1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kukan: Politikanë të Shqipërisë mendoni më shumë për vendin, jo për interesat personale

17 Shkurt 2011

Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian për Europën Jug-Lindore në intervistë për DW shprehet se mosarritja e një zgjidhjeje të shpejtë politike vë në rrezik perspektivën europiane të vendit.

https://p.dw.com/p/10IQi
Eduard Kukan në intervistë ekskluzive për DWFotografi: DW

DW: Parlamenti Europian i kushtoi këtë javë një seancë të posaçme debati situatës politike në Shqipëri. Çfarë u ofrohet drejtuesve politikë të Tiranës për të dalë nga kriza politike dhe ecur drejt rrugës europiane?

Eduard Kukan: Për të vazhduar rrugën e saj europiane Shqipëria duhet të gjejë një zgjidhje politike për të dalë nga kriza, nga ajo që ne e shohim si një bllokim politik. Parlamenti Europian në debatin e tij, në mbrëmjen e pardjeshme, më 15 shkurt, i bëri thirrje elitës politike të Shqipërisë të ketë parasysh interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të mos rrezikojë perspektivën e anëtarësimit në BE. Komisioneri i Zgjerimit Stefan Fuele, në fjalën e tij në PE, paraqiti hapat që duhet të ndërmerren nga politikanët shqiptarë për t' iu rikthyer kësaj perspektive. Mendoj se ky debat në PE ishte pozitiv, konstruktiv, pasi të gjithë europarlamentarët shprehën mbështetje të plotë për veprimet e Komisionit Europian. Shkurt, mund të them që debati në PE tregoi interesin e europarlamentarëve për të ndihmuar partitë politike në Shqipëri për të gjetur një zgjidhje politike të krizës.

Por në të njëjtën kohë është e nevojshme që drejtuesit politikë të Shqipërisë të gjejnë mënyrën sesi të veprojnë. Në krye tani qëndrojnë zgjedhjet e ardhshme lokale të 8 majit, organizimi dhe zhvillimi i tyre në atë mënyrë që ato të plotësojnë kriteret demokratike europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që rezultati i tyre të mos vihet në dyshim. Prandaj është e domosdoshme që në Kodin Elektoral të Shqipërisë të plotësohen të gjitha sugjerimet, gjithsej 31, të OSBE/ ODIHR-it. Nisur nga koha e shkurtër që ka mbetur, duhet punuar shpejt për t' i realizuar ato brenda afatit kohor për datën e caktuar të zgjedhjeve lokale me 8 maj.

DW: Z. Kukan, ju përmendët citoj ”veprime të duhura” nga drejtuesit politikë te Tiranës. A mund të thoni, ju lutem, se cilat janë ato? Çfarë garancish jep PE dhe KE për realizimin e tyre?

Eduard Kukan: Komisioneri Füle paraqiti në Parlamentin Europian hapat e nevojshme konkrete që duhet të ndërmerren nga kryeministri Berisha dhe lideri i opozitës, z. Rama. Është fjala për një program masash që Komisioni Europian kërkon të negociojë me drejtuesit politikë të Tiranës. Kryesoret: funksionimi i institucioneve demokratike, hetimi i pavarur për ngjarjet e 21 janarit dhe zgjedhje të ndershme dhe të lira lokale PE po e mbështet plotësisht KE në këtë ndërmarrje. Ky është një moment i ri, kur institucionet europiane po veprojnë të bashkuara, flasin të njëjtën gjuhë, dërgojnë të njëjtin mesazh politik. Mendoj se kjo është garancia për daljen nga kriza politike.

Ndërkohë që kemi vënë në përdorim edhe një instrument tjetër: Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv për Marrëdhëniet me Jashtë në Komisionin Europian, Z. Lajcak, i cili në negociatat me drejtuesit politikë të Tiranës, ka një mandat shumë të fortë nga Baronesha Catherine Ashton dhe po kështu edhe nga PE. Mendoj se situata në Shqipëri është krejt e veçantë, e re dhe prandaj edhe përgjigja e institucioneve europiane është shumë, shumë më e fuqishme ndaj saj. Drejtuesit politikë të Shqipërisë duhet ta kuptojnë mesazhin tonë: Shqipërinë e duam në BE por tensionet dhe konfliktet nuk i shërbejnë këtij qëllimi. Nëse drejtuesit politikë të Tiranës duan që Shqipëria të bëhet anëtare e BE atëhere ata duhet të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe në interes të vendit.

DW: Z. Kukan, nesër opozita e bashkuar e drejtuar nga PS do të rifillojë demostratat përballë Kryeministrisë. Ndërkohë që puna për përgatitjen e zgjedhjeve lokale duket e bllokuar, opozita nuk dërgon emrat e komisionerëve të saj për komisionet zgjedhore, afatet kanë skaduar prej kohësh. Komenti juaj?

Eduard Kukan: Dialogu politik duhet të zhvillohet në institucione, që janë të zgjedhura në mënyrë demokratike, pra në Parlament dhe jo në rrugë apo në vende të tjera. Kjo është tepër e rëndësishme. Sa për zgjedhjet lokale, lideri i opozitës Rama është shprehur në Strasburg se është i gatshëm të marrë pjesë në to. Le të shohin sesi do të zhvillohet situata pasi vërtet ka afate që duhen respektuar në përputhje me Kodin Elektoral. Por po theksoj përsëri: mënyra sesi do të organizohen dhe zhvillohen zgjedhjet lokale është një tregues shumë i rëndësishëm për progresin e Shqipërisë drejt perspektivës europiane.

DW: Pse mendoni që tani drejtuesit politikë të Tiranës do ta realizojnë zgjidhjen e munguar politike që prej dy vitesh, gjatë të cilave kriza ka ardhur duke u thelluar? Çfarë presioni mund të bëjë PE apo KE?

Eduard Kukan: Ata, politikanët, janë të vetmit që duhet të arrijnë një zgjidhje politike të krizës, as PE as KE. Nëse ata nuk e arrijnë këtë kjo do të jetë shumë keq për vendin. Mesazhi ynë është: Politikanë të Shqipërisë mendoni më shumë për vendin dhe popullin dhe jo për interesat personale. Ky është prioriteti kryesor, më i fuqishëm dhe i rëndësishëm se çdo lloj prioriteti që ata mund të kenë. Ky mesazh do të vijë duke u forcuar nga institucionet europiane që janë të unifikuara në qëlllimin e tyre.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi