1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190111 Deutschland Pressefreiheit

20 Janar 2011

Liria e shtypit në Gjermani garantohet në kushtetutë. Megjithatë ka një sërë shkeljesh dhe zhvillimesh negative. Mediet nuk janë të lira prej influencave politike dhe ekonomike, që kanë pasoja ndaj mënyrës së raportimit.

https://p.dw.com/p/1000H
Rasti "Cicero" është një ndër më spektakolarët të kohëve të funditFotografi: picture-alliance/dpa

"Bashkëveprim për nxjerrje sekreti" kjo ishte akuza dhe njëkohësisht argumentimi i prokurorisë për kontrollin e zyrave të redaksisë së revistës "Cicero" në Pocdam, si dhe në shtëpinë e një gazetari. Shkas ishte një informacion, në të cilin citoheshin dokumentat sekrete të Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA) Rasti "Cicero" është një ndër më spektakolarët të kohëve të fundit, por ky nuk është i vetmi rast.

S' është habi që në listën e aktualizuar çdo vit për lirinë e shtypit, Gjermania zë vendin e 17. Kjo listë përpilohet nga organizata e të drejtave të njeriut "Reporterë pa kufij", e cila u themelua në vitin 1985 nga gazetarët në Francë. Zëdhënësi i seksionit gjerman në Berlin është Michael Rediske, dhe ai nuk habitet aspak që në krahasim me vende të tjera Gjermania ka një pozicion të keq.

Michael Rediske nga "Reporterë pa kufij"
Michael Rediske nga "Reporterë pa kufij"Fotografi: D. Gust

Mbrojtja e burimeve

Vendet skandinave prej vitesh renditen si kryesues sa i përket lirisë së shtypit. Në Suedi autoritetet shtetërore janë të detyruara të garantojnë mbrojtjen e burimit të informacionit, thotë Rediske. Në Gjermani nuk është kështu: „Vazhdimisht ka ndërhyrje ndaj mbrojtjes së burimit, kontrollohen gazeta dhe redaksi. Megjithatë Gjykata Kushtetuese para pak kohësh e shpalli si antikushtetues kontrollin ndaj një radiostacioni të vogël privat në Hamburg. Kësisoj nga këndvështrimi i "Reporterëve pa kufij" është forcuar disi mbrojtja e burimit. Por autoritetet shtetërore dhe ato të përndjekjes penale përpiqen vazhdimisht që ta zbehin mbrojtjen e burimit.“

Pa gjykimin e instancës më të lartë gjyqësore në Gjermani situata mund të ishte edhe më keq. Gjyqtarët disa herë kanë gjykuar në favor të lirisë së shtypit. Në këtë mënyrë ligji i ashtuquajtur për kontrollin online u rrëzua, ky ligj do t' i kishte mundësuar shtetit në rrethana të caktuara kontrollin e fshehtë të kompjuterave që përdoren privatisht. As ligji për regjistrimin e të gjithë qarkullimit të telekomunikacionit në rast dyshimi, i ashtuquajturi ligji për depozitimin e të dhënave, rezultoi si antikushtetues. Ndërkohë koalicioni qeveritar i përbërë nga kristioandemokratët / kristiansocialët dhe liberalët është duke debatuar për një ligj të ri.

BdT Deutschland Trauermarsch am Internationalen Tag der Pressefreiheit
"Reporterët pa kufinj" demostrojnë në Berlin për lirinë e shtypitFotografi: AP

Forumet mbikqyrëse

Rrezik për lirinë e shtypit ekziston edhe për arsye të tjera. Distancimi i shtetit i garantuar në ligjin themelor rrezikohet në mënyrë latente në radiostacionet publike, sepse në forumet mbikqyrëse të tyre një sërë përfaqësuesish të politikës përdorin influencën e tyre. Pa asnjë ngurrim postet e larta drejtuese jepen mbi bazën e parimit proporcional të partive politike. Ai që do të arrijë shkallët e larta të hierarkisë, duhet të posedojë librezën e "duhur" të antarësisë, ose të paktën të jetë i afërt me një kamp të caktuar. Një praktikë kjo që ndiqet prej dekadash, e cila nxit shumë oportunizmin.

