1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KS i OKB-së dënon dhunën në Kosovë

30 Nëntor 2011

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi dhunën në veri të Kosovës, duke e quajtur atë si kërcënim për stabilitetin dhe paqen në tërë rajonin. Në seancën e KS u panë edhe një herë dallimet mes vendeve anëtare.

https://p.dw.com/p/13JNC
KS i OKB-së në Nju Jork
KS i OKB-së në Nju JorkFotografi: picture-alliance/dpa

Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, thuhet se gjendja në Kosovë është përkeqësuar pas përpjekjes së institucioneve të Kosovës për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në veri të vendit. Numri i incidenteve ndaj minoriteteve në tre muajt e fundit, siç thuhet në këtë raport, është shtuar për 24 %. Ndërkohë që në këtë periudhë ka pasur shumë pak përparime në dialougn mes Kosovës dhe Serbisë. Ai dhe pjesëmarrësit e seancës ishin dakord se gjendja në Kosovë është përkeqësuar kohët e fundit, por nuk ishin dakord për shkaqet e përkeqësimit.

UNMIK-u i shqetësuar

Shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif tha se „çdo shkëndijë mund të përkeqësojë gjendjen në veri të Kosovës dhe të shkaktojë dhunë“. Ai tha se UNMIK-u është „shumë i shqetësuar për shkak të dhunës së fundit ndaj KFOR-it“. Zarif u shpreh se barrikadat serbe janë ato të cilat kanë tendosur gjendjen kohët e fundit dhe nuk kanë lejuar lëvizjen e lirë të trupave ndërkombëtare. Si pasojë e sulmeve të fundit të serbëve janë lënduar me dhjetëra ushtarë të trupave ndërkombëtare, ndërkohë që prej serbëve ka pasur edhe përdorim të armëve të zjarrit, tha ai.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP

Bllokadat nuk mund të lejohen

Ambasadorja amerikane, Rosemary DiCarlo ka shprehur bindjen e vendit të saj se Kosova dhe Serbia munden që përmes dialogut të arrijnë progres në raportet e tyre. Rosemary DiCarlo tha se Kosova është një zonë e vetme doganore, duke shtuar se ajo ka të drejtë të kontrollojë kufijtë e vetë. DiCarlo bëri thirrje për largim të menjëhershëm të barrikadave si dhe dënim të dhunës nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Ajo rikujtoi se kohët e fundit është vrarë një polic kosovar dhe janë plagosur me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it. Veprimet e trupave ndërkombëtare ajo i quajti në përputhje të plotë me mandatin dhe rezolutën 1244.

Qëndrime të njëjta paraqiti edhe ambasadori britanik Philip Parnham i cili tha se në veri të Kosovës zotrojnë kriminaliteti, papunësia dhe mungesa e sigurisë. Ai i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që edhe në këtë pjesë të vendos rendin dhe ligjin. „Nuk mund të ketë kurfarë shpjegimi për kufizimin e lirisë së lëvizjes“, tha ai.

Gjendja komplekse dhe përzierja e Serbisë në veri të Kosovës

“Gjendja në veri të Kosovës është komplekse dhe kërcënon funksionalitetin e Kosovës si një shtet shumetnik. Është kjo një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë rajonale. Qeveria e Serbisë ka mbështetur dhe kontrolluar në këtë pjesë të kosovës një sistem të strukturave ilegale“, deklaoi në KS të OKB-së, ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj. Ai shtoi se „njësitë e sigurisë dhe policisë si dhe strukturat paramilitare serbe ende janë prezente në këtë pjesë të Kosovës”. Ministri Hoxhaj theksoi se strukturat ilegale të sigurisë dhe krimit të organizuar në veri kanë për synim të ruajnë status quo-në, me qëllim që të ruajnë veprimet ilegale ekonomike, kontrabandën dhe trafikimin – të gjitha këto me mbështetjen e qeverisë serbe.

Në foto, Enver Hoxhaj
Në foto, Enver HoxhajFotografi: DW

Përfaqësuesi i Prishtinës paraqiti para KS të OKB të dhënat për „18 bllokada rrugësh, pengimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, e madje edhe bllokimin e KFOR-it dhe EULEX-it. „Ky është një kërcënim real për sigurinë brenda Kosovës dhe për paqen dhe stabilitetin rajonal”, theksoi Hoxhaj. Ministri i Jashtëm i Kosovës tha se vendi i tij është i përkushtuar për vazhdimin e dialogut, por „asnjëherë nuk do të pranojë që Serbia të minojë shtetësinë e Kosovës dhe të kontrollojë pjesë të territorit të saj përmes strukturave ilegale të sigurisë“.

Përparimet në Kosovë

Në segmentet tjera, sipas tij, Republika e Kosovës ka bërë në tre muajt e fundit progres vendimtar. Në Kosovë janë shënuar përparime të dukshme në qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit dhe ekonominë e bazuar mbi parimet e tregut. Sa i përket procesit për integrimin e Kososvës në BE ministri Hoxhaj tha se „në vitin 2011, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian“. Ndërsa vitin 2012 ai e sheh si „vit të Kosovës evropiane”

Rusia dhe Jeremiqi në valë të njëjta

Ambasadori rus në OKB Vitalij Çurkin tha se KS duhet t'i dërgojë sinjal të qartë të gjitha palëve se nuk do të tolerohet dhuna dhe se duhet vazhduar dialogu. Ai theksoi se aktet e njëanshme të Kosovës janë të papranueshme. Sa i përket veprimeve të KFOR-it, Çurkin është i mendimit se „do të ishte më mirë sikur ai të përqëndrohej në eliminimin e shkaqeve të frikës së qytetarëve, se sa në heqjen e barrikadave“. Sipas tij, KFOR-i duhet të jetë neutral, sa i përket statusit të Kosovës. „Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës“, theksoi ai.

Në foto, Vuk Jeremiq
Në foto, Vuk JeremiqFotografi: AP

Me fjalë të ngjashme u shpreh edhe ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq i cili tha se barrikadat mund të hiqen vetëm me mjete paqësore. Ai akuzoi qeverinë e Kosovës dhe kryeminsitrin Hashim Thaçi për tendosjet e fundit në veri.

Tadiqi kërkon nga serbët të heqin barrikadat

Njëkohësisht me mbajtjen e takimit të KS të OKB-së, opinionit iu drejtua edhe presidenti serb, Boris Tadiq i cili ka kërkuar nga serbët e veriut të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat dhe të lirojnë rrugët. Ai ka kërkuar edhe prej ushtarëve të KFOR- it që të mos përdorin dhunë, sepse kjo mund të prodhojë një spirale të pakontrollueshme dhune. Tadiq theksoi se „çdo shkallëzim dhune rrezikon interesin kombëtar në Kosovë“. Ai tha se për shkak të dhunës ndaj përfaqësuesve të KFOR-it, Serbia sot është më larg statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto deklarata Tadiq i bëri në prag të vizitës së tij në Bruksel. Javën që vjen pritet vendimi rreth kërkesës së Serbisë që të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Gjermania përshëndet thirrjen e Tadiqit

Gjermania ka përshëndetur këtë thirrje të Tadiqit për heqjen e bllokadës së rrugëve në veri të Kosovës. Ambasadori gjerman në OKB Peter Witig tha se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë evropiane, pas vendosjes së paqës dhe stabilitetit. Por dhuna ndaj ushtarëve të KFOR-it duhet të denohet me të gjitha mjetet, ndërsa barrikadat nuk mund të tolerohen. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga përdorimi i dhunës.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti