1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthesa e papritur e Rusisë

21 Mars 2012

Rusia ndryshon kursin ndaj Sirisë dhe dëshiron të pranojë nën kushte të caktuara një rezolute të OKB-së. Kjo është erë në shpinë për misionin diplomatik të Kofi Ananit, mendon Daniel Scheschkewitz.

https://p.dw.com/p/14OEg

Presioni ndaj Rusisë siç duket ishte i madh. Ky vend për javë të tëra ishte në shënjestër të kritikave të bashkësisë ndërkombëtare për shkak të qëndrimit të tij bllokues dhe mbështetjes së palëkundur për presidentin e pamëshirshëm autokrat Bashar al-Assad. Bëhej fjalë për besnikërinë ndaj diktatorit të fundit në Lindjen e Mesme dhe se si Rusia po qëndron në këtë konflikt në anën e gabuar të historisë. Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov u detyrua të dëgjojë pandërprerje ankesat legjitime të homologëve të tij perëndimorë. Bile në takimin me homologen e tij amerikane Hillary Clinton në Mynih, kritikat janë bërë me zë të lartë. Dhe uji që pikon përherë e gërryen gurin. Tani, Rusia ka zbutur qëndrimin e saj dhe paralajmëroi mbështetjen e një rezolute për Sirinë në qoftë se bashkësia ndërkombëtare heq dorë nga një ultimatum ndaj Assadit.

Moska me vonesë korrigjon kursin e saj

Një korrigjim fantastik i kursit edhe pse ai ka të bëjë me përpjekjet për shpëtimin e fytyrës. Rusia as në të ardhmen nuk pritet që të mbështesë ndonjë ndërhyrje ushtarake të sankssionuar me ligj ndërkombëtar në Siri. Megjithatë për zgjidhjen e krizës në Siri, kjo ende mund të kontribuojë për një përparim të madh. Për herë të parë përfaqësuesi special Kofi Anan tani ka mbështetjen e plotë të komunitetit ndërkombëtar. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është në gjendje të veprojë përsëri sipas ligjit ndërkombëtar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kuadrin e obligimeve të tij për të mbrojtur popullsinë civile të Sirisë dhe vjen në një kohë kur gjendja humanitare është përkeqësuar shumë në vend. Rreth 200 000 sirianë tashmë ndodhen në arrati prej dhunës së përditshme. 30 000 njerëz kanë kaluar përtej kufijve. Një sukses ose dështim i misionit të Kofi Annanit është i varur në një fije peri dhe mund të jetë vendimtar për jetën e shumë njerëzve. Assadi duke gëzuar mbështetjen e heshtur të Rusisë aleate ka bërë deri tani vetëm lëshime verbale dhe thjesht taktike. Tani ai nuk mund të fshihet pas shpinës së gjerë të Moskës. Ai do të duhet të lëviz në pikat qendrore.

Erë në shpinë për planin paqësor të Annanit

Në foto, Daniel Scheschkewitz
Në foto, Daniel ScheschkewitzFotografi: DW

Në planin e Annanit bëjnë pjesë një armëpushim dhe fundi i dhunës së drejtpërdrejt ushtarake kundër civilëve në bastionet e rebelëve. Po ashtu ai përfshin edhe qasjen e papenguar të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për tërheqjen e të plagosurve nga rjonet e përfshira në luftime. Këto janë pikat kryesore të planit të papublikuar ende të Annanit. Nëse Assadi nuk bën lëvizje sa duhet në këto pika atëherë edhe Rusia do të ndërprejë mbështetjen ndaj saj. Kjo tashmë është e parashikueshme. Pastaj Assadit nuk do t'i ndihmojnë për një kohë të gjatë as armët e akumuluara nga Rusia veçanërisht tani kur Arabia Saudite ka filluar me furnizimin me armë të luftëtarëve sunitë në Siri. Ky është një zhvillim fatal. Lidhja Arabe tani duhet të sigurojë që mos të ketë furnizme të mëdha me armë në mënyrë që mos të nxitet edhe më shumë lufta civile në Siri.

Fillimi i maratonës diplomatike

Një mundësi e mirë për këtë do të ishte takimi i Ligës Arabe në javën e ardhshme në Bagdat. Atje pritet të diskutohet edhe se mbi çfarë baze do të krijohet një mision i ri vëzhgues në Siri në mënyrë që të monitorohet në mënyre efektive zbatimi i planit të Annanit. OKB dhe Kofi Annan janë në fillim të një maratone të gjatë diplomatike. Moska tani ka pastruar rrugën për këtë garë. Synimi kryesor duhet të jetë fillimi i një procesi të besueshëm politik. Për këtë duhet të gjejë një gjuhë të pëbashkët edhe vet opozita në Siri. Ajo është ende larg nga kjo. Ananit do t'i duhet të kërkoj dialog edhe në radhët e saj. Në mënyrë që lufta civile në Siri mos të kthehet në një zjarr që do të përhapej edhe më shumë dhe do të shtrihej edhe në Liban duhet të ndërmirren të gjitha përpjejekt diplomatike. Në këtë mes Rusia mund të kontribuojë shumë.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Esat Ahmeti