1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lehtësim në Berlin - Situatë e tensionuar në Ukrainë

PP (dpa, AFP)4 Maj 2014

Frank-Walter Steinmeier: Megjithë lirimin e vëzhguesve të OSBE-së jemi ende larg fundit të krizës në Ukrainë.

https://p.dw.com/p/1BtVC
Fotografi: Reuters

Vëzhguesit e OSBE-së që mbaheshin peng prej një jave nga nga separatistët prorusë arritën në Berlin, ku u pritën nga ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Layen. Vëzhguesit e OSBE-së ishin ndaluar më 25 prill gjatë një inspektimi në terren në lindje të Ukrainës.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha: "Jemi të gëzuar dhe të lehtësuar për këtë, por puna nuk ka mbaruar. Jemi ende larg fundit të krizës". Shpërthimi i dhunës në Odesë tregoi "se sa shumë ka përparuar kriza". Tani nuk i duhet hedhur më benzinë zjarrit, theksoi ministri i Jashtëm gjerman.

Situatë e rëndë në Ukrainë

Ndërkaq konflikti në Ukrainë po acarohet gjithnjë e më shumë. Ushtria ukrainase po vazhdon ofensivën e saj anti-terror kundër separatistëve. Gjatë përleshjesh të ashpra në Slavjansk pati si nga të dy palët edhe në radhët e popullsisë civile të paktën 9 të vrarë.

Në Kramatorsk trupat ukrainase rimorën, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, një kullë transmetimi televiziv si dhe disa pika kontrolli të separatistëve. Në Lugansk persona të armatosur prorusë sulmuan një njësi të ushtrisë dhe një pikë rekrutimi dhe plagosën dy ushtarë.

Mjaft të vdekur në Odesë

Numri më i madh i viktimave shënohet në Odesë, ku ka pasur përleshje mes qindra pasuesve të qeverisë në Kiev dhe atyre të Moskës. Të dyja palët përdorën shishe me lëndë shpërthyese Molotov dhe gjatë përleshjeve mori zjarr edhe një ndërtesë e sindikatave. Për shkak të zjarrit gjetën vdekjen 42 vetë, shumica me sa duket pasues të separatistëve.

Ukraine Odessa Gefechte Trauer
Fotografi: REUTERS

Presidenti provizor Oleksander Turtshinov shpalli në kujtim të viktimave një zi shtetërore dyditore. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier (SPD) tha se është «i tronditur dhe i shokuar për vdekjen e tmerrshme të kaq shumë njerëzve» në ndërtesën e përfshirë nga zjarri. Bashkimi Evropian kërkoi një hetim të pavarur të këtij rasti.

Odesa, shumica e banorëve të së cilës flasin rusisht, ndodhet jo larg gadishullit të Krimesë, bashkimi i të cilit me Rusinë në muajin mars, çoi në shkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit të Ukrainës.

Moska i drejtohet Këshillit të Sigurimit

Në shenjë proteste ndaj "misionit ndëshkimor" të ushtrisë ukrainase, Moska kërkoi një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e 13-ta që prej fillimit të krizës. Në takim pati replika të ashpra të përfaqësuesve të Moskës dhe të fuqive të mëdha perëndimore. "Asnjë anëtar i Këshillit në këtë tryezë nuk do të toleronte që qytetet e tij të viheshin nën kontroll të milicëve të armatosur", theksoi ambasadori britanik në OKB Mark Lyall Grant. "Aktivistë paqësorë" si ata për të cilët flet Rusia duke përdorur një "moral të dyfishtë", nuk kanë mjete për rrëzimin e helikopterëve, tha më tej ambasadori britanik.

Më parë edhe qeveria ukrainase kishte folur për "mercenarë të armatosur" në lindje të Ukrainës.

Ashtu si Grant, edhe ambasadorja e SHBA-së Samantha Power mbrojti veprimet e Ukrainës si të balancuara. "Kjo është diçka që do ta kishte bërë çdokush prej nesh në vendet tona", tha ajo në adresë të Rusisë, dhe i cilësoi shqetësimet e shprehura nga Moska si cinike dhe të pandershme. I dërguari i Moskës në OKB, Vitali Curkin paralajmëroi ndërkohë Ukrainën për "pasoja katastrofale" nëse nuk do t'i japë menjëherë fund ofensivës ushtarake "kriminale". Akuzën për moral të dyfishtë ai e adresoi tek SHBA.