1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligjet mbeten në letër kur bëjnë fjalë për të drejtat e grave

14 Nëntor 2011

Edhe pse të drejtat ligjore të grave janë zgjeruar, ligjet mbeten në letër dhe nuk përkthehen në drejtësi dhe barazi. Shqipëria ka probleme lidhur me aksesin e gruas në drejtësi dhe me zbatimin e ligjeve në fuqi.

https://p.dw.com/p/13AQq
Ligjet mbeten në letër
Ligjet mbeten në letërFotografi: AP

Do të mjaftonte një krahasim për të treguar progresin që gratë në botë kanë arritur: në vitin 1911, vetëm dy vende në botë lejonin gratë të votonin, ndërsa sot, një shekull më pas, kjo e drejtë është universale. Por ky progres nuk mund të zbukurojë faktin se të drejtat që gëzojnë gratë janë ende larg barazisë së plotë me burrat dhe mosdiskriminimit për shkak të gjinisë.

Këtë fakt e bën publik së fundi raporti ”Progresi i grave në botë – në kërkim të drejtësisë” nga UN Women, që është Entiteti i Kombeve të Bashkuara për barazi gjinore dhe fuqizimin e gruas, strukturë kjo e OKB-së.

“Barazia e plotë kërkon që gratë të jenë të barabarta me burrat në sytë e ligji në jetën e tyre në shtëpi, në punë, në politikë dhe në jetën publike,” thekson Michelle Bachelet, Zv. Sekretare e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe Drejtore Ekzekutive e UN Women. Raporti vë në dukje se barazia në sytë e ligjit lë mjaft për të dëshiruar për të qënë reale, pasi në pjesën më të madhe të rajoneve të botës ka një zbatim të mangët të ligjit ose ai nuk zbatohet fare.

Gruaja dhe paraja- Muzeumi i gruas, Bon
Gruaja dhe paraja- Muzeumi i gruas, BonFotografi: Frauenmuseum Bonn
Solidaritet mes grash
Solidaritet mes grashFotografi: UN

Semia Germas de Tapia, drejtore në Shqipëri e Programit Kombëtar, UN Women, duke paraqitur në Tiranë, situatën në nivel global tha: “Gratë përjetojnë dhunë dhe diskriminim në nivele të ndryshme. Infrastruktura e drejtësisë - policia, gjykatat dhe gjyqësori - në shumë vende i kanë lënë pas dore gratë, ndërkohë që sistemet e drejtësisë që mirëfunksionojnë janë mekanizma jetikë për arritjen e të drejtave të gruas. Mund të jesh e pasur, e varfër, nga vende të zhvilluara, në zhvillim apo në tranzicion dhe përsëri diskriminimi apo dhuna të jetë i pranishëm dhe të shfaqet për gratë në aspekte të ndryshme,” vuri ajo në dukje.

Situata në Shqipëri

Në Shqipëri dhuna dhe diskriminimi ndaj gruas mbeten shqetësuese. Ndërkohë vetëm një përqindje e grave ndaj të cilave është ushtruar dhunë apo diskriminim në forma të ndryshme, i drejtohet policisë apo prokurorisë. Raporti i Kombeve të Bashkuara vë në dukje se punësim i grave në pararojën e shërbimeve të drejtësisë mund të ndikojë pozitivisht në aksesin e grave në sistemin e drejtësisë. Sipas të dhënave të këtij raporti në të gjitha rajonet e botës, përfaqësimi mesatar i grave në organet policore nuk i kalon 13%. Një nga rekomandimet që Kombet e Bashkuara u bëjnë vendeve anëtare, mes të cilave edhe Shqipërisë, është që rekrutimi grave në polici të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë për të nxitur të gjitha forcat e policisë për t'iu përgjigjur si duhet nevojave të grave.

Drejtësi për gratë qe u drejtohen gjykatave

Veç denoncimeve në polici një rol të posaçëm në garantimin e të drejtave të gruas kanë gjyakatat. Janë pikërisht gjykatësit ata që duhet të marrin vendime të drejta dhe të paanshme. Të dhënat nga Komiteti shqiptar i Helsinkit tregojnë që nuk janë të rralla rastet kur vendimet e gjyqeve të fituara nga gratë nuk zbatohen.

Michelle Bachelet
Michelle Bachelet

Vjollca Meçaj, Drejtore Ekzekutive e këtij Komiteti i konsideron të mëdha problemet e zbatimit të ligjit në gjykata për çështje gjyqësore të fituara nga gratë, kur është fjala për raste dhune dhe diskriminimi ndaj tyre.

“Problemet në Shqipëri mbeten të mëdha. Një grua ka akses në Gjykatë, mund të ndodhë që ta fitojë çështjen gjyqësore por ajo ndesh me një mur të pathyeshëm në Gjykatë: në atë të ekzekutimit të vendimit. Një vendim i pa ekzekutuar, i pazbatuar është një drejtësi e padhënë," thotë Znj.Meçaj.

Moszbatimi i vendimeve gjyqësore ka çuar edhe në rastet ekstreme të vrasjes së grave që kanë fituar gjyqin kundër burrave dhunues.“ Kemi patur raste kur gratë të vëna në mbrojtje me vendim gjyqësor ju është marrë jeta, janë vrarë nga dhunuesit,” thotë Vjollca Meçaj.

Moszbatimi në Shqipëri i vendimeve të formës së prerë pranohet edhe nga vetë drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë. “Kemi patur probleme vërtet probleme në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë,” pranon Zv. Ministri i Drejtësisë, Ermal Dobi.

Vjollca Meçaj
Vjollca MeçajFotografi: DW

Objektivat e zhvillimit të Mijëvjeçarit të Ri

Zbatim i vendimeve gjyqësore dhe si pasojë e ligjeve do të ndikojë pozitivisht në realizimin e barazisë gjinore dhje fuqizimit të gruas, që është një nga tetë objektivat e Mijëvjeçarit të ri, të përcaktura nga Kombet e Bashkuara. Për plotësimin e këtyre objektivave, të adaptuara në vitin 2000 për t'u arritur deri në vitin 2015, është zotuar edhe Shqipëria. Rekomandimet e Kombeve të Bashkuara nxisin qeveritë, që brenda katër viteve të ndërmarrin hapat e duhura për t' i dhënë fund padrejtësive dhe diskriminimit për shkak të gjinisë

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama