1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lamtumirë presidentit polak

18 Prill 2010

Për arsye të ndalim-fluturimit mbi Evropë shumë të ftuar të rangut të lartë e anuluan pjesëmarrjen e tyre në varrimin shtetëror.

https://p.dw.com/p/MziV
Kortezhi funebër
Kortezhi funebër me akrivolët e presidentit dhe të së shoqesFotografi: AP

Me një meshë të përmortshme që u zhvillua në kishën e Shën Mërisë në Krakov, Polonia i dha sot lamtumirën e fundit presidentit të vendit Lech Kaczynskit dhe të shoqes Maria. Pas meshës kortezhi funebër vazhdoi rrugën për në kështjellën Wawel, që do të jetë edhe banesa e fundit e çiftit presidencial. Kështjella është varreza tradicionale e mbretërve polakë dhe në këtë mënyrë një nga simbolet kombëtare më të rëndësishme të vendit.

Për arsye të ndalim-fluturimit mbi Evropë shumë miq të rangut të lartë e kishin anuluar pjesëmarrjen e tyre në varrimin shtetëror, ndër ta presidenti amerikan Barack Obama dhe kryetari i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso.

Në ceremoninë e përmortshme për presidentin e ndjerë polak Lech Kaczynski Gjermania u përfaqësua prej presidentit Horst Këhler dhe ministrit të Jashtëm Guido Westerwelle. Kancelarja Angela Merkel, e cila gjendej në Itali, e anuloi në çastin e fundit pjesëmarrjen e vet, për arsye të resë së hirit mbi Evropë.