1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri i Izraelit Olmert viziton Gjermaninë

Philipp, Peter (DW)10 Shkurt 2008

Kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, nis (11.02) një vizitë dyditore në Gjermani. Olmerti do të takohet me kancelaren Merkel dhe presidentin Këler (Köhler). Temat: marrëdhniet bilaterale, Lindja e Mesme dhe Irani.

https://p.dw.com/p/D5Kl
Kryeministri i Izraelit, Ehud OlmertFotografi: picture-alliance/ dpa
Për kancelaren një gjë është e qartë: Përgjegjësia e veçantë e Gjermanisë për procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe e lidhur me këtë siguria e Izraelit, që mbetet një ndër shtyllat e politikës gjermane ndaj, Lindjes së Mesme. Berlini bashkë me BE-në do të bëjë ç´është e mundur për të mbështetur procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe për t´u mundësuar si izraelitëve edhe palestinezëve një jetë në paqe, liri dhe siguri.
Rrallëherë marrëdhëniet bilaterale në historinë 43 vjeçare kanë qenë kaq të ngushta si tani mes Olmertit dhe Merkelit dhe në plan është intensifikimi i mëtejshëm i kontakteve. Në kuadër të festiviteteve me rastin e 60 vjetorit të themelimit të Izraelit për herë të parë do të organizohen konsultimet e përbashkëta qeveritare – gjë që me shtetet e tjera evropiane është bërë tashmë një traditë, por jo me vendet jashtë Evropës, e aq më pak me vende nga rajoni i luftës siç është Lindja e Mesme.
Sidoqoftë ajo që padiskutim është një gurëthemeli në rrugën e marrëdhënieve bilaterale mes Gjermanisë dhe Izraelit, tek palët e tjera të konfliktit mund të ngjallë dyshime lidhur me rolin e Gjermanisë në rajon. Deklarime kaq të hapura dhe demonstrative solidariteti Izraeli nuk ka përjetuar deri më sot as nga SHBA, që është padyshim partneri më i rëndësishëm i shtetit hebre.
U desh të kalojë një kohë e gjatë, derisa në botën arabe të kuptohej dhe të pranohej, se përse Gjermania ka një marrëdhënie të veçantë me Izraelin. Republika e Bonit dhe më pas ajo e Berlinit gëzon megjithatë respekt, sepse është krijuar ndjenja, që politika gjermane përpiqet me seriozitet për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme. Kufijtë e kësaj politike kanë qenë të qarta për shumicën e vendeve të rajonit: ato kushtëzohen jo vetëm nga marrëdhëniet e veçanta me Izraelin, por edhe nga roli relativisht sekondar që luan BE-ja në Lindjen e Mesme krahasuar me SHBA.
Një rol aktiv megjithatë Gjermania morri përsipër pas luftës së Libanit në vitin 2006. Marina gjermane patrullon në Lindje të Mesdheut përgjatë brigjeve libaneze për të penguar kontrabandën e armëve. Ndonëse ky mision u prit me mjaft dyshime, ishte Olmerti ai që i hodhi poshtë ato dhe e përshëndeti misionin gjerman.