1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lindita Arapi

DW Shqip13 Shkurt 2013

Lindita Arapi është moderatorja e emisionit „Europa në Fokus“. Paralelisht me aktivitetin e saj si shkrimtare, Lindita Arapi punon nga viti 1997 si gazetare e bashkëpunëtore e lirë në Deutsche Welle.

https://p.dw.com/p/17co8
Moderatorja e "Europa Sot", Dr. Lindita Arapi.
Fotografi: DW

Stacionet e jetës së Lindita Arapit pas largimit nga Shqipëria janë të shumtë, por njërit prej tyre ajo i ka mbetur besnike. Gjermanisë dhe qytetit historik anës Rinit, Bon. Pas përfundimit të doktoraturës në kulturologji në Universitetin e Vjenës, Lindita Arapi u kthye në Gjermani për të vazhduar punën pranë radios Deutsche Welle. Lidhja e saj me botën televizive ekzistonte para njohjes së radios. Pas studimeve të letërsisë në Tiranë, Lindita Arapi punoi për gati dy vjet si drejtuese e emisionit të kulturës „Emocionet e fjalës“ në TVSH. Një përvojë e rëndësishme në kushte të vështira tranzicioni – kështu i kujton ajo hapat e parë në botën e televizionit, pak vite pas rrëzimit të diktaturës.

Me shumë dëshirë ajo i kushtohet moderimit të emisionit „Europa në Fokus“, sepse për të ai është një dritare televizive në rajon që megjithëse i hap kanatat kah Europa vetëm për rreth 30 minuta, me intensitetin e cilësinë e informacionit që ofron, të njeh mjaft mirë me Europën e sotme. ”Kush do të kuptojë se si rreh pulsi i Europës që nga kriza e euros, pasojat e papunësisë deri tek shqetësimet e ambientalistëve mund të shohë këtë emision. Pra, Europën ashtu siç është vërtet, e pamitizuar, e palustruar, por e jashtëzakonshme në projektin e saj të madh, Bashkim Europian, megjithë krizën aktuale“, thotë ajo.