1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KS të OKB-së nuk do të bëjë mbledhje të hapur për Kosovën

29 Korrik 2011

Këshilli i Sigurimit vendos të mos mbajë sot mbledhje të jashtëzakonshme të hapur në lidhje me konfliktin kufitar midis Kosovës dhe Serbisë.

https://p.dw.com/p/126LV
Një mbledhje e KS të Sigurimit të OKB-së
Një mbledhje e KS të Sigurimit të OKB-sëFotografi: dapd

Sipas gjykimit të Kombeve të Bashkuara gjendja në Kosovë është aktualisht e qetë, por e paqëndrueshme. Aksioni i ushtarëve të KFOR-it e ka stabilizuar disi situatën, tha dje në Këshillin e Sigurimit zëvendëssekretari i përgjithshëm, përgjegjës për misionet helmetkaltra, Alain Le Roy. Veç kësaj, është shenjë e mirë që udhëheqësit politikë të të dyja palëve kanë bërë thirrje për përmbajtje, tha Le Roy. Megjithatë, gjendja mbetet shpërthyese, vijoi ai.

Këshilli i Sigurimit nuk do të mbajë sot mbledhje të jashtëzakonshme të hapur në lidhje me konfliktin kufitar midis Kosovës dhe Serbisë. Pas këshillimesh të gjata me dyer të mbyllura mbi incidentet e fundit shumica e pesëmbëdhjetë anëtarëve të Këshillit e refuzoi dje një kërkesë përkatëse të Serbisë. Rusia u përpoq më kot të arrinte një mbledhje të jashtëzakonshme me debat të hapur, gjatë së cilës planifikohej t'i jepej fjala ministrit të jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremić.

Jeremici do të dërgojë deklaratë me shkrim

Jeremić, i cili kishte udhëtuar enkas në Nu-Jork, shprehu moskuptim për vendimin. "Me atë që ka Serbia për të thënë mund të pajtohesh pse jo. Së paku është çështje korrektese, që të na dëgjojnë," tha ministri i jashtëm serb. Ai paralajmëroi se do të kthehet në Nju-Jork për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën, në muajin gusht. Deri atëherë qeveria e tij do t'i dërgojë Këshillit një qëndrim me shkrim, tha Jeremici. Duke pasur parasysh gjendjen e tendosur ministri shtoi: "Shpresoj që nuk do të na duhen mbledhje urgjente".

Më parë Jeremici ishte takuar me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Monn. Sipas një zëdhënësi të OKB-së ky i fundit u bëri thirrje të dyja palëve që t'i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me rrugën e bisedimeve. Gjermania e drejton këtë muaj Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ambasadori i Gjermanisë në OKB, Peter Wittig i pati ofruar Jeremićit një takim personal, i cili u zhvillua dje. Në lidhje me përmbajtjen nuk u bë e ditur asgjë.


Autor: Elert Ajazaj (ap, afp, dpa)

Redaktoi: Auron Dodi