1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190411 Wehrmacht Soldaten Mentalität

21 Prill 2011

Në librin "Ushtarë - protokolle betejash, vrasjesh dhe vdekjeje", dy studiues gjermanë analizojnë mentalitetin e ushtarëve dhe perceptimit për luftën. Libri bazohet në protokolle përgjimi të ushtarëve të Wehrmacht-it

https://p.dw.com/p/10zlM
Ushtarët kthehen në vrasës. Trupat e Wehrmachtit pas pushtimit të Lituanisë, 23. Mars 1939.Fotografi: picture-alliance / dpa

Kur historiani Sönke Neitzel ndeshet në vitin 2001 në arkivin kombëtar britanik me një stivë dosjesh thuajse të paprekura, me vështirësi e beson se çfarë mban në duar: protokolle përgjimesh të ushtarëve të Vehrmahtit, robër lufte të britanikëve. Pra regjistrime bisedash intime mes ushtarëve, të cilët nuk e dinin se një i tretë i dëgjonte dhe mbante shënim me hollësi. Britanikët dhe më pas edhe amerikanët shpresonin të përftonin kështu informacione sekrete të vlefshme për luftën. Por për magazina armësh, apo armë sekrete dëgjuan shumë pak. Në këmbim shumë informacione për përditshmërinë e luftës, për vrasjet. Gjithsej Sönke Neitzel gjen 150.000 protokolle përgjimi dhe vendos që së bashku me psikologun Harald Welzer ta përpunojë këtë material të rrallë.

Autori Sönke Neitzel.
Autori Sönke Neitzel.Fotografi: Petra A. Killick

"Kemi bërë kujdes që të mos bëjmë vlerësime normative, pasi donin të shkonin një hap më tutje. Pra nuk donim të ngjallnim vetëm indinjatë nën moton: 'Ajo çka ka ndodhur atëherë është e tmerrshme'. Ne donim të kuptonim, se si mendonin ata (ushtarët), pse ndodh kjo, duke e krahasuar edhe me të tashmen. Në këtë nivel shumë ende as që kanë depërtuar", thotë Neitzel.

Megjithatë dy studiuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre tronditen nga ajo, që lexojnë nga bisedat e ushtarëve. Në to ushtarët i tregojnë njëri-tjetrit sa kënaqësi u jepte vrasja, apo se sa gra kishin përdhunuar. Rrallë ka kundërshtime apo kritikë ndaj këtyre mburrjeve tronditëse. Sipas Harald Welzer, ato kanë qenë biseda normale për punën mes burrash. Por puna e tyre ishte lufta. Kur historiani Neitzel i tregon psikologut social Welzer për protokollet e përgjimit, edhe atij iu bë shpejt e qartë se çfarë materali unik kishin në duar. Ndryshe për mendimet dhe ndjenjat e ushtarëve mund të mësosh vetëm nga letrat nga fronti, apo kujtimet e tyre.

Autori Harald Welzer.
Autori Harald Welzer.Fotografi: Thomas Langreder

"Materiali, që përftohet nga ato burime, është shumë i kufizuar. Kur dikush i shkruan nënës në shtëpi, nuk i tregon se sa gra ka përdhunuar. Me materialin tonë mund t'i afroheshim shumë botës së brendshme të ushtarëve dhe kjo është në fakt një sensacion. Një material të tillë nuk e kemi as për luftërat e ditëve tona në Afganistan, apo gjetkë, pasi dialogë të tillë nuk disponohen dhe edhe sikur të ekzistonin, nuk do të bëheshin publike."

Pra në libër diskutohet rreth pyetjes së përgjithshme: çfarë mentaliteti kanë ushtarët, cili është perceptimi i tyre për luftën? Interesante sa i përket përmbajtjes së bisedave është se nuk ka ndryshime thelbësore mes origjinës, gradës së shërbimit, apo moshës. Të dy studiuesit janë të bindur se nga bisedat mes ushtarëve të Vermahtit mund të nxirren përfundime edhe për të gjitha luftërat e tjera. Një konkluzion tronditës, i cili tregon qartë se logjika e luftës i shpërfytyron ushtarët. Kështu në një protokoll përgjimi mund të lexosh:

Beschreibung: "Soldaten - Protokolle vom Kämpfen, Töten und Sterben", veröffentlicht im April 2011 im S.Fischer Verlag. Autoren sind Harald Welzer und Sönke Neitzel. Das Buch legt auf der Basis von Abhörprotokollen deutscher Soldaten in Kriegsgefangenschaft eine Mentalitätsgeschichte des Zweiten Weltkrieges und darüber hinaus vor.Hiermit erkläre ich, dass mir alle 3 Fotos vom SFischer Verlag kostenfrei für die Online-Berichterstattung zur Verfügung gestellt wurden. Copyright: S. Fischer Verlag
Buchcover HOCH Harald Welzer Sönke Neitzel Soldaten

(Citat nga libri) "Dita e parë m'u duk e tmerrshme. Atëherë thashë: ta marrë djalli, urdhri është urdhër. Ditën e dytë dhe të tretë mendova: punë e madhe, dhe ditën e katërt ndjeva kënaqësi."

Sigurisht në radhët e ushtarëve kishte edhe nacionalsocialistë të bindur, të cilët vrisnin hebrenjtë për shkak të bindjeve të tyre antisemite. Por kjo ishte pakica. Neitzel dhe Welzer shkojnë madje më tej me tezën e tyre: dhuna nacionalsocialiste nuk ka qenë më e fortë se llojet e tjera të dhunës. Përcaktuese për aktet kriminale nuk është edhe aq ideologjia, si për shembull ajo e nacionalsocializimit, se sa një sistem ushtarak vlerash, që i kthen burrat në vrasës.

"Nuk duhet të indinjohemi për atë, që ndodh në luftë, pasi ndodh në luftë. Në çdo luftë moderne ndodhin ato, për të cilat flasin këta ushtarë të Vermahtit. Indinjata është krejt e pavend. Në thelb ajo është hipokrite. Nëse duam të ndryshojmë diçka atëherë duhet të zhdukim luftën, ose vrasjen dhe pastaj duhen gjetur rregulla ndërshtetërore për konfliktet, të cilat deri tani nuk ekzistojnë."

Autor: Nadine Wojcik / Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica