1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthesa e Austrisë në politikën e refugjatëve

Christoph Hasselbach4 Mars 2016

Asnjë vend tjetër në Europë nuk ka bërë një kthesë kaq të fortë në politikën e refugjatëve sa Austria. Sot Vjena e sheh veten si pararojën e një politike të re. Madje ajo pretendon se po ndihmon kështu edhe Gjermaninë.

https://p.dw.com/p/1I7Cy
Belgien EU Gipfel in Brüssels
Kancelari austriak, Werner Faymann dhe MerkelFotografi: picture-alliance/dpa/A. Wenzel

Prej kohësh kancelarja e ndjente se era që vinte nga Austria kishte ndërruar drejtim. Por sidoqoftë ajo mund të mbështetej tek vendi fqinjë, Austria. Me kancelarin socialdemokrat, Werner Faymann atë e lidhte një bashkëpunim i ngushtë, pavarësisht se të dy i përkasin partive të ndryshme- Ndërkohë që Merkel i qëndron besnike politikës së saj, Austria ka bërë një kthesë të fortë në politikën e refugjatëve. Politikën e trembjes, për të cilën Faymann akuzonte më parë kryeministrin hungarez Orban, tani Austria po e praktikon vetë.

Ky vend përcaktoi kufirin maksimal të pranimit të refugjatëve, autoritetet lejojnë vetëm 80 kërkesa për azil në ditë. Në kufirin me Slloveninë u vendos një gardh katër kilometra i gjatë, forcat e sigurisë janë vendosur në kufi. Por kthesa më spektakolare erdhi, kur Austria pak para samitit të të BE-së në mesin e shkurtit i bëri bisht një zgjidhjeje të përbashkët europiane për krizën. Vjena u bashkua me dias vende ballkanike dhe ia doli që Maqedonia të mbyllte kufirin me Greqinë. Austriakët kishin kohë që ankoheshin për politikën greke të tranzitimit të refugjatëve. Tani ata pranojnë bllokimin e refugjatëve në Greqi dhe shpresojnë në një efekt domino përgjatë itinerarit ballkanik.

Westbalkan Konferenz Sebastian Kurz Johanna Mikl-Leitner Wien Österreich
Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz dhe ministrja e Brendshme, Johanna MnMikl-LeitnerFotografi: Getty Images/AFP/H.Fohringer

"Jo nuk ia dalim dot mbanë"

Por kaq e papritur nuk është kthesa austriake. Që në vjeshtën e kaluar kishte zëra kritikë ndaj politikës liberale të refugjatëve, si ministrja e Brendshme, Johanna Mikl-Leitner e partisë konservatore ÖVP. "Duhet të punojmë sa më shpejt për ngritjen e një fortese në Europë", tha ajo që në tetor, megjithëse nocioni "fortesë" është i ngjyrosur negativisht në Europë.

Edhe kolegu i partisë së Mikl-Leitnerit, ministri i Jashtëm, Sebastian Kurz u shpreh qartë në vjeshtë, kur tha për "Kleine Zeitung": "Dua që ne në Europë, sidomos Gjermania, ta themi qartë e hapur: Duhet t'i japim fund politikës së ftesës." Faymann atëherë i qëndronte besnik Merkelit dhe theksonte të përbashkëtat në politikën me Gjermaninë.

Ndërsa sot ai distancohet qartazi nga politika e Berlinit. Po qe se Merkel nuk është dakord me mbylljen e kufirit të Maqedonisë, atëherë mund t'i marrë refugjatët që andej në Gjermani, u shpreh ai me ironi së fundmi. Dhe duke perifrazuar fjalinë e njohur të Merkelit, "ne ia dalim mbanë", ai u shpreh "ne nuk ia dalim dot mbanë".

Griechenland Flüchtlinge in Athen
Refugjatë në AthinëFotografi: Reuters/A. Konstantinidis

Austria si shembull?

Faymann është afruar kështu me atmosferën që sundon në vend. Austria ka pranuar më shumë refugjatë se Gjermania krahasuar me numrin e popullsisë. Partia populiste FPÖ me Heinz-Christian Strachen në krye po arrin vlerat e 30% në sondazhe duke u bërë kështu forca më e madhe politike në vend. Faymann po i shikon edhe frytet e kthesës së tij. Nëse më parë ai shihej si figurë e dobët drejtuese, tani popullariteti i tij është rritur.

Ndërkohë Faymann dhe kabineti i tij nuk e "shesin" më si një e keqe e pashmangshme këtë politikë. Ata thonë madje se ata po i ndihmojnë në këtë mënyrë edhe Gjermanisë mosmirënjohëse. Ministri i Mbrojtjes së Austrisë, Hans-Peter Doskozil i SPÖ-së u shpreh se, Gjermania përfiton "masivisht nga masat e kontrollit kufitar të Austrisë në itinerarin ballkanik". Ndërsa kancelari Faymann shtoi në një intervistë për "Kurier" se "kemi ndërmarrë hapa që edhe Gjermania do t'i ndërmarrë. Jam i bindur që do të gjejmë një ujdi në këtë pikë."

Disa thonë madje se ujdia ndërkohë është realitet, edhe pse Merkel nuk e pohon hapur. Zëvendëskancelari gjerman, Sigmar Gabriel u shpreh të mërkurën në Berlin se "kthesa e shumë përfolur në politikën gjermanë ka kohë që është bërë." Këtë ta le ta kuptosh edhe këshilla e Merkelit për refugjatët e bllokuar në kufirin greko-maqedonas, që ata duhet të qëndrojnë fillimisht në Greqi. Merkel nuk sheh paralele me situatën në Hungari, kur ajo me një gjest zemërgjerë i hapi kufijtë.