1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur mbaron mbikqyrja e pavarësisë së Kosovës?

Bekim Shehu2 Maj 2011

Përfaqësuesit e zyrës civile ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës, thonë se mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë po i vjen fundi. Kjo do të ndodhë pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës i ndryshimeve kushtetuese.

https://p.dw.com/p/117XX
Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës
Atifete Jahjaga, presidente e KosovësFotografi: picture alliance/dpa

Pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës gradualisht po i vjen fundi. Këtë e pohojnë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, por edhe vet përfaqësuesit e Zyrës Civile Ndërkombëtare, mandati i të cilëve është mbikqyrja e pavarësisë së Kosovës, përkatësisht mbikqyrja e zbatimit të planit të Marti Ahtisarit. Ndonëse akoma nuk ka një datë të saktë, fundi i mbikqyrjes së pavarësisë nga prania ndërkombëtare sipas Prishtinës zyrtare, thuhet se do të ndodhë në kohën kur parlamenti i Kosovës të miratojë ndyshimet kushtetuese të cilat tashmë kanë nisur dhe duhet të përfundojnë brenda 12 muajve të ardhshëm. Kryetari i komisionit për ndryshimet kushtetuese, Arsim Bajrami, i tha DW, se në kushtetutën aktuale është një kaptinë e veçantë që quhet kaptina e dispozitave të tranzicionit dhe me ndryshimet kushtetuese kjo kaptinë pritet të hiqet nga Kushtetuta e Kosovës.

Pieter Feith
Pieter FeithFotografi: AP

“Askush nuk e ka ndërmend që ta përfundojë njëanshëm mbikqyrjen ndërkombëtare sepse mbikqyrja ndërkombëtare është në një konstelacion ndërkombëare, por ne e kemi idenë që të bartim kompetencat ekzekutive të pranisë ndërkombëtare te institucionet vendore. Nuk dëshirojmë të përsërisim praktikën e UNMIK-ut, ku UNMIK-u në vend së të përfundojë mandatin brenda tre vjetësh sa ishte menduar në konferencën në Rambuje, UNMIK-u faktikisht ende nuk e ka përmbyllur mandatin”, thotë Arsim Bajrami.

Përfaqësuesi civil ndërkombëtarë, Pieter Faith, nga ana e tij thotë se ndryshimet kushtetuese me të cilat po parashihet edhe fundi i mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës i takojnë Parlamentit dhe ai nuk do të ndikojë në të. “Rolit tim si përfaqësues civil ndërkombëtar është duke i ardhur fundi shpejtë. Unë shpresojë që një ditë do të vijë serish në mesin tuaj, por mandati im së shpejti do të marrë fund. Mendoj se kjo është gjëja e duhur për ta bërë, sepse mendoj se ndërkombëtarët nuk duhet të rrijnë në Kosovë asnjë minutë më shumë se sa është e nevojshme. Kosova është e juaja dhe ajo nuk i përket bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Peter Faith, gjate një ligjeratë para studentëve në Prishtinë.

Martti Ahtisaari
Martti AhtisaariFotografi: picture alliance / dpa

Kushtetuta aktuale e Kosovës është kryesisht mbi bazën e pakos së Marti Ahtisarit. Mirëpo, me ndryshimin e kushtetutës nuk nënkuptohet edhe fundi i zbatimit të pakos së Marti Ahtisarit. Kryetari i komisionit për ndryshime kushtetuese, Arsim Bajrami thotë se pakoja e Ahtisarit është çështje fundamentale politike, ndërsa për fundin e saj nevojitet një koncensus ndërkombëtar. “Ka ardhur koha që të rishqyrtohet, të studiohet dhe të shihet se në cilat segmente është konsumuar pakoja e Ahtisarit, duke filluar nga segmenet më vitale siç është decentralizimi dhe segmente të tjera dhe ngadalë Kosova ta marrë pavarësinë e plotë dhe si shtet i pavarur të rrugëtojë drejt Bashkimit Evropian”, thotë Arsim Bajrami.

Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008 ndërsa një numër shtetesh që e kanë njohur atë, përfshirë dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian themeluan grupin drejtues ndërkombëtar për Kosovën, për ta mbikqyrur pavarësinë. Megjithë ndryshimet kushtetuese që pritet të caktojnë një datë për fundin e mbikqyrjes së pavarësisë, është grupi drejtues ndërkombëtarë për Kosovën mekanizmi që do ta japë fjalën e fundit.

Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i KosovësFotografi: dapd