1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liqeni i Shkodrës: Një zonë e lënë në ndotje

Lekë Plani26 Korrik 2013

Si po shkatërrohet biodiversiteti në Liqenin e Shkodrës dhe lumit Buna në rrethin e Shkodrës dhe atë të Malësisë së Madhe.

https://p.dw.com/p/19DxA
Shkodra See in Albanien (Juni 2013); Copyright: DW/L. Plani
Fotografi: DW/L. Plani

Dikur mburreshim me legjendën e Rozafës dhe natyrën e bukur të Shkodrës, ndërsa sot na vjen turp të kthejmë sytë andej nga liqeni dhe lumenjtë. Peshkimi i pakontrolluar me mjete shfarosëse dhe në periudha të ndaluara, dëmtimet e vegjetacionit të brigjeve të liqenit dhe lumit Buna, hedhja e mbeturinave, si dhe ndërtimet e brigjeve të reja janë panorama e shkatërruar e bidioversitetit në Liqenin e Shkodrës dhe lumit Buna në rrethin e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe. Pranë liqenit të Shkodrës mbetet shqetësuese gjëndja e sipërfaqeve të gjelbërta, të cilat gjatë këtyre viteve të fundit ka pasur dëmtime të mëdha. Këtu mund të përmëndim ish lulishten e Pazarit me një sipërfaqe prej 81 700 m2 dhe kurorën e gjelbër përreth qytetit me një rreze 1 deri në 3 km me shpat mali. Shumë problematike është dhe gjëndja në bregun e lumit Buna, kryesisht nga përmbytjet e herëpashershme dhe sidomos në fshatrat Dajç e Shirq, të cilët mbesin të papyllëzuar dhe të dëmtuar nga erozionet. Ndërsa në rrethin e Pukës erozioni përshkon 4 mijë ha dhe kryesisht ish toka bujqësore pa sistem vaditjeje, në pellgjet e lumenjëve dhe liqeneve, si dhe në shpatet e rrugëve, pasi është një terren i pjerrët me rreshje dhe ekstreme temperaturash.

Veriu dhe turizmi malor

Liqeni i Shkodrës ka një sipërfaqe prej 368 km2, prej të cilave 156 prej tyre ndodhen brenda territorit shqiptar. Ky ekosistem paraqitet me një biodiversitet tepër të lartë, ku mund të përmëndim 281 lloje shpendësh, 61 lloje peshqish, 17 lloje amfibësh, 33 lloje reptilësh, 37 lloje gjitarësh, 39 lloje molusqesh dhe 122 lloje bimësh. Liqeni i Shkodrës është i lidhur me lumin Buna dhe Detin Adriatik. Gjatë rrjedhjes së tij është i pasur me ligatina dhe mjedise, të cilat kanë vlera të larta. Mjafton të përmëndim faktin, që rreth 100 km larg detit shtrihen lumenj dhe alpe me një mjedis tepër interesant në shumë drejtime. Ndër më kryesoret mund të përmëndim zonën e Kelmendit, Bjeshkët e Namuna dhe Rrafshin e Dukagjinit, të cilat ofrojnë bukuri e peisazhe të rralla me praninë e luginave dhe lumenjëve alpin, me ujëra të pastra, ujëvara dhe liqene të tipit alpin. Prania e sistemit malor alpin, që ngrihet me maja dhe lartësi mbi 2000 m, ku mund të veçojmë malësinë më interesante atë të Bjeshkëve të Namuna dhe pejsazhe dhe cirqe dhe lugina akullajnore, ku spikasin ato të Jezercës, Sefercës dhe më tipiket ato të Vermoshit dhe Lepushës, që janë tepër të mahnitshme. Gjithashtu prania e biodiversitetit të rrallë të bimësisë, florës dhe faunës, ku binomi livadhe-pyje madhështore alpine, përbëjnë “mushkëritë“ “gëzofin” dhe qilima të gjelbër me lule shumëngjyrëshe” në këtë bashkësi veçorike të Shkodrës.

