1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lakoviq: FSS i ka linjat e kuqe për ndeshjet e Kosovës

Bahri Cani16 Janar 2014

"Linjat e kuqe për Serbinë janë të gjitha çështjet që prejudikojnë Kosovën si shtet të pavarur", thotë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë, Zoran Lakoviq.

https://p.dw.com/p/1ArZY
Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Fotolia/mirpic

Deutsche Welle: Zoti Lakoviq, si e vlerësoni vendimin e Këshillit për Çështje Urgjente të FIFA-s që Kosovës t'i lejohet organizimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare?

Zoran Lakoviq: "Ne nuk kemi qenë të pranshëm në takimin e Këshillit për Çështje Urgjente kur është marrë ky vendim. Vendimi i tij duhet të miratohet edhe në takimin e Këshillit Ekzekutiv, i cili do të mbahet nga mesi i marsit. Ky është pra një vendim i njëanshëm i FIFA-s, sikur edhe vendimi i vitit të kaluar në Japoni që ekipeve kosovare të moshave më të reja t'u mundësohet të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare."

Pra Serbia ende nuk e ka pranuar këtë vendim, apo e kuptova gabimisht?

Zoran Lakoviq: "Qëndrimi përfundimtar i Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) do të dihet pas miratimit të vendimit nga Këshilli Ekzekutiv të FIFA-s. Ne do ta shqyrëtojmë më pas këtë vendim dhe do të dalim me qëndrim përfundimtar zyrtar."

Por Ju me siguri që edhe tani keni një mendim lidhur me vendimin për organizimin e lojërave miqësore me pjesëmarrjen e ekipeve nga Kosova, apo jo?

Zoran Lakoviq: "Të gjiha që bën FSS i bën në koordinim me organet e shtetit të Serbisë, me Qeverinë, Ministrinë për Kosovë e Metohi, Ministrinë e Sportit dhe me Ministrinë e Jashtme. Me vendimin e Komitetit për Çëshjte Urgjente jemi njoftuar para dy-tre ditësh. Ne me siguri që do të marrim një qëndrim përfundimtar, por jo para seancës së Këshillit Ekzekutiv të FIFA, në mars."

FSS ka shprehur në reagimet e para rezervat e saja ndaj prezantimit të ekipeve dhe kombëtares së Kosovës në ndeshjet miqësore. Cilat janë kushtet tuaja që Kosova të mund të marrë pjesë në këto ndeshje? A kanë të bëjnë ato me kushtet që janë paraqitur edhe në vendimin e Komitetit?

Zoran Lakoviq: "Këto nuk janë kushtet tona, por kushtet e FIFA-s. Ekziston një mendim i gabuar në opinion se FSS ka arritur marrëveshje me të ashtuquajturën Federatë e Futbollit të Kosovës (FFK), gjë që nuk është e vërtetë. Këto janë vendimet e FIFA-s. Por edhe ne i kemi linjat e kuqe. Gjërat që kurrsesi nuk mund t'i pranojmë janë anëtarësimi i të ashtuquajturës FFK në FIFA. Ne sikur edhe të gjitha anëtaret e tjera të UEFA duam që të respektohet statuti ku në mënyrë të prerë thuhet: vendet e reja mund të aplikojnë për anëtarësim në UEFA vetëm pas anëtarësimit në OKB. Ndërsa për anëtarësim në FIFA mund të aplikojnë dy vite pas anëtarësimit në UEFA. Ne kërkojmë nga FIFA dhe UEFA që ta respektojnë statutin - jo vetëm në këtë rast por gjithmonë. Për ne është absolutisht e papranueshme që ekipet nga Kosova të marrin pjesë në garat zyrtare, të aplikojnë për pranim në UEFA, e të mos flasim për pranim në këtë organizatë. Kjo vlen jo vetëm për të ashtuquajturin FFK por për të gjitha vendet e tjera."

Si e komentoni vendimin e FIFA që Kosova të mos ketë të drejtë të luajë ndeshje miqësore me vendet e tjera të dala nga ish Jugosllavia?

Zoran Lakoviq: "Mendoj se këtë vendim e kanë marrë për shkak të mundësisë që këto ndeshje të shkaktojnë tensione të shtuara në hapsirat e ish Jugosllavisë. Po për këtë duhet t'i pyesni përfaqësuesit e FIFA-s."

Si do të reagojë FSS në qoftë se Kosova megjithatë organizon ndërkohë ndonjë ndeshje ndërkombëtare miqësore?

Zoran Lakoviq: "Për këtë nuk mund të flas tani, para se të deklarohen zyrtarisht organet e FSS."

Zoti Lakoviq, me sa po kuptoj unë, qëndrimi zyrtar i FSS, për mundësinë e organizimit të ndeshjeve miqësore me pjesëmarrjen e ekipeve nga Kosova, nuk ekziston…

Zoran Lakoviq: "Jo, kjo nuk është e vërtetë. Ne i kemi komentuar vendimet e Këshillit për Çështje Urgjente. Ky vendim përbëhet nga gjashtë segmente. Në mënyrë të prerë thuhet se nuk ka anëtarësim të Kosovës në FIFA; nuk ka ndeshje zyrtare të klubeve apo të reprezentacionit; nuk ka ndeshje miqësore me vendet e dala nga hapsira e ish Jugosllavisë që e kanë njohur Kosovën; në ndeshje nuk mund të përdoren simbolet e shtetit si flamuri, himni apo simbolet e tjera që prejudikojnë statusin përfundimtar të Kosovës e Metohisë; në këto ndeshje duhet të jetë pranë emrit Kosova edhe fusnota e madhësisë së shkronjës „o“, e cila nënkupton që statusi i Kosovës nuk prejudikohet dhe në fund vendimi duhet të verifikohet edhe nga Këshilli Ekzekutiv i FIFA. Ne kemi bërë disa komente për këto vendime, por qëndrimin përfundimtar i FSS do të dihet në mars."

A katë bëjë hezitimi juaj me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili po zhvillohet në Bruksel, pasi që thatë se të gjitha vendimet i merrni në koordinim me Qeverinë dhe disa ministri, që do të thoshte se vendimet tuaja sportive varen prej autoriteteve politike, apo jo?

Zoran Lakoviq: "Personalisht mendoj që këto dy gjëra nuk duhet të ndërlidhen dhe se sporti duhet të ndahet nga zhvillimet politike. Ajo që ne kërkojmë është që të respektohen aktet normative, pra statutet e FIFA dhe UEFA dhe këtë do ta kërkonim edhe sikur të ishin në pyetje vende të tjera. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, por atë që do të kërkonim edhe në raste të tjera."

Zoti Lakoviq, çfarë mendoni për idenë e kryetarit të FFK Fadil Vokrri dhe disa mediave që të ndahen sporti dhe politika dhe që të organizohet një ndeshje mes Kosovës dhe Serbisë?

Zoran Lakoviq: "Në këtë pyetje nuk kam koment, sepse kjo nuk është reale."