1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur hebrejtë luftuan kundër nazistëve

Rosalia romaniec/Angjelina Verbica19 Prill 2013

Me 19 prill 1943 filloi kryengritja e hebrejve kundër nazistëve. Në geton e Varshavës qindra hebrej bënë rezistencë. Me rastin e 70 vjetorit hapet muzeu i historise se hebrejve polakë.

https://p.dw.com/p/18JKY
Arrestim i kryengritësve
Arrestim i kryengritësveFotografi: Keystone/Getty Images

Ajo sapo kishte mbushur 11 vjeç, kur u bë dëshmitare e kryengritjes në geton e Varshavës. Krystyna Budnicka nuk i pa luftimet me sytë e saj, por i ndjeu ato në trup. "Mbi ne gjithçka digjej, prandaj toka në bunker ishte bërë aq e nxehtë, saqë na duhej vazhdimisht të shkonim të kanalizimet për t'u flladitur", tregon ajo. Ditë me rradhë shkonim sa andej këndej në tunelin e vogël dhe të pisët, nga ku dikur filluan të dilnin kufoma", thotë Budnicka. "Kur gjermanët vunë re se kanalet përdoreshin si rrugë për të shpëtuar, ata nisën të qëllonin, kur shikonin ndonjë kokë që dilte nga pusetat."

Krystyna Budnicka lindi me emrin Hena Kuczer dhe ishte më e vogla e tetë fëmijëve. Dy vëllezërit e saj më të mëdhenj u transportuan në vitin 1942 në dhomat e gazit në Treblinka në deportacionet e mëdha. Babai i saj, që ishte marangoz, vendosi të mos vështrojë duarlidhur. "Së bashku me djemtë, që i kishin mbetur, ai filloi të ndërtojë një bunker poshtë bodrumit të shtëpisë sonë", rrefën 81-vjeçarja e sotme. Aty familja e fsheh në fillim të vitit 1943. Bunkeri ishte i lidhur me kanalizimet përmes një  tuneli dhe kishte fillimisht edhe uji dhe rryme. Familja shpresonte, që një ditë të mund të arratisej përmes kanaleve.

Krystyna Budnicka Überlebende des Warschauer Ghettos Ort: Warschau Zeit: 28.03.2013 DW/Rosalia Romaniec, Polnisch
Krystyna Budnicka e mbijetuar e getos se VarshavesFotografi: DW/R. Romaniec

Një luftë për dinjitetin njerëzor

Budnicka kishte gjashtë vëllezër. Kur dy prej tyre u deportuan, djemtë e tjerë u kujdesën për familjen. Shpesh ata dilnin jashtë nga bunkeri, mbështesnin kryengritjen dhe sillnin diçka për të ngrënë. Një ditë dy prej vëllezërve dolën në momentin jo të duhur nga kanali dhe u vranë. Për kryengritësit Budnicka thotë: "Ata jetonin më pak për jetën e tyre dhe më shumë për dinjitetin e të gjithë neve. Gjermanët donin të na mohonin ne hebrejve të qënit njëri. Kjo kryengritje tregoi, se ata nuk ia dolën."

Getoja e Varshavës u krijua në vitin 1940 në lagjen hebreje të qytetit. Para valës së deportimeve në kampet e përqëndrimit në vitin 1942 atje letonin deri në 400.000 hebrej, më vonë në territorin e rrethuar me mure mbetën afro 60.000 vetë. Në fillim të vitit 1943 Heinrich Himmler urdhëroi shpërbërjen përfundimtare të getos. Deri në atë moment shumica e hebrejve e kundërshtonin rezistencën e armatosur, edhe për arsye fetare. Por kur do të nisnin deportacionet e fundit masive, qindra hebrej të rinj vendosën që të luftonin.

Pamje nga dritarja e muzeut mbi monumentin e kryengritjes
Pamje nga dritarja e muzeut mbi monumentin e kryengritjesFotografi: DW/R. Romaniec

"Ata donin të vendosnin vetë,  se si do të vdisnin."

Me 19 prill 1943 njësitë gjermane hasën në një rezistencë të papritur. Të rinjtë e dinin se nuk kishte perspektivë për to, sepse mungonin armët, ushqimi dhe ndihma. Por ata rezistonin prej javësh, bënin një luftë të pamposhtuar. Kur gjermanët rrethuan në fillim të majit bunkerin e kryengritësve, ata bënë vetëvrasje kolektive. "Ata donin të vendosnin vetë, se si të vdisnin", thotë Zygmunt Stępiński, drejtor i muzeut të ri të historisë së hebrejve polakë në Varshavë. Ai deklaron, se vdekja e tyre është një manifest politik. "Ata donin të tregonin se hebrejtë mund të mbrohen dhe ata kanë organizuar kryengritjen e parë fare kundër nazistëve", thotë Stępiński. Edhe Krystyna Budnicka thotë se lufta ka qenë një simbol i rëndësishëm edhe për të tjerët.

Një bilanc tmerri

Shumë pak mbijetuan, si njëmbëdhjetëvjeçarja Krystyna Budnicka. Nëntë muaj kaloi ajo me familjen e saj në bunker. Në shtator 1943 vëllai i saj Rafał organizoi me organizatën ilegale polake Zegota, që shpëtoi shumë hebrej nga shfarosja, ndihmë për familijen.

Fillimisht Krystyna dhe vëllai i saj i vogël ikën përmes kanalit, pas tij duhet të vinin prindërit dhe një motër. Por prindërit ishin shumë të sëmurë, për të dalë me forcat e veta nga vendi, ku ishin fshehur. Prandaj ata qëndruan fillimisht në kanal, e donin të vinin më vonë. Vajza e dytë vendosi të qëndrojë me prindërit. Por një përpjekje tjetër shpëtimi nuk qe e mundur. Ata vdiqen aty, ku ishin fshehur. Familje të ndryshme polake e fshehën deri në fund të luftës vogëlushen Hena Kuczer. Prej njërës nga këto familje ajo mori emrin Krystyna Budnicka. Ashtu quhet deri sot. Ajo është e vetmja prej familjes së saj dhjetëanëtarëshe, që e ka mbijetuar luftën.

Polakët dhe hebrejtë – një marrëdhënie e heshtur

Deri tani Krystyna Budnicka çdo vit me 19 prill ka përkujtuar kryengritjen e getos së Varshavës me një grup të vogël njerëzish në monumentin për heronjtë e kryengritjes. Ajo ndez një qiri, fundja nuk ka varr, ku mund të shkojë për të përkujtuar familjen. Këtë vit është 70 vjetori, me ç'rast janë planifikuar aktiviteteve të mëdha përkujtimore. Në fakt Budnicka nuk i ka qejf ceremonitë zyrtare, por vëmendja për viktimat e getos e mbush atë me kënaqësi.

Krystyna Budnicka shikon atje, ku dikur ka qenë lagja hebreje
Krystyna Budnicka shikon atje, ku dikur ka qenë lagja hebrejeFotografi: DW/R. Romaniec