1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kundër censurës, për një diskutim të hapur"

2 Nëntor 2016

Kundër thjeshtëzimeve dhe zbukurimit të së kaluarës nevojitet një diskurs i hapur.

https://p.dw.com/p/2S33x
Der deutsch-bulgarische Schriftsteller Ilija Trojanow
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Zucchi

Deutsche Welle: Aktualisht ju po prezantoni në Bullgari romanin tuaj të ri "Pushtet dhe rezistencë" (botimi gjerman në 2015), në të cilin bëhet fjalë për të kaluarën komuniste të vendit. A vazhdon të jetë ende aktuale tema në Bullgari? A është vendi edhe më tej i ndikuar prej kësaj të kaluare?

Ilija Trojanov: Kjo temë është aktuale jo vetëm për Bullgarinë, por është temë vendimtare për të gjitha vendet e ish-bllokut lindor. Vitet e fundit ne po kalojmë shumë kohë për të diskutuar politikën ruse. Dhe regjimi rus, të gjitha zhvendosjet në këtë vend, lidhen direkt me të kaluarën komuniste dhe me të ashtuquajturat kohë të kthesave. Kur flas me kolegët, qofshin ata nga Hungaria apo Polonia, ne konstatojmë se ekzistojnë pafundësisht shumë të përbashkëta dhe se kjo plagë e hapur është edhe më tej një tipar me ndikim të madh, mbase edhe është edhe një tipar qendror, ekzistencial i këtyre shoqërive.

Ju përmendët Poloninë dhe Hungarinë. A lidhet rinacionalizimi i ndjeshëm i politikës në shtetët postkomuniste si në Poloni dhe Hungari edhe me të kaluarën komuniste?

Rinacionalizimi është një formulim gati i thjeshtëzuar. Duhet kuptuar se kemi të bëjmë me një revokim të përparimeve në shoqërinë civile dhe të përparimeve demokratike. Kjo natyrisht ka të bëjë me faktin se populli nuk ka një tablo të qartë të shkretimeve dhe shkatërrimeve të pabesueshme të një diktature. Po ta zbukurosh diktataturën e shkuar, atëherë është shumë më e lehtë të rrëshkasësh në një diktaturë të re. Dhe unë besoj se kjo busulla "Lindje-Perëndim" dhe "majtas-djathtas" nuk na ndihmon fare këtu. Por ajo që ka rëndësi është se në ç'masë merr pjesë në demokraci populli, sa janë të ngulitura instinktet e njerëzve për liri dhe për drejtësi sociale dhe në ç'masë mbizotërojnë fryma e nënshtetasit dhe apatia. Kjo e fundit natyrisht ka të bëjë me faktin se ekzistojnë struktura të sklerotizuara, të cilat në fakt përshkruajnë një vazhdimësi që prej vitit 1945 deri sot. 

Pra, nga pikëpamja juaj, busulla bipolare nuk funksionon më?

Kur punon vetë si publicist, të duhet të konstatosh se ky i menduar në dikotomi është theksuar më shumë. Por natyrisht po t'i besojmë diçkaje si shprehja e lirë e mendimit, natyrisht që duhet t'i besojmë një gjëje të tillë si pluralizmi dhe argumentimi i diferencuar. Dhe kur të duhet të konstatosh se në mendimin publik mbizotërojnë ata që veprojnë me paraqitje tepër të thjeshtëzuara, atëherë mendimi publik në vetvete si vend diskursiv demokratik është në rrezik.

Çfarë roli mund të luajnë në këtë sfond mediet perëndimore - edhe DW - në këtë situatë krize edhe për Evropën?

Ajo që na nevojitet në mënyrë të pabesueshme - tani më shumë se kurrë - janë forumet, sipërfaqet e hapura të diskutimit. Kur flas me kolegë nga këto vende, unë dëgjoj herë pas here që ekziston një censurë direkte ose indirekte, e cila natyrisht i pakëson mundësitë për ta thënë atë që do të thuash. Shumë tema në këto vende gjithashtu shpallen tabu.  Për shembull, në Rusi e kaluara komuniste është shpallur krejtësisht tabu, tani kemi një rikthim të figurave nacionale si Stalini. Edhe në Turqi nuk kemi fare një përballje kritike me të kaluarën vetjake perandorake.  Para pak kohësh, Erdogani madje publikoi një hartë të "Turqisë së Madhe", e cila përfshin jo vetëm Mosulin, por edhe pjesë të gjëra të Evropës. Të gjitha këto janë projektime dhe ambicie nacionaliste, të cilat lidhen shumë ngushtë me faktin se çfarrë narrative, tregim historik përcjell. Duke qenë që në këto vende ka gjithnjë e më shumë një narrative, një tregim të ngjarjeve të urdhëruar nga shteti, natyrisht që kjo mund të minohet nga medie të vendeve të tjera.

Ilija Trojanov (51) është shkrimtar gjerman me prejardhje bullgare. Familja e tij u arratis në 1971 nga Bullgaria në Gjermani, ku mori azil politik. I njohur në të gjithë botën ai u bë në vitin 2006 me romanin e tij "Mbledhësi i botëve". Sot Trojanovi jeton në Kep të Afrikës së Jugut.