1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur humbësit dhe fituesit t'i japin dorën njëri-tjetrit pas zgjedhjeve

Lindita Arapi6 Qershor 2013

Deputeti kristiandemokrat, Roderich Kiesewetter, raportues për Shqipërinë në komisionin e jashtëm parlamentar gjerman mbi zhvillimet parazgjedhore në Shqipëri dhe shpresën për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

https://p.dw.com/p/18l3B
Roderich KiesewetterFotografi: Deutscher Bundestag

DW: Zoti Kiesewetter fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare 2013 në Shqipëri është në pikun e saj. Këto zgjedhje konsiderohen si test shumë i rëndësishëm për të ardhmen e integrimit në BE. Çfarë pret Gjermania nga politika shqiptare?

Kiesewetter: Fillimisht dua të them se jam shumë optimist që ecuria e zgjedhjeve parlamentare këtë herë në Shqipëri do të jetë pozitive. Mendoj se të gjitha partitë politike që konkurrojnë për të qenë pjesë e parlamentit kanë një interes të madh që zgjedhjet këtë vit të jenë të ndershme dhe transparente, dhe nuk kam dyshim që kështu do të ndodhë. Por pas kësaj duhet filluar pa vonesë nga puna. Funktionaliteti i parlamentit, administrata publike, shteti i së drejtës, luftimi i korrupsionit, por edhe luftë intensive kundër kriminalitetit të organizuar duhet të jetë në interes të parlamentit dhe qeverisë së re. Ne kemi interes të madh që Shqipëria të marrë mundësisht shpejt statusin e vendit kandidat. Po qe se populli është i vetëdijshëm për këtë, por edhe parlamenti atëherë ndodhemi në rrugën e duhur.

Në Shqipëri deri më sot janë mbajtur vetëm zgjedhje të kontestuara. Shpresoni se këtë herë do të jetë më në fund ndryshe?

Po nuk mund të përfytyroj gjë tjetër veç asaj që vendi ka mësuar nga zgjedhjet e kaluara. Kam besim se kështu do të jetë, do të ishte për të ardhur keq nëse do të ndodhte ndryshe, sepse kjo do ta shtynte edhe më tej marrjen e statusit të vendit kandidat. Jam optimist që jo vetëm elektorati, por edhe personat përgjegjës për zhvillimin e procesit zgjedhor do të bëjnë ç'është e mundur që këto zgjedhje të jenë zgjedhje tërësisht të pranuara.

Por një pikë delikate këto zgjedhje e kanë që tani. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk punon me kapacitet të plotë. Kryetari i komisionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan e ka cilësuar KQZ-n të ligjshme, por që nuk funksionon ashtu siç duhet. Mund të kthehet kjo temë në bumerang pas zgjedhjeve?

Rreziku ekziston gjithmonë, por unë do të paralajmëroja nga vënia kaq herët e barrierave. Unë do të apeloja tek personat përgjegjës që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve - i kemi ende pak javë kohë deri më 23. Qershor - që KQZ të funksionojë me kapacitete të mjaftueshme. Nuk duhet të jetë thjesht një komision legal, legjitim, por ai duhet të jetë i aftë të funksionojë. Por kemi edhe pak kohë, dhe unë mbetem me besimin që në fund të triumfojë arsyeja.

Tonet politike në këtë fushatë zgjedhore megjithë konfrontimet apo fyerjet tipike për politikën shqiptare duken disi më të orientuara nga temat konkrete që prekin qytetarët si luftë kundër papunësisë apo futja e një takse progresive në rast të fitores së socialistëve. Do të thonit se politika shqiptare ka mësuar nga kriza e rëndë e dy viteve të fundit?

Mendoj se po. Të dhënat ekonomike janë disi më të mira se sa pritej, por më e rëndësishme se kjo është që vetë partitë e kanë kuptuar se sa i nevojshëm është një parlament funksionues. Besoj se nga krizat e kaluara janë nxjerrë mësime. Kam vetëm një shpresë që pas zgjedhjeve humbësit të mos merren me fajësime të palës tjetër, dhe që fituesit të përdorin tone pajtuese, që ata t'i japin dorën njëri-tjetrit. Atëherë shoh perspektiva shumë të mira që Shqipëria ka shanse më të mira për të marrë statusin e vendit kandidat se para një viti.

Javën e shkuar parlamenti miratoi tre ligjet e prapambetura që shiheshin si pengesa e fundit dhe që hapin rrugën për marrjen e statusit të vendit kandidat. Do të japë Gjermania tani dritën e gjelbër për Shqipërinë?

Kjo varet se si do të krijohet qeveria e re pas zgjedhjeve, nëse parlamenti i ri do të jetë funksional. Ne në Gjermani kemi vetë zgjedhje në shtator, kështu që nuk mund të flas për Bundestagun e ardhshëm, aq më pak për qeverinë e ardhshme gjermane. Por në parlamentin gjerman ka një simpati të madhe për të vlerësuar progresin e Shqipërisë - dhe po qe se zgjedhjet janë të mira dhe më pas qeveria e opozita e ardhshme bashkëpunojnë mirë me njëri-tjetrin atëherë nuk njoh argumenta të tjerë kundër.

Pra zgjedhjet-est janë pika nevralgjike e Shqipërisë...

Jo, testi më i rëndësishëm është një parlament funksional dhe një qeveri me besueshmëri dhe e fortë.

Megjithëse në Shqipëri ekziston ëndrra për integrimin në Bashkimin Europian, BE e ka refuzuar disa herë statusin kandidat duke ndëshkuar në fund të fundit qytetarët shqiptarë me këtë, apo u desh kështu një mësim i fortë për politikanët?

Nuk është fjala për ndëshkim, por thjesht për respektimin e kritereve, dhe kur këto kritere duhen përmbushur nga çdo vend, së fundmi nga Kroacia, nuk mund të bëhet asnjë përjashtim. Shqipëria e ka vetë në dorë statusin. Por mendoj se tani që është bërë më se e qartë se statusi kandidat vjen kur të përmbushen kriteret, është për këdo transparente dhe e kuptueshme se kjo është një zgjidhje e mirë. Kjo është kuptuar edhe në Shqipëri. Edhe nga udhëtimet e mia në Shqipëri e di se me sa seriozitet punohet nga parlamenti, nga kryetarja Topalli dhe jam i gëzuar që më fund opozita dhe qeveria veprojnë më pa emocione se para një viti. Po qe se kjo frymë vazhdon jam optimist për vjeshtën. Dua të theksoj se ne jemi konstruktivë, vetëm me kritikë nuk arrihet shumë.