1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurdët kundër "fashizmit të AKP-së"

Jan Walter11 Gusht 2015

"Jo luftës": Nën këtë moto disa mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në Këln. Zëdhënësit e demonstratës prokurde ushtruan kritikë masive kundër qeverisë turke duke e akuzuar hapur si mbështetëse të "Shtetit Islamik".

https://p.dw.com/p/1GCtD
Fotografi: DW/C. Bleiker

Gülistan Siverek tha fjalë të qarta në hapjen e mitingut të solidaritetit me kurdët: "Ne kërkojmë që askush të mos bëjë më dallim ndërmjet AKP dhe IS. Që të dy ndjekin të njëjtën ideologji",u tha bashkë-organizatorja demonstruesve në sheshin Ebertplatz në Këln.

Që AKP dhe IS duhen barazuar, tha Siverek më vonë në mikrofonin e DW, nuk është një çështje mendimi. Këtë e tregon qasja praktike e qeverisë turke: "Ushtria turke vret pa dallim njerëz në qytetet kurde." Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe IS kundër popullit kurd të jezidëve.

Abschlusskundgebung der Pro-Kurdischen-Demonstration in Köln
Fotografi: DW/J.D. Walter

Siverek shprehet ngjashëm si Figen Yüksekdag, bashkëkryetare e partisë prokurde HDP, e cila në zgjedhjet në qershor hyri papritur në parlamentin turk me 13 për qind. Në intervistë me DW ajo tha në mëngjesin para demonstratës: "Ka një afërsi strategjike dhe ideologjike ndërmjet qeverisë turke dhe IS". HDP ka dokumente dhe dëshmi të dëshmitarëve se qeveria turke e ka mbështetur IS me furnizime me armë.

Akuza kontroverse ndaj Turqisë

Akuza të tilla vijnë rregullisht nga zonat kurde. Edhe mediat turke kanë raportuar gjerësisht për mbështetjen e IS nga qeveria e AKP. Kështu për shembull luftëtarë të plagosur të IS janë shëruar në Turqi. Deri tani konsiderohet e padiskutueshme që qeveria turke e ka lënë milicinë terroriste të veprojë gjatë, duke ua refuzuar mbështetjen peshmergave kurde në luftën kundër IS. "Ato nuk duan, që kurdët e Sirisë të jenë fqinjët e tyre, por preferojnë kalifatin islamik", tha Yüksekdag në intervistë për DW.

Figen Yuksekdag, bashkëdrejtuese e HDP-së
Figen Yuksekdag, bashkëdrejtuese e HDP-sëFotografi: A. Altan/AFP/Getty Images

Edhe demonstruesi Veysi ngre akuza kundër qeverisë turke. Por ai nuk është i të njëjtit mendim me organisatoren Siverek, se "terrori racist i qeverisë së AKP-së" rrezikon të gjithë kurdët në Turqi: "Ah çfarë! Në Stamboll mund të thuash pa probleme se je kurd: Nuk duhet të prezantohesh si përkrahës i PKK-së."

Problemet më urgjente ai i sheh sidomos në rajonin kufitar turko-sirian, nga vjen edhe ai vetë. Atje ai ka parë se si ushtria turke mbështet të paktën në mënyrë indirekte IS kundër kurdëve "Ata e kanë mbyllur kufirin për kurdët, në mënyrë që luftëtarët në Kobanê të mos mund të marrin asnjë ndihmë nga Turqia." Kushëriri i tij ka luftuar në Kobanê kundër IS, thotë ai për DW, ndërsa ai del në rrugët në qendër të qytetit të Këlnit me 6000 protestues të tjerë. Por ai vetë nuk ështe "njeri i dhunës."

Nacionalistët turq provokojnë

Pak para se karvani i protestuesve të kalojë stacionin qendror hekurudhor të Këlnit, në një nga katet e sipërme të një shtëpie fqinje hapet një dritare. Një banor u bën demonstruesve me dorë një "përshëndetje ujku", shënja e ujqërve gri, nacionalistë turq, për të cilët thuhet se ushtrojnë dhunë raciste, edhe kundër kurdëve, madje edhe vrasje.

Kërkon maturi: Demonstruesi Veysi
Kërkon maturi: Demonstruesi VeysiFotografi: DW/J. Walter

Protestuesit ndalen, shumë demonstrues fillojnë të shajnë në drejtim të dritares, disa gjuajnë me objekte provokatorin. Veysi 21-vjeçar vetëm tund kokën. "Shumë të rinj këtu janë shumë të emocionuar dhe provokohen nga një gjë e tillë. Kjo është e pavend."

Që edhe në Gjermani ka ujq gri, nuk është e re për të, prandaj ai shpesh nuk e shpreh kërkesën e tij për një Kurdistan të pavarur. Por për përmbushjen e kësaj ëndrre ai shpreson. Më shumë vetëqeverisje dhe një fund i persekutimit në kufijtë ekzistues, do të ishin një fillim: "Hapi i parë do të ishte të pranonin se Kurdistani ekziston." Ndoshta njerëzit atje mund të zgjedhin dikur edhe qeverinë e tyre.

Zëri i dobët i Gjermanisë në Lindjen e Afërt

Fundja është në rradhë të parë Turqia, e cila do ta parandalojë një zhvillim të tillë - dhe kurdët nuk do të kishin fare mbështetje. Edhe qeverisë gjermane ai nuk i beson shumë në këtë çështje: "Ata janë po ashtu si Shtetet e Bashkuara të lidhur përmes NATO-s me Turqinë."

Pllakatë në demonstratën në Köln
Pllakatë në demonstratën në KölnFotografi: DW/J. Walter

Në fakt partnerët e NATO-s nuk kanë kritikuar seriozisht as veprimet e qeverisë turke kundër pozicioneve kurde, as mbështetjen indirekte të IS. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të përfaqësuesve të NATO-s menjëherë pas fillimit të goditjeve të ushtrisë turke, Uashingtoni pasoi retorikën e vetëmbrojtjes nga Ankaraja. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i siguroi solidaritet Turqisë në emër të të gjitha vendeve anëtare. Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje vetëm për përmbajtje në luftën kundër PKK.

Për organizatoren e demonstratës Siverek kjo është rruga e gabuar. "Ne kërkojmë nga Gjermania, që të ushtrojë ndikimin e saj në NATO dhe BE, për të çuar përpara procesin e paqes mes kurdëve dhe qeverisë turke." Por fillimisht në Gjermani, thotë ajo, natyrisht që duhej të pranohej se AKP zhvillon një luftë kundër kurdëve dhe jo kundër terrorit. Sepse IS-in ajo nuk e lufton. Dhe PKK nuk është organizatë terroriste.