1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

280811 Gaddafis Geld

29 Gusht 2011

Kryengritësit kërkojnë me forcë dorëzimin e të ardhurave miliardëshe nga nafta të keqpërdorura prej Gaddafi-t. Por a është e udhës që paratë t'u lihen në dorë rebelëve? Ekspertët kanë mendime të ndryshme.

https://p.dw.com/p/12P5Q
Fotografi: dapd

Se sa miliarda para ka çuar jashtë vendit Gaddafi gjatë 42 vjetëve në pushtet, kjo asnjëherë nuk do të mund të sqarohet përfundimisht. Sipas përllogaritjeve mund të jenë 80 deri në 150 miliardë dollarë. Të paktën një pjesë e kësaj pasurie mund të gjendet dhe të pezullohet. Tani Këshilli Tranzitor i Libisë kërkon që këto para të kthehen në vend. Për Markus Kaim kjo është një kërkesë legjitime. Ai drejton grupin e studiuesve për sigurinë pranë fondacionit Shkenca dhe Politika. Por Kaim nuk mendon se mund të arrihet shumë, nëse paratë e Gaddafi-t paguhen tani shpejt:  „Mjetet financiare nuk janë në këtë moment më e rëndësishmja për rindërtimin e Libisë. Nga njëra anë në Libi kemi të bëjmë me një vend të pasur për shkak të burimeve natyrore të naftës dhe të gazit, nga ana tjetër shumë më të rëndësishme për rindërtimin në javët e ardhëshme janë dy kërkesa të tjera krejt të ndryshme, pikërisht vendosja e sigurisë dhe zhvillimi i institucioneve politike.“ 

Markus Kaim, ekspert pranë Fondacionit SHkenca dhe Politika në Berlin
Markus Kaim, ekspert pranë Fondacionit SHkenca dhe Politika në BerlinFotografi: SWP

Paratë nevojiten urgjentisht dhe ato i takojnë popullit

Krejt ndryshe mendon Hamadi El-Aouni, docent për Politikë dhe Shkencë në "Freie Universität" të Berlinit. Sipas tij paratë e Gaddafi-t prej kohësh duhej t' i kishin kaluar qeverisë së tranzicionit: „Këshilli i Tranzicionit prej kohësh ka pasur nevojë për para. Ka pasur vështirësi për të paguar nëpunësit dhe punëtorët, për financimin e kostove për furnizme të nevojshme etj. Pra unë mendoj, se kjo duhet të vihet në lëvizje sa më shpejt dhe pa pengesa.“ 

Paratë duhet të vihen sa më shpejt të jetë e mundur në dispozicion për ndihmat, vëren më tej El Aouni: „Libia vuan nga mungesa e aparaturave mjekësore, furnizimi mjekësor, madje ka mungesa edhe në personel dhe mungojnë medikamentet. Spitalet e Libisë duhet të furnizohen me gjithçka të domosdoshme, kjo duhet bërë sa më parë.“

Hamadi El-Aouni, docent për Politikë dhe Shkencë në Frei Universität të Berlinit
Hamadi El-Aouni, docent për Politikë dhe Shkencë në Frei Universität të Berlinit

Qeveritë në botën e jashtme kanë interesat e tyre

Deri tani OKB-ja ka liruar 1,5 milirdë dollarë nga pasuria e Gaddafi-t. Këto para ishin pezulluar më parë në SHBA. Edhe Italia ka deklaruar ndërkohë, se do t'u verë rebelëve në dispozicion  sa më shpejt të jetë e mundur 350 milionë euro. Por kjo nuk bëhet pa qëllim, vëren Markus Kaim nga fondacioni i Berlinit Shkenca dhe Politika: „Në rastin e Italisë apo të qeverive të tjera qëllimi është në radhë të parë, që të armatosen për ditën e orës zero në Libi, sepse shumë kontrata këtej e tutje duhet të negociohen nga e para.  Këto kontrata kanë të bëjnë pikërisht me sektorin e nxjerrjes së naftës dhe gazit në Libi, ku me të drejtë qeveritë shpresojnë, që firmat e naftës të vendeve të tyre të jenë pjesë e këtyre marrëveshjeve.“ 

