1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kushte të vështira arresti për refugjatët në Qipro

Christopher Dömges / Angjelina Verbica28 Korrik 2013

Refugjati Ibrahim Diallo nga Guinea në Afrikën Perëndimore donte të bënte një jetë të pavarur në Europë. Por prej pesë muajsh ai ndodhet në një burg deportimi në Qipro, në vendin, ku ka hyrë në BE.

https://p.dw.com/p/19Etp
Fotografi: DW/C. Dömges

Ibrahim Diallo iku nga Guinea në vitin 2009 dhe shkoi në Qipro. Babai i tij, një klerik konservator musliman, donte ta detyronte që t'i ndërpriste studimet në menaxhim biznesi dhe të martohej me kushëriren e vet, tregon 25-vjeçari. Policia e ka ndjekur, sepse ai nuk donte t'i nënshtrohej dëshirës së babait të tij autoritar. Shpresa e vetme: Ai kishte mundësi të blinte një biletë për në ishullin mesdhetar të Qipros, ku ai jetoi dy vjet. Por atje iu refuzua kërkesa për azil.

"U ndodha para hiçit", kujton Diallo. "E ardhmja ime është këtu, në Evropë". Në dëshpërim e sipër ai iku në Gjermani dhe jetoi atje një vit e gjysmë pa status legal qëndrimi. Në Dortmund ai jetoi tek një mik gjerman, i cili i gjente ndonjë punë me okazion si kopshtar. Të përndjekurit politikë kanë në Gjermani në fakt të drejtë për të kërkuar azil. Por kjo vlen vetëm në rastet e hyrjes direkte në Republikën Federale. Kur Ibrahimi u kap duke i dhënë makinës pa licencë, autoritetet gjermane e dërguan pas katër muajsh në Qipro në një burg për të kthyerit. Kjo parashikohet nga marrëveshja Dublin II, sipas së cilës vendi, ku ka hyrë personi, është përgjegjës për aplikimin e kërkesës për azil brenda BE.

Ishulli mesdhetar i Qipros ka rreth 800,000 banorë. Sipas ish ministrit të Brendshëm qipriot, Neoklis Sylikiotis, ai është vendi i BE me numrin më të madh të azilkërkuesve në raport me popullsinë. Në një intervistë me gazetën Neues Deutschland ai shpjegoi se në ishull ndodhen rreth 50.000 emigrantë pa status legal qëndrimi, kryesisht afrikanë. Emigrantët përbëjnë aktualisht rreth 20 për qind të popullsisë së Qipros. Shumë refugjatë afrikanë mbërrijnë këtu, pasi ata kanë kaluar Detin Mesdhe në barka të vogla, duke rrezikuar jetën. Sidomos njerëzit pa kualifikim profesional Qipro zakonisht i kthen. Por fuqia e kualifikuar e punës shpesh përfiton azil, thotë Sylikiotis në intervistë me gazetë, sepse ekonomia qipriote ka nevojë për to.

Qyteti port Larnaca
Qyteti port LarnacaFotografi: cc-by:Andreas2009-sa

"Na trajtojnë si kriminelë"

Që prej shkurtit Diallo është vendosur në stacionin policor Menogia, në afërsi të qytetit qipriot Larnaca, në një ndërtesë të thjeshtë. Këtu jetojnë vetëm refugjatë. Sipas Amnesty International ato mbahen aty me muaj, madje me vite të tëra, pa u informuar në mënyrë të mjaftueshme për situatën e tyre ligjore. Pas kësaj shumica duhet të kthehen në vendin, nga janë arratisur. Raporti aktual për Qipron i Zyrës për Kontaktin dhe Këshillimin e refugjatëve e. V. (KUB) në Berlin kritikon faktin se „procedura e azilimit për një pjesë e madhe të azilkërkuesve në republikën e Qipros nuk kryhet sipas standarteve evropiane". Kështu cilësia e intervistimeve lë për të dëshiruar. Vetë përkthyesit nganjëherë nuk kanë njohuri të mjaftueshme gjuhësore. Sipas raportit azilkërkuesit përfitojnë ndihmë ligjore vetëm në raste të rralla.

"Na trajtojnë si kriminelë këtu", thotë Ibrahim Diallo në dhomën e vizitave të burgut të kthimit. "Na japin tri herë në ditë një ushqim të keq në mensë. Kafenë duhet ta paguajmë vetë." Dhe për dikë si Ibrahimi, që nuk ka asgjë tjetër, përveç rrobave të trupit, kjo është një situatë shumë dëshpëruese. "Unë jam burrë", thotë ai. Nga krenaria ai ka refuzuar shtrimin në spitalin e kryeqytetit Nicosia për shkak të një ekzeme, sepse do ta kishin detyruar, që atje të mbante pranga. Por në qendrën e paraburgimit nuk ka përkujdesje shëndetësore. "Kur ka mungesë personeli, njeriu mund të vdesë", thotë Ibrahim Diallo. Përveç kësaj po bëhen hetime, sepse në dy raste të burgosurit janë qëlluar nga personali.

Stacioni policor pranë qytetit Larnaca në Qipro
Stacioni policor pranë qytetit Larnaca në QiproFotografi: DW/C. Dömges

Katër orë në ditë Ibrahim Diallo mund të lëvizë i lirë - atëherë refugjatët mund të luajnë futboll në oborr dhe të luajnë letra në dhomën e përbashkët. Djali i ri shkruan edhe poezi. "Police Poems", poezi për policinë, do të jetë vepra e tij e parë.

Avokatët vazhdojnë të luftojnë

Ndërkohë avokatët e Ibrahimit Nicoletta Chambolous në Qipro dhe Eberhard Vogt në Gjermani, përpiqen të përmirësojnë situatën e klientit të tyre. "Rasti i Ibrahimit është rihapur. Rezultati nuk dihet", thotë Chambolous. Ibrahimi thotë se nuk ka mundur të qëndrojë në Guine, sepse kushtet atje ishin të mjerueshme. Prokurori Eberhard Vogt nga Dortmund rrudh ballin.

Pavarësisht nëse versioni i Ibrahimit është i vërtetë apo jo, nëse ai përndiqet në Guinea, apo madje kërcënohet edhe me vdekje, në BE ka ligje, direktiva, sipas të cilave duhet të trajtohet çdo azilkërkues. Me gjithë paraburgimin në Gjermani Ibrahimi ndodhej gjithsej prej shtatë muajsh në burg", thotë Vogt. Që procedura të ecë shpejt, normalisht varet nga ajo se në ç'masë e zbulon një refugjat identitetin e tij. Sepse shumë azilkërkues i djegin dokumentat, në mënyrë që mos të njihen. Më së voni pas 18 muajsh paraburgimi ata duhet të lirohen. Në rastin më të mirë, përfitojnë një leje të pasigurtë të kufizuar shumë në kohë. Por edhe kjo procedurë mund të zgjasë.

Ibrahim Diallo ëndërron të shkruajë në qetësi historinë e tij. Dhoma e tij me tetë shtretër ofron pak mundësi për një gjë të tillë, por ai nuk dorëzohet.