1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthimi i mandateve - thellon krizën në Maqedoni

12 Shkurt 2013

Juristët janë të mendimit se kthimi i mandateve të deputetëve të opozitës nuk do të ndihmojë kapërcimin e krizës politike. Mazhoranca kundërpërgjigjet me organizimin e zgjedhjeve të pjesshme parlamentare.

https://p.dw.com/p/17czu
Parlamenti ne Shkup
Parlamenti në ShkupFotografi: picture-alliance/ dpa

Ekspertët juridikë janë të mendimit se kthimi i mandateve të deputetëve të opozitës nuk do të ndihmojë në tejkalimin e krizës politike. Jo preciziteti në Kodin zgjedhor për kthimin e mandateve lë hapësirë për interpretime. Mazhoranca i kundërpërgjigjet iniciativës së opozitës për kthimin e mandateve me organizimin e zgjedhjeve të pjesshme parlamentare.

Opozita : kthimi i mandateve është mjet demokratik

Nëse nuk ka marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, opozita maqedonase paralajmëron kthimin e mandateve të deputetëve. Kthimi i mandateve të deputetëve të opozitës mbetet hapi i fundit i metodave demokratike për tejkalimin e krizës politike në të cilën gjendet Maqedonia, thotë koordinatori i grupit parlamentar i LSDM-së, Jani Makraduli.

“Kthimi i mandateve është hap i fundit i metodave demokratike për zgjidhjen e krizës me dialog politik. Kur të shteren të gjitha mundësitë për dialog dhe marrëveshje politike, dorëzimi i mandateve është një hap i vogël në gjithë këtë proces”, shprehet Makraduli.

Deputetët e opozitës maqedonase kanë qenë më unik se kurrë në vendimin që nëse nuk ka marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të kthehen mandatet.

Zgjedhjet e pjesshme, kundërpërgjigje për kthimin e mandateve

Paralajmërimi i kthimit të mandateve ka shkaktuar një sërë reagimesh në opinion duke krijuar paqartësi rreth zhvillimeve politike në të ardhmen. VMRO-DPMNE, partia e kryeministrit Gruevski i kundërpërgjigjet paralajmërimit të opozitës me zgjedhje të pjesërishme. Shefi i zyrës për komunikim në VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski, thotë se nëse deputetët e LSDM-së dhe partive të koalicionit opozitar i kthejnë mandatet e deputetëve, Kodi zgjedhor është i qartë në këtë situatë dhe parasheh zgjedhje të pjesërishme vetëm në njësitë ku mungojnë deputetët dhe vetëm për aq mandate sa janë kthyer.

“Kthimi i mandateve nuk nënkupton me automatizëm zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet plotësuese janë materie e regulluar me Ligj dhe ne do të bazohemi në këtë”, shprehet Dimovski.

Parlamenti në debate
Parlamenti në debateFotografi: picture-alliance/ dpa

Mungesa në Kodin zgjedhor

Sipas Kodit zgjedhor pas kthimit të mandateve të deputetëve, procedura është pak më e gjatë. Komisioni shtetëror zgjedhor i ofron vendet e zbrazëta për kandidatët në radhë në listën e asaj partie dhe në njësinë zgjedhore përkatëse.Nëse edhe ata refuzojnë atëherë organizohen, zgjedhje të pjesshme në të gjitha 6 njësitë zgjedhore. Në Kodin zgjedhor aktual nuk ka afat se kur duhet të mbahen zgjedhjet e pjesshme.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Osman Kadriu nga prizmi ligjore thekson se kthimi i mandateve të LSDM-së opozitare nuk është i mundshëm për shkak të numrit të deputetëve që posedon ajo në Parlamentin e Maqedonisë.

“Në qoftëse LSDM dorëzon mandatet, nga lista e tyre do të bëhet kooptimi, që është një gjë e pa mundshme, sepse dorëzimi nuk mundet të përputhet me kooptimin”, shprehet Kadriu.

Opsioni i zgjedhjeve të pjesshme është jo i volitshëm. Në këtë rast parashtrohet pyetja kryesore se kush do të votojë dhe kush do të fitojë shumicën e nevojshme., kjo si procedurë është e pa zbatueshme, shprehet profesori Osman Kadriu.

“I vetmi mjet juridik janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare për tërë shtetin, meqë këtu kemi dorëheqje të tërë bllokut opozitar e jo të 2 apo 3 deputetëve që të bëhet kooptimi nga lista”,vlerëson Osman Kadriu.

Ligji i zgjedhjeve jo vendimtar për kthimin e mandateve

Realizimi eventual i kthimit të mandateve nga deputetët e opozitës do të ketë një sërë pasojash dhe paqartësi juridike dhe mundësi për interpretime të ndryshme të Kodit zgjedhor.

Profesoresha universitare Tatjana Karakamisheva, thotë se ka disharmoni mes Rregullores së Parlamentit dhe Ligjit për zgjedhje sa i përket iniciativës së kthimit të mandatit. Afatet kohore për plotësimin e listave të zbrazura për deputetët nuk saktësohen dhe kjo situatë mundëson interpretime të ndryshme .

“Në Ligjin për zgjedhjet në nenin 154 thuhet se nëse lista e kandidatëve nuk ka kandidat për t'u plotësuar, vendi i deputetit mund të plotësohet në baza të tjera. Cilat janë ato baza, Ligji nuk i saktëson”, shprehet Karakamisheva.

Analisti Jove Kekenovski e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të pjesërishme duke shtuar se nuk ekziston bazë ligjore për ato. Nëse opozita dorëzon mandatet, ky veprim duhet të jetë në përputhje me Rregulloren, në seancë të Parlamentit. Kryetari duhet t'i thërrasë deputetët e ardhshëm në vend të tyre derisa të zbrazet lista. Momenti kur lista zbrazet, pasojnë zgjedhje të parakohshme dhe jo të pjesshme.

“Nëse do të ishte sipas sistemit mazhoritar kjo do të vlente vetëm për vendet e zbrazëta, ndërsa në këtë situate, duke marrë parasysh shpërndarjen proporcionale të votive, do të duhen të shpallen zgjedhje për të gjitha njësitë zgjedhore”, thotë Kekenovski.

Blloku i koalicionit opozitar maqedonas në Parlament ka gjithsej 43 deputetë

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi