1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kukan: Ne jemi gati t'ju japim mbështetje

Arben Muka / Tiranë24 Qershor 2013

Prania e delegacionit të Parlamentit Evropian në Tiranë ishte shenjë për të nxitur partitë dhe protagonistët në proces për zhvillimin e zgjedhjeve sipas stadardeve europiane, tha Eduard Kukan.

https://p.dw.com/p/18v5K
Eduard KukanFotografi: DW/Arben Muka

Një ditë pas mbylljes së kutive të votimit kryetari i delegacioni ad-hoc të Parlamentit Europian, Eduard Kukan, ka zhvilluar kontakte pune me dy liderët kryesorë, kryeministrin Sali Berisha, shefin e opozitës Edi Rama, me përfaqësues të KQZ, ndërkohë që është takuar dhe me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Para se ai të kthehej në Bruksel ka shprehur qëndrimin se prezenca e delegacionit me përbërje të ndryshme politike e Parlamentit Europian nuk kishte synim rolin e vëzhgimit të zgjedhjeve, por si një shenjë për të nxitur partitë dhe protagonistët në proces për zhvillimin e zgjedhjeve sipas stadardeve europiane.

Kukan: Ne jemi gati t'ju japim mbështetje

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën e lidhi procesin me ambicien e vendit për integrimin në BE. Kukan iu drejtua liderëve politikë si përgjegjësit kryesorë në mbarëvajtjen e votimeve, të numërimit të votave dhe shpalljes se rezultateve. Ai përshkroi ditën e dielë si të qetë dhe pa probleme, veç rastit të Laçit, ku mbeti një i vrarë, aktivist i opozitës, së majtë, ndërkohë që u plagos dhe një kandidat për deputet nga mazhoranca e djathtë. “Nëse procesi mbyllet me sukses, atëherë kjo është një fitore për Shqipërinë dhe besoj se do të jetë një shtysë e fortë për integrimin. Ne jemi gati t'ju japim mbështetje. Eshtë përgjegjësi e liderëve politikë për këtë mbarëvajtje të procesit zgjedhor, këto zgjedhje janë vendimtare për vendin. Eshtë fitore për Shqipërinë , për integrimin e saj në BE dhe Evropë, për të ardhmen evropiane”- deklaroi të hënën në mesditë në Tiranë Eduard Kukan.

Logo ODIHR

Rreth 500 vëzhgues kanë ndjekur procesin zgjedhor

Ky është prononcimi i parë që vjen nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar që me mandat afatshkurtër dhe afatgjatë ndjekin nga afër votimet parlamentare 2013 në Shqipëri. Ajo që pritet me shumë interes nga opinioni publik dhe subjektet konkurrese në këto zgjedhje është raporti paraprak i ekipit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it që është parlajmëruar për të hënën pasdite. Raporti pritet të ketë një vlerësim mbi aspekte të veçanta të procesit zgjedhor, si ecuria e fushatës elektorale, dita e votimeve apo procesi aktual i numërimit të votave dhe shpallja e rezultateteve nga ana e komisioneve zonale të administrimit zgjedhor. Raporti paraprak që do të pasohet dhe me raporte të tjera ka si pjesë të rëndësishme dhe rekomandimet për përmirësimin dhe rritjen e standardeve zgjedhore në Shqipëri.

Për të ndjekur procesin në Shqipëri u akredituan pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rreth 500 vëzhgues mes tyre 50 janë për një mandat afatgjatë.