1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lambsdorff: Për Evropën Juglindore po vijnë kohë të mira

24 Nëntor 2009

Në intervistë ekskluzive për DW-në nënkryetari i fraksionit të Aleancës Liberal-Demokrate Evropiane (ALDE) në Parlamentin e Evropian thekson ndër të tjera: Dikur Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

https://p.dw.com/p/KeSd
Alexander Graf Lambsdorff, nënkryetari i fraksionit të Aleancës Liberal-Demokrate Evropiane (ALDE)
Alexander Graf Lambsdorff, nënkryetari i fraksionit të Aleancës Liberal-Demokrate Evropiane (ALDE)Fotografi: picture-alliance / dpa

DW: Zoti Graf Lambsdorff, në Parlamentin Evropian do të miratohet të mërkurën (25.11) rezoluta për strategjinë e zgjerimit. Si e vlerësoni ju këtë hap?

Alexander Graf Lambsdorff: Ratifikimi i marrëveshjes së Lisbonës po e mundëson sërish debatin për zgjerimin, i cili ishte shumë i ngarkuar, për sa kohë që vlente marrëveshja e Nisës. Për Evropën Juglindore ky është një lajm i mirë. Dëshmi për këtë është mbështetja që gëzon propozimi i Olli Rehn-it për të filluar negociatat me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, por edhe fakti që Këshilli i BE-së ndërkohë kërkon nga komisioni të shprehë qëndrimin e tij ndaj Shqipërisë, pra me fjalë të tjera, për Evropën Juglindore po vijnë kohë të mira, perspektiva e Selanikut nuk është më një ëndërr, por realitet.

DW: Njëra nga pikat e rezolutës kërkon edhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Cili është mendimi juaj rreth kësaj perspektive?

Alexander-Graf Lambsdorff: E përshëndes vendimin për lehtësimin e vizave. Mendoj se gjendja në Evropën Juglindore, sidomos në ish-Jugosllavi, ku kishte më shumë liri lëvizjeje në kohën e Titos sesa në demokraci, është e vështirë të shpjegohet. Një brez i tërë ka vështirësi të udhëtojë nëpër Evropë, kjo është një politikë e pakuptimtë dhe kundërprodhuese, parë nga këndvështrimi liberal. Prandaj unë e përshëndes faktin që edhe Kosovës i hapet perspektiva për lëvizje më të lehtësuar.

DW: Serbia ka paralajmëruar se do ta parashtrojë kërkesën për anëtarësim, megjithëse nuk është ratifikuar marrëveshja interim. Mendoni se do të ketë sukses ajo me këtë hap?

Alexander Graf Lambsdorff: Çdo zgjerim prek kufijtë kushtetues të Bashkimit Evropian, për këtë duhet të vendosin njëzëri të gjitha vendet anëtare. Kjo do të thotë, se përderisa Holanda nuk e ka ratifikuar marrëveshjen, sipas mendimit tim, nuk mund të kemi përparim në lidhje me kandidaturën. Por, në se Serbia do t'i bindë të gjithë vendet e tjera, se ajo po punon seriozisht për t'i zgjidhur problemet me Hagën, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të bëhen edhe disa hapa më tej.

DW: Në strategji kërkohet qartë që të zgjidhen konfliktet bilaterale mes vendeve, por në rastin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kjo kërkesë duket e pamundur, kur dëgjon deklaratat e presidentit Tadiç, se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

Alexander Graf Lambsdorff: Dikur thuhej se është e pamundur që Gjermania dhe Franca të bashkëpunojnë me njëra -tjetrën. Por Bashkimi Evropian kërkon pikërisht që të bëhet ajo që duket e pabëshme. Përndryshe nuk ecet përpara. Kjo do të thotë se përderisa konflikti nuk është zgjidhur, atëherë perspektiva e anëtarësimit duket keq, si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Por, rruga evropiane për këto vende është fiksuar në Selanik dhe gjatë kësaj rruge ato duhet t'i përmirësojnë marrëdhëniet bilaterale, e kjo do të thotë se dikur Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

DW: Dhe pyetja e fundit. Ju jeni kundër fiksimit të një date të caktuar për anëtarësim. Përse?

Alexander Graf Lambsdorff: Gjatë negociatave për anëtarësimin e Bullgarisë dhe të Rumanisë ne patëm përcaktuar data. Sot dihet se disa aspekte të negociatave, sidomos me Bullgarinë, nuk u përfunduan ashtu siç duhej për shkak të presionit në të cilin ndodheshin negociuesit për shkak të datës. Prandaj, kemi vendosur që të mos ketë më data, që paracaktojnë se kur duhen arritur etapat dhe se kur duhet bërë anëtarësimi. Datat, kur nuk respektohen, shkaktojnë zhgënjime nëpër vendet e prekura, ndërsa Brukselin e vënë nën presion për ta përshpejtuar procesin, pavarësisht se në çfarë stadi ndodhen vendet vetë. Të dyja janë të gabuara: Vendet duhet të jenë realiste me kërkesat e tyre dhe të mos gëzohen me shpresa artificiale për kapërcimin e etapave, ndërsa Brukseli duhet të bëjë një politikë të besueshme zgjerimi dhe jo një politikë që ndikohet nga datat e përcaktuara më parë publikisht.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora