1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

021209 Kundus Untersuchungsauschuss

2 Dhjetor 2009

Të gjitha grupet parlamentare të Bundestagut vendosën (2.12) në Berlin të hetojnë sulmin ushtarak në Kundus. Komisioni parlamentar i mbrojtjes do të kthehet në një komision hetimor – një rast i veçantë në rregullore.

https://p.dw.com/p/KpCn
Salla plenare e Bundestagut në Berlin
Salla plenare e Bundestagut në BerlinFotografi: AP

Normalisht procedura është e tillë: opozita bie në gjurmët e një skandali të qeverisë dhe bën kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor. Në qoftë se një e katërta e deputetëve votojnë pro, atëhere ngrihet një komision që dëgjon madje hapur për publikun anëtarë të qeverisë, zyrtarë dhe dëshmitarë. Bombardimi në Kundus është një rast i tillë. Në fillim të shtatorit komanda supreme gjermane në Kundus urdhëroi bombardimin e dy cisternave, si pasojë vdiqën shumë civilë, gjë të cilën ministri i Mbrojtjes e mohoi. Më vonë u bë e ditur se të paktën ministria e tij ishte informuar për viktimat në rradhët e popullsisë civile. Arësye e mjaftueshme për SPD (partia socialdemokrate), ekologjistët "të Gjelbërit" dhe partinë "e Majta" për të kërkuarzbardhjen e çështjesh, thotë Paul Schäfer i partisë "e Majta".: "Nëse këtu gjërat janë fshehur qëllimisht atëhere ka nevojë për një sqarim të shpejtë. Por edhe veprimi si i tillë, d.m.th. bombardimi, se si është bërë ai në çfarë rrethanash dhe mbi çfarë baze, duhet sigurisht të jenë objekt i këtij komisioni hetimor."


Por lufta ka të bëjë edhe me sekrete. Çështjet ushtarake trajtohen edhe nga parlamenti në mënyrë më diskrete se çështjet e tjera. Komisioni i mbrojtjes nuk i zhvillon seancat e tij me dyer të hapura për publikun. Dhe pikërisht ky komision ka një status ligjor të veçantë. Në qoftë se do të duhet të hetohen çështje ushtarake atëhere komisioni e deklaron veten si komision hetimor dhe nuk është i detyruar të zhvillojë seanca të hapura për publikun. Pikërisht kjo do të ndodhë tani. Edhe përfaqësuesit e grupit parlamentar në pushtet e kanë votuar këtë procedurë, shpjegon Ernst-Reinhard Beck i partisë CDU (partia kristiandemokrate): "Komisioni i mbrojtjes është në tërësi një komision i mbyllur. Por ne nuk kemi asgjë kundër nëse për problemet, në të cilat trajtohen çështje politike dhe bëhen vlerësime publiku të marrë pjesë me transparencën më të madhe."


Si një komision hetimor, komisioni i mbrojtjes do të marrë në pyetje ata që kanë përgjegjësinë politike, do të ftojë dëshmitarë dhe do të vlerësojë dokumenta nga ministritë, shtabi i përgjithshëm dhe aleatët. Se kush do të dalë përpara këtij komisioni do të përcaktohet nga negociatat mes perfaqësuesve të partive. Omid Nouripour i partisë "të Gjelbërit" bën këtë përmbledhje për situatën: "Ne duhet t´i drejtojmë pyetje ministrit federal të Mbrojtjes, ne duhet të pyesim ata që nuk janë më në detyrë në Minsitrinë Federale të Mbrojtjes. Sigurisht pyetja shtrohet se çfarë ka ditur Zyra e Kancelarisë dhe se çfarë ka ditur Ministria e Jashtme. Ne po përgatisim një listë të atyre personave që ne duhet të pyesim. Ne po e bëjmë këtë dhe lista po bëhet gjithnjë e më gjatë."


Edhe ish-Ministri i Jashtëm dhe kryetari aktual i grupit parlamentar të SPD-së Frank Walter Steinmeier do të duhet të dalë përpara komisionit. Të gjtha partitë opozitare theksojnë, se i kushtojnë vlerë faktit që senacat kur do të pyeten personat me përgjegjësi politike, në mënyrë të veçantë anëtarët e qeverisë, të zhvillohen të hapura për publikun. Grupet parlamentare në qeverisje kanë dhënë aprovimin e tyre që të drejtat e opozitës do të respektohen, thotë përfaqësuesi i SPD-së Rainer Arnold: "Unë besoj se kjo do të ndodhë. Përndryshe ne kemi mundësinë të kërkojmë të ketë një komision hetimor të dytë që do të jetë i hapur për publikun. Por kjo nuk mund të jetë në interesin tonë që ne të punojmë paralelisht."

Brenda dy javësh komisioni i mbrojtjes do të konstituohet si komision hetimor.

Autor: Mathias Bölinger / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Esat Ahmeti