1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kroacia dhe Sllovenia mbajnë zgjedhje parlamentare

Bahri Cani4 Dhjetor 2011

Në Kroaci dhe Slloveni po zhvillohen sot zgjedhjet parlamentare. Sipas sondazheve, kryeministrja Kosor dhe partia e saj HDZ do të humbin zgjedhjet, ndërsa sllovenët më së shumti i besojnë partisë së Janez Janshës.

https://p.dw.com/p/13MI1
Jadranka Kosor dhe Borut Pahor.
Jadranka Kosor dhe Borut Pahor, humbësit e zgjedhjeve në Kroaci dhe Slloveni?Fotografi: picture alliance/dpa

Në Kroaci janë hapur 6.572 vendvotime dhe deri tani nuk ka informacione për indicente apo parregullësi serioze. Autoritetet kroate kanë premtuar një rrjedhë të rregullt të zgjedhjeve. Kjo në veçanti është e rëndësishme, sepse Kroacia gjendet në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet për parlamentin kroat po zhvillohen që nga dita e shtunë edhe në përfaqësitë e saj diplomatike, jashtë vendit. 124 vendvotime janë të hapura që nga orët e para të mëngjesit, në 52 shtete - më së shumti në Bosnjë-Hercegovinë (30 vendvotime me rreth 411.000 kroatë me të drejtë vote). Ndërsa në Serbi janë hapur gjashtë vendvotime, në Beograd dhe Suboticë, ku të drejtën e votës kanë rreth 35.000 kroatë. Votimet në diasporë zgjasin dy ditë ditë (3 dhe 4 dhjetor).

Do të zgjidhen 151 deputetë

Zjgedhjet kroate.
Hapen të gjitha vendvotime.Fotografi: AP

Të drejtën e votës në Kroaci e kanë rreth 4,5 mlionë qytetarë. Më shumë se katër milionë prej tyre janë kroatë, ndërsa 374.800 votues u përkasin grupeve të ndryshme etnike, të cilët në njësinë zgjedhore 12, kanë të drejtën e zgjedhjes së tetë deputetëve të bashkësive etnike. Bashkësia etnike serbe, si minoriteti më i madh, ka të drejtën e zgjedhjes së tre deputetëve. Për këto poste kanë kandiduar 13 persona.

Për zgjedhjet parlamentare në Kroaci janë pranuar 313 lista zgjedhore dhe 48 kandidatë të pavarur. Për 151 vende në parlament janë paraqitur 4.359 kandidatë.

Favoriti më i madh koalicioni "Kukuriku"

Për të fituar të drejtën e qeverisjes, në parlamentin kroat duhet fituar 76 mandate. Favoriti më i madh për fitore është koalicioni i qendrës së majtë "Kukuriku", ku është edhe Partia Socialdemokrate e Zoran Millanoviqit, e cila sipas të gjitha gjasave pas tetë vitesh do të heqë nga pushteti Partinë e Unitetit Demokratik (HDZ) të kryeministres Jandranka Kosor. Në sondazhe thuhet se në parlament "me siguri" do të futen edhe laburistët e Branimir Glavashit, Lidhja demokratike kroate e Sllavonisë dhe Baranjës, si dhe Partia kroate e të drejtave.

Jansha favorit në Slloveni

Janez Jansha.
Janez Jansha, sërish kryeministër?Fotografi: DW-TV

Zgjedhjet parlamentare po zhvillohen sot edhe në Slloveni. Të drejtën e votës në zgjedhjet e para të parakohshme në këtë vend e kanë rreth 1,6 milionë qytetarë, të cilët do të votojnë në 3.400 vendvotime. Zgjedhjet po mbahen edhe jashtë Sllovenisë, në 34 përfaqësi diplomatike në vendet tjera. Për 90 vende në parlamentin slloven konkurrojnë 1.300 kandidatë. Ndërkohë që kandidatët e tyre kanë paraqitur 20 subjekte politike.

Sipas parashikimeve të fundit, pas rrëzimit të qeverisë së socialdemokratëve, më së shumti shansa për fitore kanë partitë e koalicionit të qendrës së djathtë të ish-kryeministrit Janez Jansha.

Jansha ka qenë kryeministër i Sllovenisë në kohën kur ajo u anëtarësua në Bashkimin Evropian, në vitin 2004. Në sondazhe thuhet se vendin e dytë në zgjedhje mund ta fitojë lista e kryetarit të bashkisë në Lubjanë Zoran Jankoviq, ndërsa socialdemokratët e kryeministrit të tanishëm Borut Pahor, do të dalin të tretët.