1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lëvdata të kujdesshme të SHBA-ve ndaj Iranit

Carsten Kühntopp25 Dhjetor 2007

Sipas deklaratave të disa përfaqësuesve të SHBA-ve udhëheqja iraniane ka ndihmuar për t'i vënë fre dhunës së milicëve shiitë në Irak.

https://p.dw.com/p/CfuF
Fotografi: AP Graphics

Rreth 900 ushtarë amerikanë humbën këtë vit jetën në Irak. Për amerikanët këto 12 muaj ishin më të përgjakshmet që prej ndërhyrjes në Irak në mars të vitit 2003. Numri i viktimave në radhët e popullsisë irakiane shkoi këtë vit në të paktën 19 mijë vetë. Por sipas mendimit të SHBA-ve ka disa muaj që dhuna në Irak po pakësohet dhe kjo falë ndihmës së Iranit.

David Petraeus, kryekomandanti i trupave amerikane në Irak, është tip i kujdeshëm dhe nuk i pëlqen pompoziteti. Për këtë bilanci i tij për këtë vit është i tërhequr. Arritjet tona janë të brishta, por nuk mud të mos vihet re që dhuna ka filluar të

shënojë rënie, tha ai në televizionin amerikan. Në përgjithësi kjo rënie është rreth 60% si në radhët e popullsisë civile edhe në radhët e ushtarëve.

David Satterfield, koordinator për Irakun në Departmentin e Shtetit tha për "Washington Post", se Irani ka vendosur në nivel të lartë shtetëror që t'u tregojë vendin milicëve irakianë duke dhënë një kontribut thelbësor për pakësimin e dhunës.

Lëvdata të kujdesshme bëri edhe ambasadori amerikan në Irak, Ryan Crocker. Ai deklaroi përpara gazetarëve në Bagdad se udhëheqja iraniane ka ndihmuar për t'i vënë fre dhunës së milicëve shiitë. Crocker theksoi se predikuesi shiit me mjaft ndikim, Muktada al-Sadr, ka shpallur para disa muajsh armëpushimin. Ambasadori amerikan tha se iranianët u kanë bërë indirekt të qartë amerikanëve, se ata kanë luajtur rolin e tyre në këtë drejtim, dhe se në qoftë se është kështu, kjo është një gjë e mirë.

Por diplomati amerikan bëri të qartë se SHBA-të kërkojnë shumë më tepër prej krerëve iranianë. Ai tha se nuk e ka të qartë nëse Teherani është tani krejtësisht i angazhuar për një Irak në paqe dhe siguri, sepse në Iran kemi të bëjmë me një shoqëri mjaft komplekse, dhe se në rast se dëshirojnë iranianët mund ta nxisin sërish kaosin dhe dhunën në Irak.

Gjatë vitit që po lëmë pas mes dipomatëve amerikanë dhe iranianë ka pasur një sërë takimesh, në të cilat është diskutuar edhe për përmirësimin e gjendjes në Irak. Këto kanë qenë kontaktet e para mes diplomatëve amerikanë dhe iranianë që prej 30 vjetësh.

Muajt e fundit përfaqësuesit e SHBA-ve janë shprehur disa herë me tone të kujdeshme lavdëruese në lidhje me rolin pak të ndryshuar të Iranit në Irak. Delaratat e Satterfield-it dhe Crocker-it ishin deri tani më pozitivet.