1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve Gjermanë Robert Zollitsch informoi Papën Benedikt XVI mbi rastet e abuzimeve të klerikëve në Gjermani

12 Mars 2010

Papa thellësisht i brengosur dhe i prekur prej informimit gjatë takimit të sotëm në Vatikan mbi skandalin

https://p.dw.com/p/MRGw
Papa Benedict XVIFotografi: AP

Kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve Gjermanë Robert Zollitsch informoi Papën Benedikt XVI mbi rastet e abuzimeve të klerikëve në Gjermani dhe tha se Papa e kishte inkurajuar që të ndiqte të vërtetën dhe të ndihmonte viktimat. Arkipeshkvi Zollitsch tha se Papa ishte thellësisht i brengosur dhe i prekur prej informimit gjatë takimit të premten (12.3.) në Vatikan mbi skandalin.

Kreu i kishës katolike në Gjermani iu kërkoi edhe një herë falje viktimave të abuzimeve prej priftërinjve dhe tha se Papa e kishte shtyrë që kisha të ballafaqohet me problemin. Ai tha se kisha po ndërmerrte hapa për të hetuar akuzat e shumta për abuzime në institucionet katolike dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre.

Kohët e fundit kanë qenë të paktën 170 ish-nxënës të shkollave katolike në Gjermani që kanë bërë publike akuza për abuzim fizik dhe seksual.

Arkipeshkvia e Mynihut dhe Freisingut, e cila është drejtuar dikur nga Papa Benedikti i XVI-të konfirmoi rastin e një prifti, i cili për shkak të keqtrajtimeve të fëmijëve, është transferuar në Bavari që t'i nënshtrohet një terapie. Kjo është bërë me pëlqimin e kardinalit Ratzinger, sot Papa Benedikti i XVI-të. Më vonë prifti është ngarkuar me punë të re dhe ka vazhduar sërish me keqtrajtimin e fëmijëve.

Në këtë sfond, kryetari i Komitetit Qendror të Katolikëve Gjermanë, Alois Glück, kërkoi liberalizimin e colibatit, ndalimit të priftërinjve katolikë për t'u martuar. Në një bisedë me gazetën "Süddeutsche Zeitung" ai tha se si reagim ndaj shpërdorimeve seksuale në institucionet katolike duhen ndërmarrë ndryshime strukturore. Një ndër to do të ishte liberalizimi i rregullit kishtar të colibatit.

afp, ap