1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthesë midis Rusisë dhe SHBA në Siri?

Roman Goncharenko19 Korrik 2016

Pas vizitës së ministrit të Jashtëm amerikan, John Kerry në Rusi të dyja palët po afrohen në çështjen e Sirisë. Uashingtoni duket se po afrohet me Moskën. Por optimizmi në të dyja palët është i kufizuar.

https://p.dw.com/p/1JR6N
USA Russland Kerry und Lawrow in Moskau
Fotografi: Reuters/S. Karpukhin

"Vetëkuptohet që nuk mund të flitet për moment kthese, por për një shans për të", shkroi Konstatin Kossaçov në faqen e tij në Facebook. Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Këshillit të Federatës Ruse sheh shenja "për një zhvillim të pritur prej kohësh" në marrëdhëniet midis Rusisë dhe SHBA - në drejtim të një "bashkëpunimi të vërtetë" në Siri. Fjala kyçe: realpolitika.

Këto deklarata gati miqësore të politikanëve rusë në drejtim të Uashingtonit janë bërë veçanërisht të rralla vitet e fundit. Me tepër dëgjoheshin tone të ashpra. Optimizmi i kujdesshëm i Kossaçovit bazohet në marrëveshjet e ministrit të Jashtëm John Kerry në vizitën e tij në Moskë në fund të javës së shkuar. Kerry erdhi në Rusi për të diskutuar për propozimet e SHBA për mënyrën e veprimit në Siri. Në fillim ai u takua me Presidentin Vladimir Putin dhe pastaj negocioi për 12 orë me radhë me homologun e tij rus Sergej Lavrov. Në qendër të bisedimeve ishte zbatimi i marrëveshjes së armëpushimit në luftën e Sirisë, e cila u negociua në shkurt midis Moskës dhe Uashingtonit. Kjo marrëveshje shkelet herë pas here dhe kalimi në një zgjidhje politike po zgjat.

Shkëmbim i informacioneve të shërbimeve të fshehta

Për rezultatet e bisedimeve më të fundit të dyja palët ranë dakord të heshtin. Për të mos i rrezikuar ato, u tha. Por disa detaje kanë depërtuar në opinion. Kështu qeveria e SHBA thuhet se i ka ofruar Rusisë ndihmë në veprimet kundër grupeve terroriste në Siri, raportoi "Washington Post". Bëhet fjalë për "një shkëmbim të zgjeruar informacioni", gjë me të cilën me sa duket kuptohen njohuritë e shërbimeve të fshehta. Medie të tjera informojnë për gjoja themelimin e një "celule të përbashkët", për të këmbyer informacione të shërbimeve të fshehta.

Uashingtoni nga ana e tij pret që Rusia të heqë dorë së bombarduari civilët dhe ato forca opozitare në Siri, të cilat e mbështesin armëpushimin, shkruan "Washington Post". Veç kësaj, Moska duhet të bindë aleatin e saj, Presidentin sirian Bashar al-Assad që të bëjë të njëjtën gjë.

Veprime të përbashkëta kundër Al-Nusras

Në qendër të marrëveshjes midis Moskës dhe Uashingtonit është me sa duket luftimi i "Frontit Al-Nusra", i cili konsiderohet si fraksion sirian i rrjetit terrorist të "Al-Kaidas". Lavrovi foli në këtë kuadër për "një armik të përbashkët". Problemi duhet të jetë si të dallohen luftëtarët e "Al-Nusra"-s nga ata që Uashingtoni i quan "opozitë e moderuar" - dhe i mbështet. SHBA e kanë akuzuar disa herë Rusinë se bombardon opozitarë në vend të terroristëve. Prandaj SHBA ka qenë e rezervuar në përcjelljen e informacioneve të shërbimeve të fshehta. Por tani mund të jetë arritur një dakordim në këtë çështje: "Me sa duket ka pasur disa garanci për palën amerikane", tha Andrej Kortunov, drejtues i Këshillit Rus për politikën ndërkombëtare në bisedë me DW.

Një problem bazë në marrëveshjet midis Uashingtonit dhe Moskës megjithatë është pranimi i tyre prej aktorëve të tjerë në rajon - si Arabia Saudite, Irani ose Turqia - thotë Kortunov. Kortunov dhe ekspertë të tjerë flasin me skepticizmin që karakterizon prej vitesh raportin mes Rusisë dhe SHBA.