1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kushtetuesja shqyrton padinë e NPD kundër presidentit Gauck

Anna Peters/Vilma Filaj-Ballvora26 Shkurt 2014

Një rast me peshë politike: A i ka cilësuar presidenti Joachim Gauck simpatizantët e partisë Nacionaldemokrate si "kokëkrisur"? Gjykata Kushtetuese shqyrton tani padinë e ekstremistëve të djathtë kundër presidentit.

https://p.dw.com/p/1BFFL
Fotografi: picture-alliance/dpa

Vazhdimisht instancës më të lartë gjyqësore të Gjermanisë i duhet të merret me partinë ekstremiste të djathtë NPD (Partia Nacionaldemokrate e Gjermanisë). Kësaj here kërkesën e ka paraqitur vet partia. Të martën (25.02.2014) Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe nisi shqyrtimin e padisë së NPD-së ndaj Joachim Gauck. Partia e akuzon presidentin, se me shprehjen e përdorur prej tij ai ka shkelur detyrimin që rrjedh nga posti për të ruajtur neutralitetin partiak. Gauck, sipas akuzës, i ka cilësuar ithtarët e partisë NPD në një fjalim si "kokëkrisur".

Këtë fjalim presidenti e ka mbajtur pak javë përpra zgjedhjeve parlamentare në 2013. Atmosfera në kryeqytet ishte e ndezur: Në lagjen e konsideruar si problematike Hellersdorf në Berlin herë pas here ka demonstrata nga ekstremistët e djathtë. Banorët e ndiejnë veten të anashkaluar prej politikës. Ekstremistët e djathtë e shfrytëzojnë këtë rast, për të krijuar frymë kundër të huajve. Qindra demonstrues të tjerë iu kundërvihen atyre me parrulla të tilla si "Refugees-Welcome".

NPD Aufmarsch vor dem Lokal Zum Henker 01.05.2013
Marshimi i simpatizantëve të partisë NPDFotografi: picture-alliance/dpa

Pak ditë pasi me ndihmën e eskortave të policisë dhe nga hyrja e pasme u strehuan azilkërkuesit në banesën e ngritur enkas për ta, Joachim Gauck mbajti një fjalim para rreth 400 nxënësve. Gjatë fjalimit ai u pozicionua edhe lidhur me demonstratat e ekstremistëve të djathtë në Hellersdorf: "Ne kemi nevojë për qytetarë, të cilët dalin në rrugë dhe u tregojnë kufirin kokëkrisurve. Për këtë ju bëj thirrje ju të gjithëve." Për aq kohë sa partia NPD nuk është ndaluar, kjo nuk do të thotë që duhet t'i kapërdijmë pikëpamjet e saj.

A e ka shkelur presidenti neutralitetin?

Çështja është nëse presidenti Gauck ka cilësuar konkretisht NPD-në apo jo me shprehjen "kokëkrisur"? Sipas Volker Boehme-Nessler, profesor për të drejtën publike në Shkollën e lartë Teknike dhe Ekonomike në Berlin, kësaj nuk është e lehtë t'i jepet përgjigje. "Çështja është nëse ai vërtetë ka cilësuar NPD-në si kokëkrisur." Ndoshta Gauck me këtë ka pasur parasysh demonstruesit, e jo partinë NPD si të tillë. "Ndoshta kjo mund të duket si një analizë shumë e imët juridike", por në fakt luan një rol shumë të rëndësishëm për shqyrtimin e rastit, thekson juristi.

"Në të tilla shprehje luan një rol të rëndësishëm konteksti", thekson profesori berlinez për të drejtën shtetërore Ulrich Battis. Shprehja e Gauck, sipas tij: "Ndodhet "në kufi. Nëse është kaluar ky kufi ose jo, këtë duhet ta vendosë Gjykata Kushtetuese."

Një kriitkë nga ana e gjykatës mund ta dobësojë pozicionin e Gauck

Volker Boehme-Neßler Rechtswissenschaftler
Volker Boehme-NesslerFotografi: Jennifer Weber/Berlin

Të martën nisi vetëm seanca konsultative. Gjykimi i Gjykatës Kushtetuese pritet brenda tre muajsh. Se si do të jetë ky gjykim, për këtë tani për tani vetëm mund të spekulohet. Volker Boehme-Nessler e konsideron si të mundshme, që gjyqtarët e Karlsruhes në gjykimin e tyre të theksojnë në mënyrë të detajuar, që presidenti është i detyruar të ruajë neutralitetin. Por që në këtë rast "presidenti nuk ka pasur parasysh partinë NPD, por demonstruesit në përgjithësi. Kësisoj presidenti nuk e ka shkelur detyrimin e tij për ruajtjen e neutralitetit."

Nëse Gjykata Kushtetuese arrin në konkluzionin, se Gauck ka shkelur detyrimin për neutralitet, kjo nuk do të kishte pasoja direkte për kreun e shtetit. Presidenti nuk mund ta humbasë postin për shkak të aferës "kokëkrisurit", për këtë është i bindur eksperti Boehme-Nessler. "Por qoftë edhe një kritikë publike nga ana e gjykatës është një problem për presidentin" - shton ai - "Një kritikë e tillë do ta dobësonte pozicionin e tij."

Kufijtë e presidentit të Gjermanisë janë të qartë: Ndryshe nga çdo qytetar tjetër ai nuk mund ta shprehë lirshëm mendimin e tij. "Ai duhet të jetë figurë integruese, që i bashkon të gjithë qytetarët. Për këtë arsye presidenti është i detyruar të ruajë neutralitetin. Ai nuk lejohet të vlerësojë se çfarë bëjnë partitë", shpjegon Boehme-Nessler pozicionin e veçantë të presidentit.