1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri i ri në Pakistan nga Partia Popullore

Sabina Matthay 24 Mars 2008

Plot një muaj pas zgjedhjeve në Pakistan, Partia Popullore emëroi në fundjavë ish kryetarin e parlamentit Jusuf Raza Gilani për postin e kryeministrit.

https://p.dw.com/p/DTUh
Jusuf Raza Gilani pritet të jetë kryeministri i riFotografi: AP

Gjashtë javë pas zgjedhjeve në Pakistan dhe vetëm pak ditë pas konstituimit të parlamentit të ri, Partia Popullore, forca më e fuqishme politike e Asamblesë Kombëtare, ka paraqitur një kandidat për postin e kryeministrit të vendit.

Ish-kryetari i parlamentit Jusuf Raza Gilani duhet të jetë kryetari i ri i qeverisë në Islamabad, njoftoi të shtunën në mbrëmje televizioni pakistanez. Sot (24.3) asambleja kombëtare pritet të votojë kandidaturën e Gilanit.

Votat e Partisë Popullore dhe Ligës Myslimane të ish kryeministrit Navaz Sharif që do të ngrenë koalicionin e ri qeveritar, Gilani i ka të sigurta. Edhe deputetët e partisë së vogël MQM e cila konsiderohet si përkrahëse e presidentit Pervez Musharraf pritet të miratojnë kandidaturën e paraqitur nga Partia Popullore.

Kështu Gilani ka nxjerrë jashtë loje kandidatin tjetër nga partia e tij Makhdoom Amin Fahim. Fahim i cili mbajti të bashkuar Partinë Popullore gjatë mërgimit të Benazir Butos, konsiderohej për kohë të gjatë si favorit për postin e kryeministrit. Por mesa duket bashkëshorti i Butos, Asif Ali Zardari, njeriu i ri i fortë i partisë, e shihte Fahimin si konkurrent të tijin. Ndoshta Fahim kishte edhe marrëdhënie më të mira seç duhet me presidentin Musharraf. Me nota thuajse ngushëlluese u shpreh ish ministri i jashtëm pakistanez Zadar Asif Amadali: "Fahim mbetet një politikan drejtues i respektuar i Partisë Popullore."

Megjithatë Gilani shihet nga vëzhguesit e jetës politike në Pakistan si një zgjidhje e përkohshme. Nëse kryetari i Partisë Popullore Asif Ali Zardari do të marrë në zgjedhje të mëpasshme parlamentare një mandat parlamentar, ai mund të bëhej vetë kryeministër. Gjatë zgjedhjeve në muajin shkurt Partia Popullore arriti të fitojë pjesën më të madhe të vendeve në parlament por jo shumicën e mandateve. Kjo është arsyeja përse ajo do të qeverisë në koalicion me Ligën Mylimane.

Detyrat kryesore të qeverisë pakistaneze do të jenë stabilizimi i situatës ekonomike në vend dhe vënia nën kontroll e islamizmit militant. Kryetarët e partive të shumicës Zardari dhe Navaz bënë të ditur se për këtë do të zhvillojnë bisedime me ekstremistët.

Por koalicioni ka rënë dakort edhe për ndërmarrjen e hapave që pritet t'a izolojnë edhe më tej presidentin Musharraf. Kështu pritet rikthimi në detyrë i gjykatësve që Musharraf pati shkarkuar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, pasi shihte të rrezikuar mandatin e dytë si president. Të martën (25.03) pritet që kryeministri i miratuar nga parlamenti të bëjë betimin përpara presidentit dhe një javë më pas duhet të ngrihet kabineti i ri.