1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezolutë parlamentare për marrëveshjen Thaçi-Daçiç

Bekim Shehu / Prishtinë22 Prill 2013

Deputetët e kuvendit të Kosovës, kërkojnë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, të garantojnë zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi për veriun. Ndërkohë, përfaqësuesit e serbëve të veriut bëjnë thirrje për rezistencë

https://p.dw.com/p/18KT4
Fotografi: dapd

Kuvendi i Kosovës, me anë të një rezolute i dha mbështetje marrëveshjes së arritur në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë i hapet rruga edhe nënshkrimit formal të marrëveshjes Thaçi-Daçiç, që u arrit me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Miratimi i rezolutës së kuvendit të Kosovës, e cila i jep mbështetje marrëveshjes me Serbinë, u bë në një seancë të jashtëzakonshme me plot tension dhe debate që zgjatën deri në orët e mëngjesit të ditës së hënë (22.04.). Aktivistët e lëvizjes “Vetvendosje”, që janë kundër bisedimeve me Serbinë, disa herë nuk lejuan të zhvillohej votimi duke bllokuar punimet e kuvendit. Seanca ishte thirrur nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaci. Kryeministri Thaçi, marrëveshjen e arritur në Bruksel, e cilësoi një marrëveshje histrorike edhe pse tha se nuk është e përkryer, por “më e mira e mundshme në këto rrethana”.

Marrëveshje jo ideale, por më e mira e mundshme

“Kjo marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do t'i kontribuojë paqes jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe tërë rajonit. Pra marrëveshja është mesazh paqejë edhe për evropianizimin e rajonit”, tha kryeministri Thaçi.

Të gjitha subjektet politike parlamentare e mbështetën marrëveshjen Kosovë-Serbi, me përjashtim të lëvizjes "Vetvendosja", mirëpo, ato kërkuan nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, që ta garantojnë zbatimin e marrëveshjes.

Ratifikimi në kuvendin e Kosovës i marrëveshjës për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, u bë vetëm një ditë para se shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton, të raportojë para 27 ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për rrjedhën dhe të arriturat e dialogut politik Kosovë-Serbi.

Serbët e veriut do të bëjnë rezistencë

Serbët e veriut të Kosovës vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen Thaçi-Daçiç, duke thënë se ata nuk do ta lejojnë zbatimin e saj. Për këtë të hënë (22.04 ) është çaralajmëruar një protestë në veri të Mitrovicës, ku sipas njërit nga përfaqësuesit e serbëve të veriut Radenko Nedeljkoviq, “qytetarët serbë me padëgjueshmëri dhe rezistencë pasive të tregojnë se nuk dëshirojnë integrim në institucionet e Kosovës”.

Fati i marrëveshjes Kosovë-Serbi është zbatimi i saj i plotë

Gjatë kësaj jave, serish delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, do të udhëtojnë për në Bruksel për të hartuar strategjinë e zbatimit të marrëveshjes, e cila do të hartohet në zyrën e Baroneshës Catherine Ashton. Strategjia do të hartohet deri me 26 prill. E pas kësaj date, Kosova dhe Serbia sërish do të bisedojnë për çështjen e telekomunikacionit, energjisë dhe për të zhdukurit, negociata këto që duhet të përfundojnë deri më datën 15 qeshor. Në këtë kohë shefat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, vendosin për datën e nisjes së negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE, ndërsa, për Kosovën për datën e nisjen së negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim asocim MSA.