1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lëvizja e zgjuar e shahut e Moskës kundër Uashingtonit

Alexander Warkentin/Pandeli Pani14 Shtator 2013

Iniciativa ruse në konfliktin e Sirisë ka hapur një dritare për diplomacinë. Kremlini është rikthyer në lojë. Por një politikë e re për Sirinë e Moskës nuk duket në horizont.

https://p.dw.com/p/19hLi
John Kerry dhe Sergej Lawrow
Fotografi: Reuters

"Një sukses taktik i diplomacisë ruse", kështu e quan Margarete Klein inisiativën ruse për kontrollin ndërkombëtar të armëve kimike në Siri. Ekspertja për Rusinë e Fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin tërheq vëmendjen në intervistë me DW, se me këtë hap, për Rusinë u shmang "skenari i situatës më të keqe të mundshme". Një goditje ushtarake e SHBA do ta kishte dobësuar regjimin e Assadit në Damask. Moskën do ta kërcënonte humbja e partnerit më të rëndësishëm në Lindjen e Afërme. Kjo tani u shmang, të paktën në plan afatshkurtër.

Margarete Klein, eksperte për Rusinë e Fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin
Margarete Klein, eksperte për Rusinë e Fondacionit Shkenca dhe Politika në BerlinFotografi: M. Klein

Edhe publicisti i pavarur i Moskës dhe eksperti për çështjet ushtarake, Alexander Golz flet për një lëvizje të zgjuar shahu të Moskës. Ai kujton se propozimin për kontroll ndërkombëtar të armëve kimike siriane nuk e përmendi për herë të parë as ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, as presidenti rus, Vladimir Putin, por senatori amerikan Richard Lugar, që vitin e kaluar. "Por Lavrovit dhe Putinit kjo iu kujtua në kohën e duhur, në vendin e duhur", thekson Alexander Golz në bisedë me DW.

"Francezët kërkojnë Çmimin Nobel për Putinin"

Në mediet ruse dëgjon shumë lëvdata për Putinin. Në faqen e internetit të stacionit televiziv rus, NTV, shfaqet titulli: "Francezët i japin Putinit Çmimin Nobel të Paqes për Sirinë". Një link nën këtë titull të çon te emisioni qendror i lajmeve, "Sevodnja" ("Sot"). Në një përmbledhje lajmesh atje ndër të tjera lexon: "Presidenti rus është heroi i këtyre ditëve. Në rrugët e Romës ngjiten pllakata me Putinin me fjalët: "Unë jam me Putinin". Në Egjipt, dashuria për Putinin shprehet me fjalët "Goodbye Amerika". Kurse në Francë madje propozojnë që Putinit t'i jepet Çmimi Nobel i Paqes, me arsyetimin, që nëse ai e pengon me të vërtetë goditjen ushtarake, ai ka bërë për paqen patjetër shumë më tepër se mbajtësi i Çmimit Nobel të Paqes, Barack Obama". Se kush janë këta francezë, kur dhe ku e kanë bërë këtë propozim, kjo nuk precizohet.

Obama dhe Putini
Obama dhe PutiniFotografi: Reuters

Putini i jep mësim Uashingtonit

Vetë Putini e shfrytëzon momentin e përshtatshëm për t'i dhënë mësim SHBA. Në një artikull në gazetën "New York Times", ai thekson: "Ka shkas për t'u shqetësuar se përzierja ushtarake në konfliktet e brendshme të shteteve të tjera është kthyer në praktikë të përditshme të SHBA. A është kjo në përputhje me interesat afatgjate të SHBA? Unë dyshoj për këtë. Miliona vetë kudo në botë e shohin gjithnjë e më shpesh Amerikën jo si një model demokratik, por si një vend, që mbështetet thjesht mbi dhunën e pafshehur, që koalicionet i krijon sipas motos "Ai që nuk është me ne, është kundër nesh"".

Po a e hap nisma e Moskës rrugën e paqes? Ekspertët janë skeptikë. Margarete Klein e Fondacionit Shkenca dhe Politika beson se "qeveria siriane do të përpiqet që ta përdorë këë propozim për të fituar kohë. " Tani vërtet që ekziston "një dritare mundësish" edhe për një rifillim të negociatave midis palëve të konfliktit në Siri. Por, pyet ekspertja, kush do të ulet në tryezën e bisedimeve? Opozita siriane e refuzon Assadin. Dhe propozimi rus presupozon një bashkëpunimn të bashkësisë ndërkombëtare si me regjimin e Assadit, ashtu edhe me opozitën. Se për ndryshe, siguria e inspektorëve ndërkombëtarë në Siri nuk është e garantuar.