Përse ngurron BE-ja

Në të kundërt BE-ja deri tani vazhdon të jetë e ngurtë me lirimin e miliardave të Gaddafi-t. Se përse këtë e shpjegon Joachim Hörster, anëtar i Komisionit të Jashtëm parlamentar dhe ekspert për Lindjen e Mesme në Bundestag (parlamenti gjerman): „Mund të jetë, që vërtetë në sektorë të caktuar janë të nevojshme paratë, si p.sh. për të garantuar ushqimin e popullsisë, për të blerë ushqime, e ndoshta edhe për të vënë në dispozicion energjinë. Por pika kyçe që duhet sqaruar është në fakt, nëse ka në Libi institucione, të cilat mund t'i përdorin si duhet paratë. Kësaj i duhet dhënë fillimisht përgjigje, e më pas duhet parë e duhet bërë.“

Brenda BE-së ndërkohë po verifikohet, nëse vërtetë mund t'u lihen paratë me ndërgjegje të qetë rebelëve në dorë. Këtë argument nuk do ta pranojë Hamadi El-Aouni, sepse tek e fundit, sipas studiuesit të politikës, paratë i përkasin popullit libian: „Duke përjashtuar disa shtete afrikane Këshilli Kombëtar i Tranzicionit është pranuar si i vetmi përfaqësues legjitim i popullit libian në mbarë botën, ndaj popullit i takon kjo e drejtë. Ajo që mund të bëhet është, që këto para të mos administrohen vetëm prej Këshillit të Tranzicionit, por ndoshta edhe nga një komision i OKB-së, detyra e të cilit do të ishte, të mbikqyrë shpenzimet dhe administrimin e këtyre parave.“

Sa realiste është mbikqyrja ndërkombëtare e parasë në Libi?

Shefi i Këshillit të Tranzicionit në Libi Mustafa Abdul Xhalil
Shefi i Këshillit të Tranzicionit në Libi Mustafa Abdul XhalilFotografi: picture alliance / dpa

Parlamentari gjerman Joachim Hörster është skeptik: „Jo, qeveria do të ishte e mbingarkuar, edhe sikur aleatët e NATO-s të flisnin tani për rindërtimin e Libisë me një gjuhë dhe të kujdeseshin që të vepronin me procedura të miratuara, as në një rast të tillë nuk mund të garantohet, që paraja gjithmonë do të shkojë në vendin e duhur.“

Markus Kaim ka dyshim, nëse do të mund të kishte efekt një strukturë ndërkombëtare mbikqyrëse: „Me të drejtë libianët do të tërheqin vëmendjen, se ata e kanë bërë dhe fituar vetë revolucionin dhe nuk do të duan ndoshta t'i nënshtrohen asnjë diktati perëndimor, duke hapur dosjet e llogarive të tyre dhe duke iu nënshtruar mekanizmave të kontrollit. E përse duhet ta bëjnë ata këtë?“

Pikërisht për këtë arsye edhe shumë qeveri duan të presin ende me pagesat e parave. Të paktën derisa të mbulohen pagesat e OKB-së. Këtë qëndrim ka edhe qeveria gjermane. Me të drejtë, siç argumenton edhe deputeti kristiandemokrat Joachim Hörster: „Sigurisht do të ishte e drejtë, nëse do të kishte një rezolutë të OKB-së, sepse atëherë padyshim do të ishte e qartë, që në përputhje me të drejtën ndërkombëtare paratë duhej t'i  jepeshin udhëheqjes së re të Libisë. Në rast të kundërt një gjë e tillë do të ishte e dyshimtë. Ndaj unë kam mirëkuptim për këtë kusht.“

Autor: Thomas Latschan / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi