1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthesë në bisedimet për programin bërthamor të Iranit?

E. Xhani (dpa, rtr, afp)23 Nëntor 2013

Në negociatat për programin bërthamor iranian marrin pjesë sërish ministrat e jashtëm të vendeve me të drejtë vetoje në OKB dhe Gjermanisë. Kjo ka ngjallur shpresa për një kthesë të rëndësishme.

https://p.dw.com/p/1AMsP
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov mbërriti papritur të premten në Gjenevë dhe bisedoi me të ngarkuarën e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton dhe me ministrin e Jashtëm të Iranit, Xhavad Zarif. Edhe ministri i Jashtëm i SHBA-së John Kerry ka mbërritur ndërkohë në Gjenevë.

Krahas tij priten edhe ministri i Jashtëm i Francës Laurent Fabius, homologu i tij britanik William Hague dhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle. Qeveria kineze njoftoi në fund pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm Wang Yi. Në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme kineze, njoftohet se ai gjendet rrugës për në Zvicër. "Negociatat për programin bërthamor kanë hyrë në fazën përfundimtare", lexohet në faqe.

Do të arrijnë sukses këtë herë ministrat?

Ardhja e ministrave të jashtëm në vendin ku po mbahen negociatat, ngjall sërish shpresat për një marrëveshje në konfliktin disavjeçar rreth programit bërthamor të Iranit. Një diplomat i lartë i BE-së tha se ministrat e jashtëm do të vinin në Zvicër vetëm nëse do të kishte një tekst marrëveshjeje të gatshëm për nënshkrim. Megjithatë edhe dy javë më parë ministrat e jashtëm patën nxituar drejt Gjenevës, por kthesa e shumëpritur nuk u arrit dhe ministrat u larguan pa rezultat.

Pala iraniane të premten (22.11.) njoftoi përparime të dukshme në negociata. Ministri i Jashtëm Mohamed Xhavad Zarif tha për agjencinë e lajmeve Isna se kthesa "është më pranë". Edhe kryenegociatori iranian Abbas Aragshi foli për përparime, por u tregua i rezervuar. "I jemi afruar marrëveshjes por megjithë përparimet e arritura ka ende shumë çështje të hapura", deklaroi Aragshi. Ai nuk i konfirmoi por as nuk i përgënjeshtroi informacionet në shtypin iranian, sipas të cilave grupi 5+1 ka pranuar të drejtën e kërkuar nga Irani për të pasurimin e uraniumit në vend.

Vrull i ri në sajë të Rohanit

Negociatat mes Iranit dhe grupit 5+1, në të cilin krahas vendeve me të drejtë vetoje në OKB, SHBA, Rusi, Kinë, Britani e Madhe dhe Francë, bën pjesë edhe Gjermania, morën vrull të ri pas ndryshimit të pushtetit në Teheran, verën e kaluar. Për herë të tretë që prej marrjes së detyrës nga Presidenti Hasan Rohani zhvillohen bisedimet e drejtuara nga e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherinë Ashton.

Në negociata janë në diskutim pezullimi i pasurimit të uraniumit në 20 për qind, reduktimi i stoqeve ekzistuese të uranit dhe inspektime më të rrepta nga OKB. Fjala është për një marrëveshje fillimisht të përkohshme, që duhet t'i japë fund vazhdimit të programit bërthamor iranian. Në këmbim të kësaj "marrëveshjeje kalimtare" mund të zbuten sanksionet e ashpra ndaj Iranit. Zarif theksoi se programi për pasurimin e uraniumit në Iran "nuk është i negociueshëm".

Izraeli e sheh edhe më tej me skepticizëm marrëveshjen me Iranin. Edhe pas arritjes së një marrëveshjeje "do të ketë ende shumë për të bërë", deklaroi ministri izraelit i Mbrojtjes Moshe Jaalon.