1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri kroat Ivo Sanader largohet plotësisht nga politika

2 Korrik 2009

Sanader dha papritur të mërkurën dorëheqjen si nga posti i kryeministrit edhe i kryetarit të partisë konservatore Bashkësia Demokratike Kroate (HDZ). 56-vjeçari Sanader nuk dha ndonjë shpjegim për këtë hap.

https://p.dw.com/p/IfRI
Sanader deklaron dorëheqjen
Sanader deklaron dorëheqjenFotografi: AP

"Kam marrë vendim të mos kandidoj për presidentin e republikës së Kroacisë dhe kam marrë vendim që të tërhiqem nga politika aktive. Këto vendime natyrisht nuk ishin të lehta, por i kam menduar mirë. Që kur kam hyrë në politikë para 20 vjetësh, që kur kam pasuar Franjo Tudmanin para dhjetë vjetësh dhe që kur kam marrë përgjegjësinë për të drejtuar qeverinë kroate para gati gjashtë vjetësh, gjithnjë kam thënë se politika nuk është qëllim në vetvete," - tha Sanader në një konferencë shtypi në Zagreb. Si pasardhëse të tij në postin e kryeministrit Sanader propozoi zëvendësen e tij aktuale Jadranka Kosor.

Sanader: Në jetë ka momente për një fillim të ri

Në një farë mënyre Sanader sqaroi edhe arsyet e dorëheqjes së tij nga kreu i qeverisë dhe i partisë. Ai tha se nuk është as i sëmurë dhe as ka marrë ndonjë ofertë prej BE-së: "Falë Zotit nuk jam i sëmurë. Eshtë folur se ka gjasë që të kem marrë ndonjë detyrë në institucionet evropiane. Eshtë e saktë, që ka pasur oferta të tilla, por nuk i kam pranuar." Ai shtoi se në jetë ka momente për një fillim të ri dhe se e jep i "kënaqur" dorëheqjen prej detyrave të tij. Sanader sqaroi se nën drejtimin e tij Kroacia ka arritur shumë objektiva dhe shtoi se vendi ndodhet para pranimit në BE, por mungon vetëm një "vendim politik".

Sanader: Projekti i integrimit evropian nuk kanë shanse, në qoftë se presioni pranohet si parim veprimi brenda BE-së

Bisedimet për pranimin e Kroacisë në BE të nisura në vitin 2005 janë ngrirë për shkak të një ngrindjeje shumëvjeçare kufitare me fqinjën dhe anëtaren e BE-së, Slloveninë. "Sigurisht që BE dhe projekti i integrimit evropian nuk kanë shanse, në qoftë se parimi i presionit pranohet si parim veprimi brenda BE-së, këtë gjë e kam përsëritur disa herë muajt e fundit. Në këto qëndrime ka edhe një pjesë që tregojnë një farë tolerance ndaj një sjelljeje të tillë dhe unë pres që kjo të marrë fund," - deklaroi Sanader.

Vlerësime pozitive nga Brukseli

Kryetari i komisionit të BE, Jose Manuel Barroso, e falendëroi Sanaderin për "angazhimin e tij për integrimin evropian". Komisari për zgjerimin Oli Rehn i bëri thirrje qeverisë në Zagreb, që të rregullojë shpejt çështjen e pasardhësit të Sanaderit, për të vënë në jetë reformat e kërkuara nga BE-ja. Kryetari i partisë socialdemokrate në opozitë, Zoran Milanovic, e kritikoi Sanaderin dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme. "Në një kohë të vështirë Kroacia mbetet pa "kapiten" edhe pse Sanader e ka çuar anijen në drejtimin e gabuar," tha Milanovic.


Sanader mori në vitin 2000 kryesinë e HDZ-së, Bashkësisë Demokratike Kroate, dhe e shndërroi partinë dikur nacionaliste të ish-presidentit Franjo Tudman, në një parti konservatore të qendrës. Në vitin 2003 Sanader u zgjodh për herë të parë kryeministër. Pas fitores së HDZ-së në zgjedhjet parlamentare 2007 ai u zgjodh edhe për katër vite të tjera në këtë detyrë. Gjatë mandatit të tij Kroacia nisi bisedimet për pranim me BE-në dhe u anëtarësua në NATO.

Autor: Ina Verbica
Redaktor: Pandeli Pani