Një shembull i bujshëm është ai i televizionit me frekuencë kombëtare ZDF (Kanali i dytë Televiziv i Gjermanisë). Zgjatja e kontratës së kryeredaktorit prej shumë vitesh në post, Nikolaus Brender, në fund të vitit 2009 u pengua nga shumica konservatore në këshillin mbikqyrës. Zëvendëskryetar ishte asokohe ende në postin e kryeministrit të landit të Hesenit, Roland Koch, i cili ndërkohë ka kaluar në sektorin privat. Koch e argumentoi refuzimin e tij me kuotat e dobëta të telespektatorëve të ZDF-së. Ndërhyrja politike në këtë rast ishte evidente, partitë e tjera donin të arrinin ndryshimin e marrëveshjes shtetërore me ndihmën e gjykatave.

Një ide e mirë kjo, mendon Michael Rediske nga "Reporterë pa kufij": „Patjetër që një pjesëmarrje si në ZDF, ku gati gjysma e anëtarëve të forumeve mbikqyrëse vijnë nga partitë dhe qeveritë, duhet të shpallet antikushtetuese. Paditë përkatëse pranë gjykatës kushtetuese të socialdemokratëve dhe të ekologjistëve u mbështetën edhe nga "Reporterë pa kufij".

Nikolaus Brender
Nikolaus Brender, kryeredaktori i ZDF disa viteFotografi: picture-alliance/dpa

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Gjermanë (DJV), Michael Konken, vëren prej vitesh një rritje të humnerës mes medieve dhe politikës: „Vitetet e fundit politika ka humbur aftësinë e pranimit të kritikës. Gazetarët perceptohen si armiq të këqinj. E politikanët janë të kënaqur, kur i bëjnë për vete gazetarët, në mënyrë që ata të raportojnë pozitivisht për ta. Politikës i kërkohet, që të ndërmarrë diçka, për ta siguruar lirinë e shtypit dhe raportimin e lirë."

Kushtet ekonomike

Liria e shtypit ndodhet nën presion edhe nga kushtet ekonomike. Rajone të tëra të Gjermanisë dominohen nga botues të veçantë, e kësisoj pluralizmi i mendimit mbetet në udhëkryq. Shoqatat e gazetave dhe të revistave duan të vendosin paga dhe honorare të ulëta. Duke marrë parasysh klientelën e reklamës ushtrohet gjithnjë e më shpesh presion ndaj gazetarëve, ka mësuar nga bisedat me kolegët presidenti i Shoqatës së Gazetarëve Gjermanë, DJV, Konken: „Unë frikësohem për më të keqen. Gazetaria ndoshta ndonjëherë do të jetë një aktivitet, që njerëz dokudo do ta kryejnë si punë sekondare. Kjo nuk mund të jetë në dobi të lirisë së shtypit në Gjermani dhe as në dobi të një raportimi cilësor, e ajo që është më kryesorja, një gjë e tillë nuk është frymën e një demokracie funksionuese. “

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Gjermanë (DJV), Michael Konken
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Gjermanë (DJV), Michael KonkenFotografi: Sven Simon

Vetëcensura

Michael Rediske nga "Reporterë pa kufij" e mbështet skepticizmin e Konkes: „Kjo sigurisht që e dobëson lirinë e shtypit dhe forcon atë që mund ta quajmë edhe vetëcensurë."

„Garantohet liria e shtypit dhe liria e raportimit përmes radios dhe filmit." Kjo fjali është pjesë e nenit 5 të ligjit themelor. Por në këtë nen thuhet edhe, se "Këto të drejta kufizohen prej normave të ligjeve të përgjithshme...“. Në këtë hapësirë veprimi dhe në kushtet ekonomike në përkeqësim veprojnë mediet në Gjermani. Se sa mirë ose sa keq i bën kjo gazetarisë, për këtë ka një sërë treguesish. Njëri prej këtyre treguesve është renditja e Gjermanisë prej "Reporterëve pa kufij" si e 17 sa i përket lirisë së shtypit.

Autor: Marcel Fürstenau/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Aida Cama