1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri i Belgjikës jep dorëheqjen

Katrin Brand/Bruksel15 Korrik 2008

Pas vetëm 4 muajsh në post kryeministri i Belgjikës, Yves Leterme i paraqiti të hënën (14.7.) në mbrëmje dorëheqjen e qeverisë mbretit Albert i II-të.

https://p.dw.com/p/Eckc
Kryeministri i Belgjikës, Iv Leterme
Kryeministri i Belgjikës, Iv LetermeFotografi: AP

Shkak u bë dështimi i negociatave të koalicionit mbi një reformë themelore të shtetit me një autonomi më të madhe për shumicën e popullsisë që flet hollandisht.

Didier Reynders ka përjetuar shumë kriza qeveritare. "Çdo herë fjala është për mungesë besimi", tha zv/kryeministri sot (15.7.) në mëngjes në radion LaPremiere. Didier Reynders është kryetar i liberalëve frëngjisht-folës dhe kështu përfaqësues i një prej pesë partive nga të cilat përbëhet qeveria aktuale dhe për shkak të të cilave rrezikon të dështojë qeveria.

Deri të mërkurën (16.7.) Yve Leterme donte të fillonte një reformë shtetërore. Konkretisht fjala është për ndarjen e pushtetit pjesëve të caktuara të Belgjikës. Flamandët në veri, me popullsi të dendur dhe mirëqënie të lartë kërkojnë më shumë kompetenca, grupet më të vogla dhe më të varfëra të valonëve në jug druhen se kjo gjë do të bëhej në kurriz të tyre. Veç kësaj politikanët debatojnë ashpër për rindarjen e zonave elektorale në kryeqytetin Bruksel dhe përreth tij. Edhe në këtë pikë flamandët hollandisht-folës dhe valonët frankofonë mbajnë pozicione krejt të papajtueshme. Brukseli ka dy gjuhë zyrtare dhe kjo krijon një impas politik.

Vetë kryeministri belg Leterme u përket kristiandemokratëve flamandë. Gjatë fushatës elektorale ai lidhi një aleancë me nacionalistët flamandë të partisë NVA. Por tani që Leterme duhet të kujdeset për interesat e të gjithë belgëve kjo aleancë është kthyer kundër tij:

"Për ne është e qartë se nëse të gjitha kërkesat e flamandëve pezullohen atëherë NVA-ja do të dalë nga koalicioni", deklaroi kryetari i NVA-së Bart de Wever.

Pezullimi i negociatave dhe ngritja e një komisioni më të gjerë ishte në fakt plani i qeverisë natën e shkuar. Por mesa duket Leterme u vu nën presion edhe nga vetë koalicioni i tij. Belgët shqetësohen për fuqinë e tyre blerëse, duhet filluar më në fund të qeveriset - kjo ishte kërkesa.

Tani Leterme i ka paraqitur mbretit Albert të Belgjikës dorëheqjen. Përgjigje ende nuk ka. Që prej zgjedhjeve të vitit 2007 Belgjika gjendet në një krizë të vazhdueshme. Fituesi i zgjedhjeve Leterme dështoi disa herë në ngritjen e një koalicioni. Ndërkohë ai qeveris - ende - me pesë parti nga të gjitha pjesët e Belgjikës.