Leonard Kepi, drejtor i ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër
Leonard Kepi, drejtor i ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër në bisedë me DWFotografi: DW/L. Plani

Mjedisi në rrezik

Disa nga rreziqet më kryesore të identifikuara në Liqenin e Shkodrës janë: Mbetjet shtëpijake dhe ato të ngurta, që ndotin liqenin me lloje të ndryshme ndotësish e veçanërisht plastike dhe të qelqta, që kanë një jetëgjatësi të madhe, duke e shndërruar në moçal tërë këtë hapësirë ujore. Ndërkohë që mbetjet kimike e toksike nga industria po shkaktojnë ngordhjen e specieve të peshkut dhe dëmtime serioze gjenetike. Shkarkimi i ujërave të zeza në brigjet e liqenit është një tjetër dukuri negative, që po e dëmton së tepërmi ujin përmes rritjes së algave, pakësimit të oksigjenit, ngordhjes së peshkut dhe gjallesave të tjera ujore. Gjuetia pa kriter me mjete të jashtëligjëshme, kryesisht me dinamit, po sjell dëme të pariparueshme të resurseve natyrore në liqenin e Shkodrës. Gjuetia me rrymë elektrike dhe me mjete statike, që përdoren zakonisht në periudhën e shumimit ( 1 prill-15 maj ), janë metoda jashtë standarteve të lejuara ligjore dhe po sjellin dëme dhe impakte negative, që ndikojnë në rritjen dhe riprodhimin e aktivitetit prodhues të peshkut.

Ndotja e liqenit problem shqetësues
Ndotja e liqenit problem shqetësuesFotografi: DW/L. Plani

Investime të qeverisë Gjermane

Vlerësuar si një nga hapësirat më të mëdha ujore në Ballkan për ekosistemin dhe resurset, që mbart, tashmë të njohura në nivele ndërkombëtare, mjaft agjenci prestigjoze kanë investuar për përmirësimin mjedisor të liqenit të Shkodrës dhe eleminimin e faktorëve degradues të tij. Sipas Drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër Leonard Kepi ”Qeveria gjermane së bashku me atë austriake e zvicerane kanë financuar rreth 17 milionë euro për harmonizimin dhe zhvillimin ambjental të kësaj hapësire ujore. Së fundmi KFW ”Frankfurt am Main” ka investuar një shtesë granti prej 3 milionë eurosh për programin “ Mbrojta mjedisore e liqenit të Shkodrës”. Ky fond ka ardhur si rezultat i marëveshjes së nënshkruar ndërmjet Ministrisë Shqiptare të Financave dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër me KFW-në gjermane. Aktualisht projekti është në fazën finalizuese të zbatimit të tij dhe parashikohet të përfundoje brenda muajit dhjetor të vitit 2013”. Me anë të këtij projekti bëhet i mundur përafrimi i pjesës ujore të liqenit të Shkodrës me atë të Malit të Zi, gjithnjë sipas kërkesave dhe standarteve të kërkuara nga Bashkimit Europian.

Shkodra See in Albanien, Bauarbeiten (Juni 2013); Copyright: DW/L. Plani
Punëtore gjatë punimeveFotografi: DW/L. Plani

Strategji për ruajtjen e mjedisit

Duke marrë në konsideratë aspektet mjedisore, që shqetësojnë këtë rajon, padyshim që kërkohet nga autoritetet përkatëse hartimi i një strategjie të re dhe specifike për trajtimin me efikasitet të këtij potenciali të vyer të natyrës, ruajtjes, sigurimit dhe qëndrueshmërisë së tij për brezat pasardhës. Së pari, duhet mbështetur institucionalisht nga pushteti qendror dhe legjislacioni në fuqi për dhënien e statusit të zonave të mbrojtura atyre, që kanë biodiversitet dhe vlera të larta ekologjike. Së dyti, të sigurohen të gjitha rrugët për mbrojtjen e këtyre vlerave në zonat e dëmtuara përmes projekteve dhe programeve të veçanta nga institucionet përkatëse që mbulojnë sektorin e mjedisit. Së treti, duhet ndërhyrje e gjithanshme në përmirësimin urban dhe infrastrukturë. Së katërti, kërkohet nxitja e mëtejshme dhe e vazhdueshme e elementit shoqëror dhe atij shkencor etj. Si përfundim duhet hartuar një strategji e re, ku të përcaktohen qartë objektivat për të ardhmen e Liqenit të Shkodrës.