1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ku janë gratë në Ballkan?

28 Tetor 2011

Menaxherët femra janë të rralla edhe në Evropën Juglindore. Në Kroaci ata janë të pranishme vetëm në vende të caktuara, Serbia ka pak sipërmarrëse dhe Turqia ka një shkallë shumë të ulët të punësimit të grave.

https://p.dw.com/p/13148
Grua e lumtur
Grua e lumturFotografi: Fotolia/Patrizia Tilly

Në përgjithësi gratë në Evropën Juglindore janë shumë më rrallë në pozicione drejtuese se në vendet e tjera të Evropës. Në Kroaci, për shembull, duket se vetëm disa pozicione në kompanitë e mëdha janë të destinuara për gratë. Ata zënë vendet drejtuese në departamentet e komunikimit dhe në marrëdhëniet me publikun. Megjithatë në përgjithësi këto janë pozita pa pushtet real. Në inxhinieri dhe prodhim gratë nuk janë thuajse aspak të përfaqësuara në pozicione drejtuese. Arsyeja për këtë është se vetëm pak gra ndjekin shkollat teknike dhe kështu numri i specialistëve gra është i ulët. Por informacione të sakta në lidhje me fuqinë e grave në menaxhim dhe kompetencat e tyre në vendimmarrje nuk ka. As komisionerja për barazinë, Gordana Lukac Koritnik, nuk ka për momentin të dhëna të sakta. Kjo do të ndryshojë së shpejti, pohohet nga zyra e Lukac Koritnik.

Pjesëmarrje e ulët e grave në koncerne

Situata e grave është duke u përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme, sidomos në mesin e grave sipërmarrëse, thotë Alida Perkov e degës kroate të njërës prej rrjeteve më të mëdha ndërkombëtare për gratë sipërmarrëse dhe gratë në marrëdhënie pune, "Bussines and Professional Women” (BPW). Në vitin 2002, 8000 sipërmarrëse gra punësuan 54.000 punonjës në të gjithë botën. "Në vitin 2007 janë tri herë më shumë dhe numri i të punësuarve është dyfishuar," thotë presidentja e BPW në Kroacinë për Deutsche Welle-n. Megjithatë vetëm një e katërta e të gjithë bizneseve të reja është filluar nga gratë. Megjithëse të dhëna statistikore për përqindjen e burrave dhe grave në mesin e numrit të përgjithshëm të sipërmarrësve në Kroaci nuk ka, vlerësohet se sipërmarrës meshkuj ka dy herë më shumë. Përqindja e grave në bordet mbikqyrëse është 19 për qind. Diferenca në pozita udhëheqëse në kompanitë e mëdha është shumë me e madhe, thotë Perkov. Këtu pjesëmarrja e gruas është vetëm gjashtë përqind. Sipas Perkov vihet re një rregull: sa më e madhe kompania, aq më e vogël mundësia, që të udhëhiqet nga një grua.

Gratë në kafaz
Gratë në kafazFotografi: Fotolia/Pedro Nogueira

Në Serbi nevojiten më shumë menaxhere

Në Serbi nga ana tjetër ka shumë gra në sektorin privat në pozicione drejtuese, thotë sekretarja e shtetit për Punën dhe Çështjet Sociale, si dhe e ngarkuara për barazinë gjinore në Serbi, Snezhana Lakicevic Stojacic. Disa statistika janë mbresëlënëse: për shembull shpërndarja gjinore në profesionet akademike, prej të cilëve 53 për qind janë femra. Për më tepër gratë përbëjnë 59 përqind të specialistëve dhe teknikëve jo-akademikë. Në politikë dhe shërbimet publike megjithatë vetëm 25 për qind e të punësuarve janë femra dhe 75 për qind meshkuj. Nga këto shifra bëhet e qartë, thotë Lakicevic Stojacic, se gratë në proceset e aplikimit, në të cilat kërkohet njohuri, aftësi dhe cilësi, mbizotërojnë në mënyrë të qartë. Sot gratë marrin pozita drejtuese, që deri dje ishin të rezervuara vetëm për burrat, ata janë të përfaqësuara tashmë në pozitat e larta në kompani të mëdha dhe banka. Sipas Snezana Lakicevic megjithatë ka shumë pak sipërmarrëse. Raporti është 100 burra me 50 gra. Megjithatë duhet thënë se krijimi i sipërmarrjeve në sektorin privat në Serbi në përgjithësi nuk është në gjendje të mirë.

Diskrepancë në Turqi

Gjithashtu Turqia është një vend, ku gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet në politikë dhe biznes. Sipas "Gender Gap Report 2010" (Raporti global për hendekun mes gjinive) të Forumit Ekonomik Botëror, niveli i punësimit të grave në sektorin privat ndodhet në 26 për qind. India ka kuotën më të ulët me 23 për qind. I vetmi lajm i mirë për Turqinë sipas këtij raporti është, se shkalla e grave në pozitat e larta është rreth dymbëdhjetë për qind. Kështu Turqia vjen në vend të dytë pas Finlandës. Studimi përfshin 3400 kompani nga 30 vende të OECD-së, si dhe Kinën, Indinë dhe Rusinë.

Turqia për këtë arsye kritikohet shpesh në raportet e progresit të BE-së dhe asaj i kërkohet që të marrë masa për të rritur shkallën e punësimit të grave. Sepse BE me e ashtuquajturën strategji e Lisbonës ka marrë masa, të rrisë me 60 për qind kuotën e punësimit të femrave në vendet anëtare dhe kandidate, si Turqia. Arritja e këtij synimi është ende larg për Turqinë. Një arsye për këtë është se gratë më parë kanë punuar kryesisht në bujqësi dhe puna në bujqësi po pëson rënie. Meqë mundësitë punësimit për gratë aktualisht janë të kufizuara, kushtet e punës të vështira, dhe pagat të ulëta, puna për shumë gra nuk është aq atraktive, arsyetojnë ekspertët.

Kuota e grave
Kuota e graveFotografi: picture-alliance/dpa

Autor: B. Özay, S. Bogdanic, I. Petrovic, A. Verbica

Redaktoi: Aida Cama