1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150310 Schwille Leibnizpreis

15 Mars 2010

Çmimi Gottfried Wilhelm Leibniz është çmimi më i lartë gjerman në fushën e shkencës. Me këtë titull grupit prej dhjetë profesorësh që janë nderuar deri tani me të i shtohet edhe një grua.

https://p.dw.com/p/MT8o
Filozofi, diplomati, fizikani dhe historiani Gottfried Wilhelm Leibniz (1646-1716).
Filozofi, diplomati, fizikani dhe historiani Gottfried Wilhelm Leibniz (1646-1716).Fotografi: picture-alliance/ dpa

Petra Schwille, është 41 vjeç, asaj i pëlqen muzika dhe luan violë në një kuartet harqesh:

"Po ashtu më pëlqen edhe gjithçka që ka të bëjë me malet, alpinizimi, skitë."

Petra Schwille ka tre fëmijë, më i vogli katër muajsh. Dhe po pastaj, ku është e veçanta? E veçanta është se Petra Schwille është profesore për lëndën e biofizikës dhe nderohet këtë vit me çmimin më të lartë gjerman në fushën e shkencës, çmimin Gottfried Wilhelm Leibniz.

"Nga njëra është nderim për ato që kam bërë dhe nga ana tjetër një investim i shkëlqyeshëm në të ardhmen e studimeve të mia. Ky çmim më ofron mundësinë që në të ardhmen të filloj edhe projekte që janë pak me rrezik dhe shkencërisht ende të pambështetura fort."


'Unë dua të kuptoj si funksionojnë sistemet dhe organizmat e gjalla'

Petra Schwille ka vite që dëshmon se ka ide të mira dhe të jashtëzakonshme. Që prej vitit 2002 fizikanja drejton departamentin e Biofizikës në Universitetin Teknik të Dresdenit dhe merret me lidhjet e fizikës dhe të biologjisë:

Petra Schwille, profesore në Universitetin e Dresdenit
Petra Schwille, profesore në Universitetin e DresdenitFotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb

"Fizika është shkenca për zgjidhjen matematike të problemeve. Mua vetë më ka interesuar gjithmonë edhe biologjia. Unë dua të kuptoj se si funksionojnë sistemet dhe organizmat e gjalla - një fushë ku në ndryshim nga fizika apo kimia klasike ka ende shumë gjëra të panjohura. Ende ka shumë çështje tepër themelore që nuk janë sqaruar. Fizika ka qenë për mua metodika për t'i hyrë studimit të tyre. "

Një nga fushat e kërkimit të Petra Schwilles është të hulumtojë dhe të vizualizojë se ç'ndodh në qelizat e trupit tonë. Ajo ia ka dalë që të vëzhgojë si të thuash "live" dhe të analizojë proteinat që janë të rëndësishme për proceset brenda qelizës. Ajo sqaron se këtë e ka bërë me ndihmën e një metode, që bazohet në fokusimin e një sasie të madhe rrezesh lazer në një qelizë, të cilat veprojnë kështu si një prozhektor. Në pikën e ndriçuar nga prozhektori mund të vëzhgosh se si hyjnë e dalin molekulat dhe në momentin që ndodhen brenda zonës së ndriçuar t'i analizosh ato.

Schwiller analizoi proteinat e rëndësishme për proceset brenda qelizës

Pikërisht për këtë metodë, e cila është përpunuar dhe precizuar në mënyrë të vazhdueshme Petra Schwille nderohet sivjet me çmimin Gottfried Wilhelm Leibniz.

Profesoresha e biofizikës thotë se i vjen keq që numri i grave të nderuara me këtë çmim, i cili konsiderohet si çmimi Nobel i shkecës gjermane, është kaq i pakët. Sipas saj në fushën e shkencës gratë në Gjermani nuk janë po aq të pranishme sa edhe burrat.

Ajo thotë se ka pasur fat që dikur u shpërngul nga landi Baden-Württemberg, prej nga është me origjinë, për në Dresden, ku kushtet për gratë shkencëtare janë jashtëzakonisht të mira, si rrallë në qytete të tjera gjermane:

"Në ndergjegjen e njerëzve është e vetëkuptueshme që një grua që punon ka edhe fëmijë, këtu nuk ka shef që habitet apo kolegë që qeshin, kur shohin një grua shtatzënë, kjo u duket krejtësisht normale."

Autor: Judith Hartl/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi