1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140610 Belgien Wahlen

14 Qershor 2010

Zgjedhjet parlamentare në Belgjikë janë fituar nga nacionalistët flamandë. Ata angazhohen për ndarjen e vendit. Në Valoninë frankofone në jug të vendit, socialistët kanë dalë partia më e fortë.

https://p.dw.com/p/NqBw
Zgjedhjet në Belgjikë, një belg duke dhënë votënFotografi: AP

Formimi i qeverisë në Belgjikë do të jetë i vështirë dhe nuk pritet të ndodhë para 1 korrikut, kur Belgjika merr presidencën e radhës së BE-së. Zgjedhjet e parakohshme në këtë vend u bënë të domosdoshme, kur në prill qeveria e koalicionit u shpërbë për shkak të grindjes mes flamandëve që flasin hollandishten dhe valonëve frankofonë.

Separatistët duan reformim themelor të shtetit

Bart de Wever, kryekandidati i NVA-së (Nieuw-Vlaamse Alliantie) Aleanca e Re Flamande është fituesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Belgjikë. N-VA njihet si parti separatiste në rajonin e Flandrës.

Bart de Wever do reformim themelor të shtetit belg
Bart de Wever do reformim themelor të shtetit belgFotografi: AP

Porosia e Bart de Wever: Asgjë nuk është e pamundur nëse vetëm dëshirohet sa duhet. Për veriun e Begjikës kjo siç duket do të thotë: ai dëshiron të heq qafe përfundimisht jugun e bezdishëm. Valoninë e varfër. Rreth një e treta e flamandëve që flasin holandishten ka votuar për një Flandër të pavarur. Kështu de Wever kërkon një reformim themelor të shtetit. Në këtë mes duhet të kihen parasysh edhe paratë.

Brukseli duket se ka shpëtuar Belgjikën nga ndarja

Belgjika është e ndarë në tri bashkësi gjuhësore: flamandët në veri, të cilët flasin holandisht, valonët frankofonë në jug të vendit si dhe një pakicë në kufirin me Gjermaninë, e cila flet gjermanisht. Në secilin rajon partitë marrin pjesë edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ka vite që flamandët dhe valonët kanë nisur një konflikt të madh, i cili ka eskaluar deri në atë pikë sa është folur për ndarjen e vendit. Disa thonë se vetëm kryeqyteti Bruksel, ku njëkohësisht e kanë selinë e tyre edhe Komisioni Evropian dhe Parlamenti i BE-së e ka penguar deri tani ndarjen.

Elio di Rupo, kryetari i socialdemokratëve frankofonë. Frankofonët janë për unitetin e Belgjikës
Elio di Rupo, kryetari i socialdemokratëve frankofonë. Frankofonët janë për unitetin e BelgjikësFotografi: AP

Veriu i pasur nuk e do më si barrë jugun e varfër belg

Mollë kryesore e sherrit janë financat. Veriu "i pasur" flamand akuzon jugun "e varfër" valon se po jeton në kurrizin e tij. Valonia e varfër nuk dëshiron të heq dorë nga pagesat e transferave nga veriu. Prandaj shumica e belgëve frankofonë kanë votuar për unitetin e vendit. Forca më e madhe politike këtu dolën socialistët.

Flamur belg i varur në një shtëpi në Zandhoven. 6,5 milionë hollandishtfolës dhe 4 milionë frankofonë janë kyçur në një union jo të lumtur, me emrin Belgjikë
Flamur belg i varur në një shtëpi në Zandhoven. 6,5 milionë hollandishtfolës dhe 4 milionë frankofonë janë kyçur në një union jo të lumtur, me emrin BelgjikëFotografi: AP

Elio di Rupo, kryetari i socialdemokratëve frankofonë u shpreh: "Për suksesin spektakolar të socialistëve duhet të falënderojmë qytetarët, të cilët u shprehën kundër egoizmit dhe izolimit."

Leterme pranon humbjen

Di Rupo shihet si pasues i kryeministrit të dorëhequr, Yves Leterme. Ky i fundit e ka pranuar humbjen e kristiandemokratëve të tij dhe bëri këtë bilanc: Leterme: "Kjo është një humbje e rëndë. Ne e shohim fitoren përmbysëse të N-VA-së. Kjo shpreh dëshirën e madhe të flamandëve për reforma. Ne kemi bërë çdo gjë që ishte e mundur për të qenë të suksesshëm, por nuk ia dolëm dot mbanë në tre vitet e kaluara. Bllokada na çoi drejt një radikalizimi."

Zgjedhjet e parakohshme u bënë të domosdoshme, pasi në prill qeveria e koalicionit e drejtuar nga Leterme u shpërbë për shkak të grindjes mes flamandëve dhe valonëve. Flandra përbën 60% të Belgjikës me 10.5 milionë banorë. Megjithatë askush nuk pret që Belgjika të copëtohet shpejt për shkak të fitores së separatistëve. Kjo nuk mund të ndodhë edhe për shkak se krijimi i qeverisë në Belgjikë mund të zgjasë mbi gjysëm viti.

Autor: Sylvie Ahrens/Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi