1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur "spiuni i kancelarit" rrëzoi Willy Brandt-in

Marie Todeskino / Elert Ajazaj18 Prill 2013

Rrjeti i spiunazhit i RDGJ-së në Republikën Federale ishte i organizuar mirë dhe eficient, ky është opinioni i përhapur. Mirëpo një biografi e re mbi "spiunin e kancelarit" Guillaume e hedh poshtë këtë mit.

https://p.dw.com/p/18IVD
Fotografi: AP

Është mbrëmja e 5 majit 1974. Kancelari është ulur pranë tryezës së punës në Venusberg në Bon dhe formulon: "Unë marr përsipër përgjegjësinë politike për pakujdesitë në lidhje me aferën agjenturore Guillaume dhe jap dorëheqjen nga posti i kancelarit." Letra i drejtohet presidentit Gustav Heinemann. Dy ditë më vonë Brandt merr dokumentin e tij të largimit.

Për shumë gjermanë kjo e martë maji ishte një ditë e zezë, sepse me politikën e tij ndaj Lindjes Willy Brandt-i përfaqësonte një epokë të re të paqes dhe të pajtimit në Evropë. Mirëpo dorëheqja shënonte edhe përfundimin e pjesës dramatike më të njohur me agjentë në historinë gjermane të pasluftës: Aferës Guillaume.

Sepse dhjetë ditë më parë, më 24 prill 1974, "spiuni i kancelarit" ishte arrestuar në banesën e tij në Bon. 18 vjet kishte jetuar i pazbuluar në Republikën Federale agjenti i RDGJ-së Günter Guillaume, duke arritur të ngjiste shkallët e karrierës deri në funksionin e drejtorit të zyrës së Willy Brandt-it. Një spiun gjermanolindor në qendrën e pushtetit politik të Gjermanisë Perëndimore: ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm për Ministrinë për Sigurinë e Shtetit të RDGJ-së, shkurt Stasi.

Willy Brandt dhe Günter Guillaume, prill 1974
Willy Brandt dhe Günter Guillaume, prill 1974Fotografi: picture-alliance/akg-images

Spiunazh i planifikuar në terma afatgjatë

Spiunazhi kishte sistem: "Rasti Guillaume përfaqëson spiunazhin Lindje-Perëndim, sepse ai tregon shumë mirë sesi infiltroheshin spiunët në Perëndim", thotë Eckard Michels. Historiani ka shkruar një biografi të re mbi "spiunin e kancelarit", e cila u botua në prill 2013. RDGJ-ja e ka planifikuar në mënyrë sistematike spiunazhin në Perëndim, shpjegon Michels: "Te Stasi mendohej në perspektiva afatgjata. Kjo do të thotë, janë transferuar ose janë rekrutuar njerëz, të cilët nuk kanë pasur ende pozicione interesante." Si në rastin Guillaume shpesh zgjaste me vite derisa një agjent arrinte një post të rëndësishëm.

Rreth 12.000 agjentë të Stasit kanë punuar ndërmjet 1949-s dhe 1989-s në Gjermaninë Perëndimore, përllogarit autoriteti gjerman përgjegjës për vlerësimin e dokumenteve të Stasit. Spiunët drejtoheshin prej administratës kryesore A, shkurt HVA, shërbimit informativ jashtë RDGJ-së. "HVA-ja ka qenë e ndarë në sektorë dhe drejtori. Çdo drejtori trajtonte si të thuash një rrymë politike, një grup social apo një institucion federal të Republikës Federale", përshkruan Michels.

Historiani Eckard Michels
Historiani Eckard MichelsFotografi: DW/M. Todeskino

Eckard Michels: Guillaume, der Spion [spiuni]. 416 faqe, Ch. Links Verlag [shtëpia botuese]; botimi I 2013 , 978-3861537083