1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi në Kosovë rezolutë dhe notë proteste për Slloveninë

Bekim Shehu18 Qershor 2015

Kuvendi i Kosovës mbajti seancë të jashtëzakonshme pas ndalimit në Lubjanë të kryetarit të AAK-së, ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj. Ai u ndalua në aeroport në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Beogradi më 2004.

https://p.dw.com/p/1FjCn
Kosovo Parlament
Fotografi: picture-alliance/dpa

Parlamenti i Kosovës me një rezolutë të votuar nga deputetët i kërkon presidentes dhe kryeministrit të Kosovës që urgjentisht të kërkojnë nga autoritetet sllovene, që Ramush Haradinajt pa asnjë kusht dhe menjëherë t'i kthehet pasaporta diplomatike dhe t'i lejohet kthimi në Kosovë.

Parlamenti i Kosovës e cilësoi të papranueshëm veprimin e autoriteteve të Sllovenisë, të cilat ndaluan të mërkurën (17.06)kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Ai u ndalua në aeroportin e Lubjanës teksa po kthehej në Kosovë nga një vizitë që kishte zhvilluar në Berlin në Gjermani. Ndalimi i tij nga autoritet sllovene u bë në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004. Zotit Haradinaj, iu mor pasaporta diplomatike nga një gjykatë sllovene, deri në, siç thuhet përfundimin e procedurave ligjore për lirimin e tij.

Në rezolutën e Kuvendit të Kosovës i kërkohet qeverisë që të flasë urgjentisht me autoritet në Bruksel dhe të bëjë pastrimin e listave në Interpol nga fletarrestet, që ka lëshuar Serbia për shumë ish-drejtues të UÇK-së. Si pikë e tretë e rezolutës së kuvendit, i kërkohet qeverisë që t'i drejtojë notë proteste shtetit të Sllovenisë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, para se të miratohet rezoluta në kuvendin e Kosovës, kanë zhvilluar biseda telefonike me homologët e tyre slloven dhe që të dy thuhet se kanë marrë premtime se procedurat për lirimin e zotit Haradinaj do të përshpejtohen nga autoritet sllovene.

Kryeministri Isa Mustafa e ripërsëriti se "nuk ka asnjë arsye që z. Haradinaj edhe më tutje të përballet me situata të tilla, sidomos kur kemi parasysh se pafajësia e z. Haradinaj është dëshmuar edhe në gjykatat ndërkombëtare. Të dy kryeministrat shprehën gatishmërinë që bashkërisht të punojnë në drejtim të evitimit të situatave të tilla, duke kërkuar nga Interpoli që të rishikohet lista e fletarresteve, për të cilat tashmë ka vendime shfajësuese nga instancat më të larta të drejtësisë ndërkombëtare", thuhet në njoftimin zyrës së kryeministrit.

Në fund të vitit 2012, ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës të gjitha partitë politike pa përjashtim e dënuan veprimin e autoriteteve sllovene duke e cilësuar si veprim irritues dhe të papranueshëm. Madje deputetët thanë se veprimi i autoriteteve sllovene për ndalimin e Ramush Haradinajt, është provokim i rëndë që po i bëhet të gjitha institucioneve të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës disa kanë kërkuar nga policia ndërkombëtare, "Interpol", që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Këto kërkesa janë bërë disa herë pasi nëpër aeroporte të ndryshme evropiane janë ndaluar ish-drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi. Zyrtarët në Kosovë thonë se Serbia nuk ka më juridiksion mbi Kosovën dhe fletarrestet e lëshuara prej saj janë të pavlefshme.