1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush është burri i ri në Kremlin dhe çfarë mund të pritet nga ai?

Britta Kleymann7 Maj 2008

Presidenti i ri rus, Dimitrij Anatoljeviç Medvjedev, kandidati i preferuar i presidentit Putin, sot u zgjodh president i ri i Rusisë

https://p.dw.com/p/DuKC
Dueti i pandashëmFotografi: AP

Kanë kaluar dy muaj që prej mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Rusi - javë gjatë të cilave presidenti i ardhshëm rus kishte mjaft punë. Ende pa marrë përsipër drejtimin e vendit, Medvjedev i qëndroi në krah presidentit Putin duke takuar më të fuqishmit në botë: e para ishte kancelarja gjermane Angela Merkel e cila vetëm pak ditë pas përfundimit të zgjedhjes qëndroi për një vizitë zyrtare në Moskë.

Ajo u pasua nga presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe sekretarja amerikane e shtetit, Kondoleza Rajs si dhe presidentët e Japonisë, Izraelit dhe shumë vendeve të tjera të botës. Të gjithë ata shtruan pyetjen: Kush është burri i ri në Kremlin dhe çfarë mund të pritet nga ai?

Vazhdim i kursit të Putinit

Se në çfarë drejtimi do të shpjerë vendin presidenti i ri rus nuk ka mëdyshje. Qysh në dhjetor të vitit 2007 gjatë nominimit të tij për kandidat presidencial Medvjedev pat theksuar se: "E shoh të nevojshme që në mënyrë të vazhdueshme të ndjek kursin që ndoqi vendi ynë gjatë tetë viteve të kaluara, kurs të cilin vendi ynë e zgjodhi edhe për vitet e ardhshme. Ky kurs e ka mbrojtur vendin tonë si nga shkatërrimi ekonomik dhe social ashtu dhe nga lufta qytetare. Ky është kursi i presidentit Putin".

Russland Dmitri Medwedew Präsident im Interview mit Financial Times
Dimitri Medvedev vizitat e para zyrtare nuk do t'i bëjë në EvropëFotografi: AP

Dimitrij Medvjedev konsiderohet si njeri besnik i Vladimir Putinit dhe gëzon mbështetjen e tij të plotë. Të dy politikanët njihen që prej fillimit të viteve të 90-të me veprimtarinë e tyre në Shën Peterburg. Ishte Putini ai që në vitin 1999 e tërhoqi Medvjedevin në Moskë. Juristi Medvjedev drejtoi shtabin e Putinit gjatë fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale. Për hapat e ardhshëm në karrierë nuk u desh të pritet shumë: Dimitrij Medvjedev fillimisht zgjidhet kryetar i këshillit mbikqyrës në koncernin energjetik Gazprom, shef i shtabit në Kremlin dhe përfundimisht në nëntor të vitit 2005 zëvendëskryeministër i parë i qeverisë ruse. Në këtë funksion ai është përkujdesur në radhë të parë për projektet madhore në fushën e ndërtimtarisë, shëndetësisë e arsimit si dhe fushën e bujqësisë, të cilat janë përkrahur fuqishëm nga shteti për të ndikuar në përmirësimin e gjendjes sociale të popullsisë.

Putini ka besim tek pasardhësi i tij

Përvojat e vjelura në këtë post paraqesin bazë të mirë që ai të merret me detyra edhe më të mëdha. Për këtë janë të një mendjeje politikanët qeveritar e para së gjithash mentori i tij Vlladimir Putin: "Dimitrij Anatoljevic Medvjedev është absolutisht një njeri i sinqertë dhe i ndershëm. Ai ka punuar në shumë fusha të rëndësishme, të cilat nuk janë të thjeshta. Unë mund të them me përgjegjësi të plotë që prioritetet më të rëndësishme të Dimitrij Medvjedevit janë interesat e shtetit dhe qytetarëve të tij".

Se kur Medvjedev do të vizitoj për herë të parë Gjermaninë zyrtarisht nuk dihet ende. Megjithatë ai kohë që ka bërë publike se stacionet e para të udhëtimeve të tij jashtë shtetit do të jenë Kazakistani dhe Kina - Evropa mund të presë ende.