1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

310710 Gates Mullen Assange

2 Gusht 2010

Pas publikimit të dokumentave sekrete nga Wikileaks, qeveria amerikane dhe pjesa e ashpër e ushtarakëve kanë vënë në shënjestër Julian Assange, themeluesi i platformës së internetit në të cilën u publikuan dokumentat.

https://p.dw.com/p/OZrF
Wikileaks publikon dokumente sekrete për Afganistanin.
Wikileaks publikon dokumente sekrete për Afganistanin.Fotografi: picture alliance/dpa

Ministri i Mbrotjes Robert Gates dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Mike Mullen janë tipa shumë të qetë, por në një konferencë të përbashkët shtypi të dhënë ditën e premte mund të shihej se zienin përbrenda për shkak të publikimit të dokumentave sekrete në Wikileaks. Gates foli i përmbajtur:

Ministri amerikan i Mbrojtjes Robert Gates.
Ministri amerikan i Mbrojtjes Robert Gates.Fotografi: AP

„Pasojat në fushën e betejës janë serioze dhe të rrezikshme, për trupat tona, për aleatet dhe partnerët afganë."

Akuza dhe kundërakuza

Mike Mullen foli qartë dhe sulmoi themeluesin e Wikileaks, Julian Assange, personalisht:

„Z. Assange mund të flasë sa të dojë për synimet e larta që ai dhe burimi i tij ndjekin. E vërteta është se duart e tyre janë lyer me gjakun e ndonjë ushtari amerikan ose të ndonjë familjeje afgane."

Admirali Mike Mullen.
Admirali Mike Mullen.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Mullen kishte parasysh akuzat sipas të cilave në dokumentat Wikileaks ndodheshin emra dhe detaje me të cilat mund të identifikohen dhe të rrezikohen informantët afganë. Qeveria amerikane bën presion mbi Wikileaks-in dhe përfaqësuesin publik të saj, Assange, i cili me sa duket është i gatshëm të kthejë goditjet mbrapsht. Disa orë me vonë Assange reagon duke i kthyer akuzat mbrapsht në një deklaratë të lexuar publikisht. Deklarata dukej e përpiluar shpejt e shpejt, dhe për akuzën e "duarve të lyera me gjak" Assange nuk sulmoi admiralin Mullen por ministrin e Mbrojtjes Gates:

Shefi dhe themeluesi i Wikileaks, Julian Assange.
Shefi dhe themeluesi i Wikileaks, Julian Assange.Fotografi: picture alliance/dpa

„Ministri Gates foli në mënyrë hipotetike për gjak, por toka e Irakut dhe Afganistanit është e mbytur me gjak të vërtetë. Ministri Gates ka parë vetë vrasjen e mijëra fëmijëve dhe të rriturve në këto vende."

Assange e quajti sjelljen e Gates të papranueshme dhe premtoi se Wikileaks nuk do të lejojë t'i bëhet presion.

Qeveria amerikane e vendosur të pengojë rrjedhjen e informacioneve sekrete

Megjithatë qeveria amerikane do të bëjë gjithçka për të penguar Wikileaks të publikojë dokumenta të tjera sekrete. Ajo ka ashpërsuar mënyrën e trajtimit të Wikileaks-it dhe ka thirrur FBI-në. Ndryshe nga hetuesit ushtarake, FBI mund të hetojë ndaj civilëve dhe Ministria amerikane e Drejtësisë mund të dërgojë në bankën e të akuzuarve personat e dyshuar. Ministri i Mbrojtjes, Gates: „Hetimet do të vazhdojnë sa kohë të jetë e nevojshme."

Gates nuk tha nëse edhe një qytetar australian si Assange mund të vendoset në fokus të hetimeve. Megjithatë ai nuk e përjashtoi këtë mundësi. Dhe ky është një mesazh!

Autor: Sabine Müller / Aida Cama

Redaktoi: Eliana Xhani