1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa në Kubë: Takim me Fidel Castron

29 Mars 2012

Në mbyllje të vizitës së tij në Kubë, Papa Benedikti i XVI-të ka takuar kreun e mëhershëm të vendit Fidel Kastro. Në meshën e mbajtur në Havana, Papa bëri thirrje për një shoqëri me vizion të gjerë.

https://p.dw.com/p/14UJg
Papa Benedikti i XVI. me Fidel Castron
Papa Benedikti i XVI. me Fidel CastronFotografi: Reuters

Ishte një moment i veçantë kur Papa u takua me Fidel Kastron, ish- presidentin e vendit për dekada me radhë, tashmë i sëmurë rëndë. Një takim që për Kastron ishte i rëndësishëm. Zëdhënësi i Vatikanit Federico Lombardi bëri të ditur se takimi ka zgjatur një orë e gjysëm. Lidhur me përmbajtjen e bisedës ai nuk dha hollësi. Ky ishte edhe takimi i parë mes Benediktit dhe udhëheqësit të revolucionit kubanez.

Papa dënon embargon e SHBA-së ndaj Kubës

Para këtij takimi kreu i kishës katolike kishte folur në një meshë në sheshin e Revolucionit në Havana për lirinë e besimit dhe për një rol më të madh të kishës. Papa u bëri thirrje autoriteteve që të lirojnë kufizimet ndaj Kishës Katolike. “Liria e fesë - ashtu si edhe ajo e individit dhe e shoqërisë - tregon unitetin e njeriut si i krishterë dhe qytetar dhe iu jep besimtarëve të drejtën për të dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e shoqërisë”. Ndër të tjera ai theksoi se ky vend duhet të ndërtojë “një shoqëri me vizion të gjerë, ripërtëritje dhe pajtim” dhe shtoi se kjo do të jetë e vështirë të arrihet për shkak të “masave kufizuese ekonomike, të imponuara nga jashtë, që me e pa të drejtë rëndojnë popullin e saj”.

Meshë në Havana
Meshë në HavanaFotografi: Reuters

Papa: Besimtarët të ndjehen të lirë

Pas vizitës së Papës së fundit para 14 vjetësh kishte pasur një afrim të vërtetë mes kishës dhe shtetit socialist. Por ende shumë besimtarë nuk ndjehen të lirë të shkojnë në kishë. Papa Benedikti i XVI-të për këtë arsye kërkoi nga Kuba që të bëjë përparime të mëtejshme në këtë drejtim.

Ati i Shenjtë paralajmëroi gjithashtu rrezikun që vjen nga fanatizmi dhe tha se njerëzit nuk duhet t'ua imponojnë të tjerëve të vërtetën e tyre të krishtërimit.

Papa u prit me një entuziazëm të madh nga qindra mijëra njerëz. Edhe presidenti Raul Kastro dhe përfaqësues të lartë të qeverisë ishin të pranishëm në këtë meshë që shënoi edhe pikën kulmore të vizitës së tij treditore në vendin komunist.

Autor: dpa/Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Lindita Arapi