1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kufi vdekjeprurës- Kujtohen viktimat e Murit të Berlinit

12 Gusht 2011

50 vjet më parë, më 13 gusht 1961, pushtetmbajtësit e RDGJ-së ngritën me pëlqimin e Bashkimit Sovjetik Murin e Berlinit. Rrugët në drejtim të pjesës perëndimore të qytetit u mbyllën për 28 vjet me radhë.

https://p.dw.com/p/12FGg
Në kujtim të viktimave- Kryqet e bardhë mbajnë emrat e viktimave të Murit
Në kujtim të viktimave- Kryqet e bardhë mbajnë emrat e viktimave të MuritFotografi: AP

Gjallëri e madhe në urën Sandkrugbrücke të Berlinit. Mijëra makina kalojnë në këtë urë mbi kanalin e lundrueshëm Berlin - Spandau. Një krah artificial i lumit Spree, në sfond duket stacioni i ri i trenit. Këtu ka qenë pika kalimtare e kufirit në Rrugën Invalidenstraße. Disa qindra metra larg kësaj pike, humbi jetën më 24 gusht 1961, 24 vjeçari Günter Litfin nga lagjia Weißensee e Berlinit lindor.

Një gur përkujtimor që nuk bie në sy kujton fatin e të riut, që ishte viktima e parë e marrë në shënjestër nga ushtarët që ruanin murin. 14 ditë më parë pushtetmbajtësit e RDGJ kishin filluar të rrethonin Berlinin perëndimor. Punimet për ndërtimin e tij u bënë me ndërgjegjen e lartë gjermane:

Një kronist fliste në atë kohë në radio: "Telat me gjemba të shtruara mbi rrugët, nuk mjaftojnë më. Në anën lindore të rrugës, përgjatë Rrugës Bernauer ndodhen kamionët me vinça, që vendosin pllakat e betonit. Natyrisht e gjithë kjo punë vëzhgohet nga prezencë e madhe policore. Policia popullore ka vënë helmetat në kokë, dhe ka hequr siguresat nga pistoletat..."

Festimet për rënien e Murit të Berlinit
Festimet për rënien e Murit të BerlinitFotografi: AP

Plumbat e një pistolete të tillë vranë Günter Litfin, kur u përpoq të arrinte bregun perëndimor. Edhe nga propaganda e RDGJ ishte bërë e qartë se ushtarët e kufirit do të qëllonin mbi ata që do të përpiqeshin të arratiseshin.

Më 17 qershor 1953, RDGJ kishte shtypur me ndihmën sovjetike, kryengritjen popullore. Regjimit nuk iu nda frika për shpërthimin e një revolte tjetër. Pasojë e kësaj frike ishte ndërtimi i murit. Qindra mijëra vetë ishin larguar më parë në drejtim të perëndimit. Kur më 13 gusht 1961 u mbyll kufiri, situata u shkallëzua:

Folësi i radios: "Pas një këmbimi zjarri midis policisë së Berlinit perëndimor dhe policisë popullore, dje në mbrëmje u vra tek Muri edhe një viktimë tjetër. Një refugjat, që iu dorëzua zjarrfikëseve të Berlinit perëndimor, nuk arriti të hidhej në batanijen që ata kishin hapur për të. Ai mbeti i vdekur në vend."

Muri i Berlinit
Muri i BerlinitFotografi: AP

Një dëshmitar okular tregon: "Pra, ora ishte rreth 20:00. Këtu në rrugën Bernauer Straße, shtëpia numër 44, lart në çati ndodheshin tre refugjatë. Ata kishin hipur lartë. Dhe njerëzit, kalimtarët thërrisnin nga poshtë, "Zbrisni këtu!" Kur ata ndodheshin lart, erdhi policia popullore. Nga ana perëndimore, iu bë thirrje zjarrfikëseve. Kur erdhën zjarrfikset, hapën një batanije shpejt e shpejt. Njëri prej atyre që vinte nga lindja, u hodh nga çatia, por këmba e majtë i ngeci, kështu që nuk u hodh dot mbi batanijen e hapur, por katër metra më tutje, në trotuarin e perëndimit."

Rruga "Bernauer Straße" u bë në gjithë botën simbol i mizorisë së RDGJ-së. Sot, këtu ndodhen disa mbetje të murit dhe një qendër historike, ku janë dokumentuar arratisjet e shumta, ato të suksesshmet dhe ato të dështuara.

Muajt e parë pas ndërtimit të murit, shumë vetë arritën të shkonin në perëndim nëpërmjet një tuneli të fshehur. Senati i Berlinit perëndimor përpiqej të ndikonte mbi lindjen nëpërmjet fuqisë të fjalëve: "Këtu flet "Studio me tela me gjemba" këtu fet "Studio me tela me gjemba."

Lufta në ajër zhvillohej direkt tek Muri i Berlinit. Zëri i kryetarit të Bashkisë Willy Brandt, dëgjohej deri në thellësi të Berlinit lindor: "Mos lejoni t`ju bëjnë lecka! Tregoni sjellje njerëzore. Kudo ku të jetë e mundur! Por kryesore është të mos qëlloni mbi bashkatdhetarët! Të gjithë do të gjykohen një ditë për sjelljen e sotme."

Muri i Berlinit u ndërtua 50 vjet më pare
Muri i Berlinit u ndërtua 50 vjet më pareFotografi: picture-alliance/dpa

Profecia e Willy Brandt u përmbush mbas rënies së Murit, megjithëse jo ashtu siç e prisnin viktimat e shumta dhe të afërmit e tyre. Në proceset e Murit, pati shumë ushtarë të kufirit që dolën në bankën e të akuzuarve por shumica e tyre u lirua me kusht. Edhe ai që në shkurt 1989, pati qëlluar mbi 20 vjeçarin, Chris Gueffroy. Ai ishte viktima e fundit që u vra shtatë muaj para rënies së Murit. Emri i tij është shkruar po ashtu si emri i Günter Litfin-it në kryqet e bardha të vendosura në breg të Lumit Spree, direkt krah ndërtesës së parlamentit.

Varri i Chris Gueffroy, vrarë më 1989
Varri i Chris Gueffroy, vrarë më 1989Fotografi: AP

Autor: Marcel Fürstenau / Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti