e tij e mëhershme me themeluesin nacionalist të shtetit të Kroacisë Franjo Tuxhman.

Siç duket kroatët dëshirojnë një president, i cili duhet të vazhdojë kursin pro perëndimor të paraardhësit të tij Stipe Mesiç dhe t'ia dali mbanë asaj që nuk mundi ta arrinte më pas dy mandatesh si president veterani i dashur politik: anëtarësimin e Kroacisë në BE.

Autor: Andrea Mühlberger/Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktor: Pandeli Pani