1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270611 Jia China Freilassung

27 Qershor 2011

Në Kinë u lirua nga burgu aktivisti i të drejtave të njeriut, Hu Jia, i cili është nderuar në Evropë edhe me çmimin Saharov. Lirimi i tyre u bë në prag të konsultimeve qeveritare gjermano-kineze.

https://p.dw.com/p/11k9l
Aktivisti kinez Hu Jia.
Aktivisti kinez Hu Jia.Fotografi: picture alliance/dpa

Lajmin për lirimin e Hu Jia e bëri të ditur gruaja e tij. Hu Jia është në shtëpi, i lumtur dhe i sigurt, lajmëroi ajo me Twitter. Por ai ka nevojë për pushim. Hu Jia nuk do të ketë të drejtë që të paktën një vit të merret me aktivitete politike. Nicholas Bequelin nga organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, thotë se në rastin e Hu Jia do të shihet sjellja e vërtetë e qeverisë kineze.

Hu Jiame gruan e tij Zeng Jinyan.
Hu Jiame gruan e tij Zeng Jinyan.Fotografi: dapd

"Do të shihet nëse ai do të jetë i lirë apo do të vendoset në arrest shtëpiak, apo nëse autoritetet do të gjejnë ndonjë formë tjetër për ta dënuar. Ky është një test për sjelljen e Pekinit ndaj të drejtave të njeriut."

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë apeluar para lirimit të tij, që Hu Jia të mos vendoset në arrest shtëpiak. Por gruaja e tij Zeng Jinyan të dielën nuk mund të kontaktohej me telefon. Numri i telefonit ishte jashtë përdorimit. Gazetarët u ndaluan prej policisë që të shkojnë në shtëpinë e tij.

Me javë të tëra para lirimit të burrit, gruaja e tij është ankuar për sjelljen e autoriteteve kineze. Ajo ka frikë se familja nuk do të mund të ketë një jetë normale.

37 vjeçari Hu Jia ishte arrestuar pak para Lojërave Olimpike në vitin 2008 dhe ishte denuar me tre vjet e gjysmë heqje lirie. Ai është angazhuar ndër tjerash për mbrojtjen e ambjentit dhe të infektuarve nga virusi HIV. Ka mbledhur informacione edhe për aktivistët e të drejtave të njeriut, të cilët janë arrestuar prej autoriteteve. Ai është mbikqyrur për një kohë të gjatë nga autoritetet. Për këtë periudhë ka realizuar edhe një film.

Protesta pas dënimit të aktivistit Hu Jia në prill 2008.
Protesta pas dënimit të aktivistit Hu Jia në prill 2008.Fotografi: AP

"Nëse bashkësia ndërkombëtare e sheh këtë film, është e mundur që e gjitha të manifestohet negativisht në Lojërat Olimpike. Qeveria nuk do që ky film të dalë në opinion."

Kështu u shpreh Hu Jia vetëm pak kohë para arrestimit të tij. Për angazhimet e tij për ruajtjen e të drejtave të njeriut ai është nderuar nga Parlamenti Evropian në dimër të vitit 2008 me çmimin Saharov. Disa herë ka qenë në konkurrencë edhe për çmimin Nobel për paqe. Këtë çmim e ka fituar vitin e kaluar bashkëkombasi i tij Liu Xiaobo.

Shumë vëzhgues thonë se lirimet e fundit të aktivistëve për të drejtat e njeriut në Kinë ka të bëjë me vizitën e kryeministrit Wen Jiabao në Evropë. Këtë të hënë ai takohet në Berlin me autoritetet kryesore gjermane. Organizatat për të drejtat e njeriut nuk shohin në këtë moment ndonjë përmirësim të gjendjes. Amnesty International bën të ditur se vetëm në shkurt janë arrestuar 130 aktivistë të të drejtave të njeriut, për shkak të thirrjeve për protesta të ngjashme me ato në shtetet arabe. Qeveria gjermane ka bërë të ditur se në takimet me kryeministrin Wen Jiabao do të diskutojë edhe çështjen e të drejtave të njeriut.

Autor: Ruth Kirchner / Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani