1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Urrejtja kundër të huajve në Solingen

Baha Güngör28 Maj 2013

20 vjet pas ngjarjes tragjike të Solingenit, ekstremistët e djathtë e kërcënojnë Gjermaninë më shumë se kurrë më parë komenton Baha Güngör.

https://p.dw.com/p/18fNC
Monument përkujtimor në Solingen
Monument përkujtimor në SolingenFotografi: F. Vincentz

20 vjet pas zjarrvënies nga neonazistët në Solingen më 29. Maj 1993, ku humbën jetën 5 turke nga mosha 4-27 vjeç, po organizohen shumë ceremoni përkujtimore kundër harresës kolektive e largimit të vëmendjes. Por nuk është harruar dhe lënë mënjanë "Solingeni"? A nuk janë rezultat i mungesës së vëmendjes ndaj rrezikut neonazist gabimet e bëra gjatë hetimeve për vrasjen e tetë turqve, një greku e një gjermaneje nga komandoja vrasëse (NSU) për një shtet të së drejtës si Gjermania?

Kush e di sot se kush është "grupi i sporteve luftarake Hofmann", kush e njeh  "vrasësin e turqve" në Nuremberg, sfondin e trazirave më të rënda të ekstremistëve të djathtë që nga fundi i Luftës së II Botërore në vitin 1991 në Hoyersverda, kush e kujton zjarrvënien në Mëln në 1992-n, ku dy vajza dhe turke dhe gjyshja u dogjën të gjalla? Vietnamezë, afrikanë, arabë, amerikanë që ranë në duart e neonazistëve me fat vetëm u lënduan, por i shpëtuan të gjallë bandave fashiste. Shumë u qëlluan apo u rrahën për vdekje, ose humbën jetën në situata misterioze, të ndodhur madje edhe në gjendje arresti.

Demonstratë kundër neonazistëve në Solingen (25.05)
Demonstratë kundër neonazistëve në Solingen (25.05)Fotografi: picture-alliance/dpa

Ekstremizmi i djathtë do luftuar

Gjermania nuk do të mund dhe nuk duhet të harrojë sundimin brutal nacionalsocialist, Holokaustin apo "Natën e Kristaltë" ( Nata e pogromit, 9. Nëntor 1938 ku u vu zjarri sinagogave. shën.red.) Opinioni ndërkombëtar me Izraelin në pararojë do të ndihmojnë në rast të boshllëqeve të kujtesës. Po ashtu nuk duhet harruar Hoyersverda, Rostoku, Mëlni dhe Solingeni. Gjermanët kanë përgjegjësinë t'i kundërvihen përshtypjes që po përhapet se "imazhi i hebrejve armiq po zëvendësohet me atë të myslimanëve", siç ka konstatuar studiuesi i njohur i ekstremizmit të djathtë, Wolfgang Benz.

Është përgjegjësia e një shteti demokratik të së drejtës të mbrohet kundër ripërtëritjes së fashizmit, kjo sidomos kur fillimet e tij u injoruan. Kujtojmë se që në fillimin e viteve 80-të, statistikat bënë të ditura shifra të larta të dhunës së ekstremizmit të djathtë - me më shumë se 1.500 trazira dhe akte penale në vit. Institucioni i Mbrojtjes Kushtetuese, policia, dhe autoritetet hetimore, që duhet të mbuloheshin nga turpi për dështimin kolektiv në hetimet për krimet e komandos vrasëse, asokohe bënin fjalë "për bomba me sahat", që ishin në gjendje "të krijonin papritur dhunë".

Baha Güngör komenton
Baha Güngör komentonFotografi: DW / Baha Güngör

Tolerancë zero kundër racizmit

Ceremonitë përkujtimore për Solingenin si gjithmonë do t'u ofrojnë një platformë vetëprezantuese partive politike, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, etnike, bashkive e komunave. Ato do të gjejnë fjalë goditëse për të shprehur indinjatën ndaj atentateve të tilla antinjerëzore dhe do t'i lexojnë fjalimet e tyre para mikrofonëve. Por fjalimet nuk e zhdukin rrezikun e atentateve ekstremiste.

Urgjente dhe më e nevojshme është që të ndërmerren hapa konkretë. Këtu bën pjesë edhe mostrajtimi i Konferencës Gjermane të Islamit si një organizëm i mbrojtjes nga terrorizmi. Duhet bërë realitet pikëpjekja e dy kulturave dhe feve në të njëjtin nivel. Kjo do të arrihej sikur të hiqej dorë në fushata nga lojërat e fjalëve antiislamike, si edhe nga debatet polarizuese për azilin dhe imigrimin. Dhe asnjë akt racist, sado që të duket i parëndësishëm nuk duhet fshehur nën rrogoz.

Vetëm dëshira? Po! Është dëshira e shumë njerëzve në Gjermani që të mos përsëriten kurrë Hoyersverda, Rostoku, Mëlni, Solingeni si edhe akte të tjera të dhunshme kundër njerëzve me prejardhje tjetër kulturore dhe fetare. Sepse të gjithë ne pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, nga emri dhe feja jemi të gjithë të ulur në një varkë, ku nuk ka vend as majtas e as djathtas për qëndrime ekstremiste. Ndryshe Gjermania bie ndesh me bindjen e saj si shtet  së drejtës, në të cilin të gjithë kanë të njëjtat të drejta, e ku forca e të cilit nuk duhet përdorur në mënyrë të njëanshme kundër emigrantëve dhe islamit.