1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liderët botëror dakordohen për tejkalimin e krizës

Bahri Cani15 Nëntor 2008

Krerët e 20 shteteve më të industrializuara dhe atyre në zhvillim miratuan në Uashington një deklaratë të pëbashkët për tejkalimin e krizës financiare. Deklarata u miraua njëzëri.

https://p.dw.com/p/FvcQ
Fotografi dhe veprim i përbashkëtFotografi: AP

Deklarata parashikon bashkëveprimin e të gjitha 20 vendeve më të industrializuara dhe vendeve në zhvillim. Presidentët dhe kryeministrat e samitit të zhvilluar në Uashington ishin të mendimit se në tregjet financiare duhet futur rregulla të reja dhe më shumë kontroll. Kancalraj gjermane Angela Merkel foli për disa prej elementeve të shumta të këtij plani.

"Fjala është për rregullimin dhe mbikqyrjen e të gjithë faktorëve dhe prodhimeve në treg. Nuk duhet të ketë asnjë gropë të zezë. Në plan parashikohen 50 masa, të cilat duhet të aplikohen deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm, kur do të mbahet edhe samiti i radhës në nivelin e presidentëve dhe kryeministrave. Besoj se të gjithë duan që një krizë e ngjashme të mos përsëritet, që ekonomia botërore të këndellet sa më parë, të mbështetet tregtia e lirë dhe rritja ekonomike. Masa të ngjashme do të paraqiten edhe në Evropë, në samitin e dhjetorit, ndërsa këtyre do tu shtohen edhe masat e veçanta të shteteve", theksoi kancelarja Merkel.

Për arritjen e këtyre rregullave e domosdoshme është edhe mbështetja e institucioneve ndërkombëtare. Liderët e 20 vendeve më të industrializuara dhe në zhvillim si India, Kina apo Brazili duan që të të mos përsëriten krizat e ngjashme, që kanë sjellë gati deri te kolapsi i sistemeve financiare dhe frika masive prej recesionit ekonomik mbarëbotëror. Kancelarja gjermane theksoi rëndësinë e bashkëveprimit të vendeve industriale dhe atyre në zhvillim.

"Është hera e parë që vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara të mblidhen dhe të veprojnë së bashku. Prandaj mund të thuhet se ky paraqet një fillim të ri, në një gjendje shumë të rëndë. Ekziston shpresa se politika mund të veprojë së bashku", nënvizoi kanclearja gjermane, duke shtuar se edhe në të ardhmen do të ketë takime të këtilla të përfaqësuesve të 20 vendeve. Në këto takime do të debatohet edhe për ruajtjen e klimës dhe çështjet tjera me rëndësi globale.

Takimi u drejtua nga presidenti aktual amerikan, George Bush, i cili nuk ishte tepër i knaqur me masat për kontrollin më të rreptë të tregjeve.

"Një prej rreziqeve të paraqitura gjatë kësaj krize, është që njerëzit tani daun të fillojnë me implementimit e kontrollit më të madh prej politikës. E dini, kriza nuk ka përfunduar. Janë shënuar disa përparime, por ka mbetur edhe shumë për tu bërë", theksoi Bush.

Në takim nuk ishte prezent pasardhësi i tij Barack Obama, por ai edhe një herë dëshmoi se tejkalimi i krizës financiare do të jetë një prej obligimeve më të rëndësishme, pas marrjes së postit me 20 janar.

"Duhet të veprojmë tani menjëherë. Javën që vjen do të takohet Kongresi, ku do të paraqiten masat për tejkalimin e krizës ekonomike. Unë kërkoj prej tij që të paktën të paraqiten masat për ruajtjen e vendeve të punës, shtensionimin e gjendjes në familjet e prekura dhe rritjen ekonomike. Nëse kongresi nuk paraqet planin e menjëhershëm, kjo do të jetë detyra ime e parë pas marrjes së postit të presidentit", theksoi Obama.