1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi i Kosovës diskuton për një paketë projekligjesh të parashikuara në pakon e Ahtisarit.

Bekim Shehu15 Dhjetor 2008

Paketa përmban projektligjet për gjykatën kushtetuese, për shërbimin e jashtëm dhe projektligjin për shërbimin e misioneve diplomatike e konsullore

https://p.dw.com/p/GGTX
Pamje nga parlamenti në KosovëFotografi: AP

Një paketë projektligjesh, që parashihen në pakon e Marti Ahtisarit diskutohet sot nga Kuvendi i Kosovës. Në këtë pako ligjesh bën pjesë projektligji për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Deputetët parlajmërojnë se 50 ligje të tjera të pakos së Ahtisarit të miratuara në kuvendin e Kosovës mund të kthehen në kuvend për rishqyrtim në mënyrë që të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës dhe rrethanat e reja të krijuara në vend.

Kjo për faktin që këto ligje duhet të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës dhe rrethanat e reja të krijuara në vend pas vendosjes së misionit evropian EULEX, i cili funksion në bazë të rezolutës 1244 të KS-it.

Kosova shumë shpejt do ta ketë Gjykatën e saj Kushtetuese. Ligji për Gjykatën Kushtetutese po diskutohet në kuvendin e Kosovës, sepse këtë e parasheh edhe pakoja e Marti Ahtisarit. Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë dhe në raste të caktuara të shfuqizojë aktet juridike kundërthënëse, që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Krahas Gjykatës Kushtetuese funksionin e mbikqyrjes së implementimit të ligjeve të Marti Ahtisarit do ta ketë edhe misioni i Bashkimit Evropian pjesa e zyrës civile ndërkombëtare. Arsim Bajrami njohës i çështjeve juridike thotë se misioni evropian ka mundësi që të mbikqyrë punën e funksionarëve të lartë të institucioneve të Kosovës, ku mendohet se më punën e tyre po shkelet pakoja e Marti Ahtisarit. Kuvendi i Kosovës menjëherë pas shpalljes së pavarësisë miratoi 50 ligje të rekomanduara nga pakoja e Marti Ahtisarit, me shpresën që institucionet e Kosovës do të funksionojnë vetëm mbi bazën e kësaj pakoje. Mirëpo rrethanat politike në Kosovë tash duken pak më të ndryshme pas vendosjes së misionit evropian EULEX, i cili funksionon mbi bazën e rezolutës 1244 të KS-it. Në këtë linjë deputetët kërkojnë, që kjo pako e ligjeve të rishqyrtohet dhe t´u përshtatet rrethanave të reja të krijuara në Kosovë. Ata thonë se në Kosovë asnjëherë nuk ka një gjendje statike, prandaj rishqyrtimi duhet të bëhet sa më shpejt, që të jetë e mundur, në mënyrë që të ketë ligje të bazuara në realitet dhe po ashtu të zbatueshme në praktikë. Miratimi i ligjeve të pakos së Marti Ahtisarit u bë me një procedurë të përshpejtuar, sepse udhëheqësit politikë kosovarë këtë e cilësonin si një obligim para bashkësisë ndërkombëtare sidomos para endeve evropiane, të cilat kërkonin që në Kosovë të hyjë në fuqi pakoja e Marti Ahtisarit. Problematike parashihet të jetë funksioni i misionit EULEX, i cili ishte paraparë, që të respektojë vetëm Kushtetutën e Kosovës. Sipas njohësve të çështjeve juridike kjo tash nuk mund të ndodhë, sepse në Kosovë akoma është në fuqi rezoluta 1244 e KS-it, e cila parasheh konsultime të vazhdueshme me Beogradin dhe nuk i obligohet Kushtetutës së vendit. Udhëheqësit e misionit evropian EULEX, i cili funksionon mbi bazën e rezolutës së KS-it, tashmë kanë njoftuar, se do ta hapin një zyrë edhe në Beograd. Funksioni i kësaj zyre sipas tyre është krejtësisht teknik, sepse edhe vetë misionin ata e cilësojnë të jetë teknik, por që ka nëvojë të konsultohet me autoritetet e Beogradit për çështjet, që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës.